Bonusi për turqit vë në dyshim garën për HEC-in “Katund i Ri”

BIRN

Tenderi i hapur nga qeveria për ndërtimin me koncesion të hidrocentralit “Katund i Ri” vihet në pikëpyetje nga akuzat për favorizimin e kompanive turke, mungesën e transparencës dhe konsultimin me komunitetin, i cili ka frikë se tokat dhe shtëpitë që pritet të përmbyten nga diga, do të shpronësohen me çmime qesharake. Prej 20 vjetësh, djemtë e Shaban Beçës kanë punuar në fushat e duhanit në Itali. Me kursimet e tyre, ata kanë ngritur në fshatin Podgorcë të Dibrës një restorant të këndshëm me gatime tradicionale të zonës, kopshtin, shtëpitë dhe gjithçka kanë – buzë lumit Drin i Zi. Tokat bujqësore të Beçës dhe ato të fshatit janë të punuara me kujdes dhe të mbjella me misër, grurë dhe shalqi. Por e gjithë kjo pasuri, fryt i punës shumëvjeçare të familjes së tij rrezikon të zhduket – e përmbytur nga ujërat e lumit, pas ndërtimit të hidrocentralit “Katund i Ri”. “Unë prekem shumë, sepse kam biznes, kam edhe shumë prona, 60 dynym [tokë] që më përmbytet komplet”, thotë Shabani, i cili nënvizon se restoranti i dhembset më tepër, për të cilin ka vite që kujdeset së bashku me djemtë. “Nuk kam informacion për kompensim, por më e rëndësishmja, nuk kam dalë në shitje”, shtoi ai, duke shpjeguar se askush nuk kishte ardhur për t’i takuar dhe se dyshonte se banorët po “tradhtoheshin”. Më 24 maj, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, MEI, hapi një tender ndërkombëtar për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Katund i Ri”, pasi më parë i kishte dhënë një bonus bashkimit të përkohshëm të kompanive turke “Nurol” dhe “Suzer”, si ofertë e pakërkuar. Ekspertët e kundërshtojnë bonusin si të pabazuar në ligj, duke e akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe favorizim të qartë të kompanive turke për fitimin e tenderit për ndërtimin e HEC-it – pjesë e njërës prej veprave më të rëndësishme hidroenergjetike në vend. “BIRN” gjithashtu ka mësuar që përveç kompanive turke, qeveria ka marrë edhe dy propozime për hidrocentrale në lumin Drin nga kompani kineze për të ashtuquajturin projekti i Skavicës së Madhe – ku HEC-i “Katund i Ri” bën pjesë – por ofertat e tyre nuk janë marrë parasysh. Ndërkohë, banorët e Dibrës – tokat e të cilëve pritet të preken nga ndërtimi i digës së hidrocentralit – ankohen se nuk kanë marrë mjaftueshëm informacion mbi projektin dhe skemën që do të aplikohet për shpronësimet e mundshme të pronave të tyre. Ata shtojnë se konsultimet publike nga ana e qeverisë për projektin kanë munguar, duke u shtuar ankthin që pronat e tyre nuk do të vlerësohen drejt. E pyetur nga “BIRN”, Ministria e Energjisë u shpreh se edhe pse kishte mbajtur një dëgjesë publike mbi projektin, ajo nuk ishte përgjegjëse për konsultimet me publikun – një detyrim që sipas saj i përket kompanisë koncesionare që do të fitojë tenderin për hidrocentralin.

Nga projekti i Skavicës te “Katund i Ri”

