Bordi i AMA kundër projektligjeve “Rama” për median online

Anëtarët e Bordit të AMA Sami Nezaj, Suela Musta dhe Agron Gjekmarkaj dolën në një deklaratë të mëvete mbi dy projektligjet kontroverse të propozuara nga qeveria e kryeministrit Edi Rama që synojnë të krijojnë një sistem kontrolli administrativ mbi median online duke deklaruar opinionin e tyre kundër.

Sipas deklaratës, tre anëtarët mendojnë se “për forcimin e lirisë së mediave online, lirisë së mendimit dhe të drejtës për informim përmes rritjes së profesionalizmit, mbështetjes së mediave të reja, vetërregullimit të tyre, rritjes së edukimit për median, gjë që ndryshimet e parashikuara në ligj nuk e realizojnë.”

“Propozimet e qeverisë anashkalojnë një nga parimet më të rëndësishme të medias së shkruar atë të vetërregullimit ndërkohë që aktet ndërkombëtare dhe veçmas direktiva e BE për mediat audiovizive inkurajon edhe vetë rregullatorët t’i japin përparësi këtij parimi,” vijon më tej deklarata.

Kryeministri Edi Rama hodhi si nismë të vetën për “disipliminim” e medias online në dhjetor 2018 atë që e prezantoi si “paketa antishpifje”. Si pasojë e presionit vendës dhe ndërkombëtar, qeveria e ka transformuar disa herë formulimin e projektligjeve por dukshëm nuk e ka ndryshuar thelbin e tyre,

dëshirën për të krijuar një sistem kontrolli administrativ me fuqi për të gjobitur median online në bazë të kërkesave të personave të prekur, të tillë si politikanët, ndërkohë që përjashton nga të qenit subjekt i ligjit vetë politikanët dhe komunikimet politike duke i konsideruar këto të fundit si “të vërteta”.

Autoriteti i Medias Audiovizuale drejtohet nga një bord me shtatë anëtarë, të cilët zgjidhen nga parlamenti. Siç ndodh me shumë institucione të pavarura, grupet parlamentare që përfaqësojnë tre grupimet kryesore politike në vend, PD, PS dhe LSI, propozojnë secili një pjesë të anëtarëve.

Aktualisht dy nga shtatë anëtarët e bordit janë vende vakante. Një nga anëtarët, Pirro Misha, u tërhoq nga posti pasi u emërua nga kryeministri Edi Rama në postin e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare.

Anëtari tjetër, Zylyftar Bregu, u shkarkua nga parlamenti i kontrolluar nga socialistët me argumentin se gjendet në kushtet e konfliktit të interesit për shkak se një dekadë më parë kishte marrë me qira një parcelë toke publike.

Thirrja për zëvendësimin e tij ka dështuar dhe procedura për zëvendësimin e tij ka mbetur e papërfunduar. Dy anëtarët e tjerë të bordit, Gentian Sala dhe Gledis Gjipali nuk kanë mbajtur qëndrim publik mbi projektligjet.

Reporter.al

Exit mobile version