Hidrocentrali “Katund i Ri” është pjesë e projektit energjetik të Skavicës, i cili u propozua për herë të parë në fillim të viteve ‘60. Ky projekt konsistonte në ndërtimin e një dige pranë fshatit Skavicë, midis Dibrës dhe Kukësit, me një kapacitet të instaluar prej 350 MW. Në fillim të viteve ‘80, kohë kur Shqipëria po përfundonte së ndërtuari hidrocentralin e Komanit, Skavica u mendua se do të shërbente për dy qëllime njëherësh: të prodhonte energji dhe të krijonte një liqen të ri me kapacitet të konsiderueshëm, duke sjellë rritje të prodhimit edhe në tri hidrocentralet më poshtë në kaskadën e Drinit. Hidrocentrali pritej të shtonte prodhimin e energjisë në vend me mbi 1.8 miliardë kWh në vit, ku përfshihej prodhimi i vetë HEC-it dhe pjesërisht falë rritjes së eficencës hidrike në hidrocentralet e tjerë. “Skema e shfrytëzimit të Drinit të Zi, për ndërtimin e hidrocetralit të Skavicës me parametra maksimale është miratuar dy herë në qeveri, në vitin 1963 dhe në fillim të vitit 1964 është miratuar në Byronë Politike, ka kaluar në Qendrën Shkencore të Institutit, të ministrive e me radhë”, thotë inxhinier Emin Mysliu, projektues midis të tjerave i HEC-eve të Shkopetit dhe Bistricës dhe zbatues në projekte si HEC Fierza dhe Vau i Dejës. Megjithë projektet e tanishme të qeverisë, të cilat synojnë të minimizojnë shpërnguljet e mëdha të popullsisë, inxhinier Mysliu vazhdon të mbështesë propozimin për ndërtimin e “Skavicës së madhe” dhe ankohet se qeveria nuk ua ka vënë veshin ekspertëve vendas. “Nuk është argument shpërngulja e madhe e njerëzve, kur në fakt, vazhdimisht janë shpërngulur mbi një milion njerëz”, thotë ai. “Ata e bëjnë këtë zgjedhje për ndërtimin e ‘Katundit të Ri’, sepse nuk duan të marrin vesh të vërtetën, sepse nuk pyesin, nuk duan të informohen”, shtoi Mysliu. Projekti i “Skavicës” hasi në fillim kundërshtim nga fqinjët, pasi po të ndërtohej siç ishte parashikuar, përmbyste sipërfaqe të konsiderueshme toke në Shqipëri dhe Maqedoni –në atë kohë, pjesë e ish-Jugosllavisë. Por me rënien e regjimit komunist dhe tranzicionin e vështirë me të cilin u përball Shqipëria, projekti mbeti në letër. Projekti parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve: Katund i Ri 445 dhe Skavica 385. Sipas këtij varianti, numri i të zhvendosurve në total shkon në 800 persona, ndërsa sipërfaqja totale e përmbytur arrin në 1,788 hektarë tokë. Vlera totale e investimit për dy HEC-et shkon në 313.8 milionë euro, ndërsa prodhimi vjetor i përbashkët 673 GWh. Tenderi i hapur nga Ministria e Energjisë bazohet në variantin e tretë të propozuar në studimin e Sogreah dhe përfshin dhënien me koncesion të vetëm njërit prej hidrocentraleve.

Bonusi i pakërkuar ndaj kompanisë turke, akt i paligjshëm i qeverisë

Në prag të Krishtlindjeve, më datë 23 dhjetor 2015, qeveria miratoi në heshtje një bonus prej 8 pikësh për kompanitë turke “Suzer” dhe “Nurol”, për propozimin e tyre të pakërkuar për marrjen me koncesion të formës BOT të hidrocentralit “Katund i Ri”. Vendimi i qeverisë nuk u publikua në faqen e saj zyrtare “kryeministria.al” bashkë me vendimet e tjera të marra në të njëjtën mbledhje, por u zbardh më 7 janar në Fletoren Zyrtare – pasi Partia Demokratike në opozitë e pati cilësuar dhënien e bonusit si një aferë korruptive. “BIRN” iu drejtua Ministrisë së Energjisë me një kërkesë, bazuar në ligjin për të drejtën e informimit për të zbardhur propozimin e pakërkuar të “Suzer” dhe “Nurol” për ndërtimin e hidrocentralit, si dhe vendimin e komisionit të posaçëm për miratimin e bonusit. Përgjigjja e MEI-t ishte negative. Ilir Ciko, një ekonomist i edukuar në Harvard dhe ish-zëvendësministër i Ekonomisë argumenton se propozimi i kompanive “Suzer” dhe “Nurol” nuk mund të trajtohet me bonus, sepse rrjedha e sipërme e Drinit është studiuar më parë dhe nuk ka asnjë hapësirë për të cilën mund të bëhet një propozim i pakërkuar. “Këtu hyn në lojë roli i institucioneve, të cilat në këtë rast duket se jo vetëm bëjnë të paditurin për ekzistencën e studimeve të mëparshme, jo vetëm se ‘harrojnë’ që çështje të tilla janë diskutuar plot herë në zyrat e shtetit e për të cilat janë marrë vendime, jo vetëm nuk ngrenë zërin për të treguar se në rastin e rrjedhës së sipërme të Drinit nuk ka as edhe një grimë vend për ndonjë propozim të pakërkuar, pasi gjithçka është trajtuar e madje edhe vendosur më parë, por shkojnë shumë më tej, duke e pranuar një ujdi të tillë dhe dhuruar bonusin përkatës”, tha Ciko. Sipas tij, dhënia e bonusit nga qeveria ishte jo vetëm dëshmi i një akti të paligjshëm, por edhe të degradimit të institucioneve publike në Shqipëri. “Nuk është shqetësues favorizimi i një kompanie, kjo ka ndodhur, ndodh çdo ditë e do të vazhdojë të ndodhë për gjatë. Është nëpërkëmbja e vlerave intelektuale, rrënimi i institucioneve dhe degradimi i administratës që si një rreth vicioz prodhon më pas dështimin e plotë në dy elementët e tjerë të rëndësishëm – transparenca dhe konkurrenca në proces”, shtoi ai. Kreu i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, e cilëson gjithashtu si absurd vendimin e dhënies së bonusit për HEC “Katund i Ri”, duke nënvizuar se ky projekt ishte studiuar më parë në themel. “Koncepti i propozimit të pakërkuar është një mekanizëm i përdorur dy dekada më parë në atë kohë kur vendet e varfra nuk kishin kërkesë për të investuar në to, pra, investitorët nuk i njihnin dhe presupozon që qeveria është në nevojë për të vënë në dispozicion asete të caktuara publike me synimin që të tërheqë teknologji bashkëkohore dhe të fusë në qarkullim ekonomi dhe pasuri të fjetura, siç është në rastin konkret uji”, shpjegoi Preçi. “Në rastin e ‘Skavicës’ mendoj se është i pakuptimtë zbatimi i çfarëdolloj bonusi, për faktin e thjeshtë që ndërtimi i këtij hidrocentrali është studiuar me imtësi gjysmë shekulli më parë, që në periudhën e regjimit komunist, pra përdorimi i bonusit në këtë rast është i panevojshëm”, shtoi ai. Ekspertët thonë se trajtimi në mënyrë preferenciale i një kompanie mund të shoqërohet edhe me koston e mpirjes së investitorëve të tjerë. Kjo sjell edhe kosto të eficencës në treg, sepse një kompani mund të jetë e aftë për të ofruar një ide të mirë apo një propozim të pakërkuar interesant, por jo detyrimisht është ajo kompani më e aftë për të marrë përsipër zbatimin e projektit në fjalë. “Nuk duhet harruar një element i rëndësishëm që është lënë në harresë këto kohë: ndonëse studimi i Sogreah parashikon ndërtimin e HEC ‘Katundi i Ri’, rekomandimet e këtij studimi mbështesin njëkohësisht ndërtimin e HEC Skavicë – i cili sipas këtij studimi duhet ndërtuar përpara atij të ‘Katundit të Ri’ dhe kjo gjë nuk po ndodh”, tha Ciko. “Promovimi i dukshëm dhe problematik i kompanive, për mua të panjohura, siç është rasti në fjalë, pa i paragjykuar aspak ato, me gjasa do të mbajë larg pjesëmarrjen e kompanive të mëdha europiane në këtë projekt”, përfundoi ai.

Propozimet kineze dhe heshtja e qeverisë

Përveç propozimit të dy kompanive turke “Suzer” dhe “Nurol” për ndërtimin e HEC-it “Katund i Ri”, dokumentet e siguruara nga “BIRN” tregojnë që qeveria ka marrë dhe oferta nga kompani kineze për ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhën e sipërme të Drinit të Zi. Kompania kineze “Power China” ka propozuar në shtator të vitit 2014, ndërtimin për llogari të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, të projektit të Skavicës në nivelin 485 metra ose i ashtuquajturi “Skavica e madhe”. Propozimi i saj vinte pas kontakteve të Kryeministrit Rama me Kryeministrin kinez, Li Keqiang në Forumin Ekonomik në Davos, si dhe pas takimit më 10 shtator 2014, midis dy liderëve në qytetin kinez, Tijanin. Sipas një draft memorandumi mes “Power China Chengdu Engineering Corporation Limited” dhe “China Hope Energy Investment Limited”, KESH dhe Ministrisë së Energjisë; Li Keqaing dhe Rama kanë arritur një marrëveshje për financimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës nga kinezët. Kapaciteti i instaluar i hidrocentralit do të ishte 350 MW dhe përveç gjenerimit të energjisë elektrike, parashikonte uljen e riskut të përmbytjeve nga lumi Drin në Shqipëri dhe Mal të Zi. Sipas Geri Selenicës, përfaqësues në Shqipëri i “Power China”, investimi kapte vlerën e mbi 1 miliard eurove, nga të cilat 600 milionë për ndërtimin e digës dhe mbi 500 milionë euro për shpronësimet dhe rehabilitimin mjedisor dhe ekonomik të zonës së përmbytur. Projekti parashikohej të financohej nëpërmjet një kredie të butë për KESH, që do të paguhej në formë “leasing” në një periudhë 15-vjeçare nga korporata, bazuar në të ardhurat e gjeneruara nga eksporti i energjisë. Në fillim të tetorit 2014, përfaqësuesit e kompanisë kineze të udhëhequr nga Presidenti i saj, Jianyue Zhang kanë ardhur në Shqipëri dhe kanë mbledhur të dhëna mbi kaskadën e Drinit, si dhe projektin e Skavicës. Sipas Selenicës, qeveria shqiptare ka marrë oferta për ndëtimin e HEC Skavicës edhe nga dy kompani të tjera të mëdha kineze, “GeZhouba” dhe “Norinco Group”. “Norinco Group” i ka ofruar Kryeministrit Rama një kredi të butë për ndërtimin e HEC-it me afat kthimi 35 vjet, me 2% interes dhe 7 vitet e para falas. Megjithatë, Selenica thotë që qeveria nuk i ktheu kurrë përgjigje kinezëve. Madje, sipas tij Kryeministri Edi Rama as nuk doli t’i priste në zyrën e tij presidentin e “Power China” dhe drejtuesit e lartë të firmës kineze, të cilët e kishin mikpritur një muaj më parë në Pekin. “Kompanitë kineze ‘Power China’, ‘GeZhouBa’ dhe ‘Norinco’ që janë interesuar, qeveria i ka gënjyer dhe nuk i ka njoftuar me kohë për këtë tender, madje u ka thënë që të largohen”, tha Selenica. “Ndërsa turqit kanë pasur mbi 1 vit kohë që ta vlerësojnë këtë projekt dhe nga një investim gjigant për Skavicën 485 m me rezervuar ujor 7 miliardë m3, me 400 MW fuqi [të instaluar], me prodhim 2 milionë GWh në vit dhe 1 miliard euro investim, e katandisën tek ‘Katundi i Ri’ me rezervuar ujor 580 herë më të vogël dhe me 10% të prodhimit të Skavicës së madhe”, shtoi ai. E pyetur nga “BIRN”, Ministria e Energjisë nuk komentoi nëse ka pasur propozime të tjera për projektin e Skavicës, përveç propozimit të pakërkuar nga “Suzer” dhe “Nurol”. Gjithashtu, zyra e Kryeministrit Edi Rama nuk iu përgjigj pyetjeve specifike mbi ofertat e kinezëve dhe akuzave të Selenicës.

Artikulli paraprakTjetër sekuestro për ARMO
Artikulli tjetërNATO fillon manovrat ushtarake në Poloni