Bordin: Kolici dhe fati nuk na lejuan të fitonim më thellë

I kënaqur me lojën e skuadrës së tij, por jo me rezultatin. Trajneri i Sherifit të Tiraspolit, Roberto Bordin theksoi në konferencën për shtyp pas fitores 1-0 me Kukësin se Enea Kolici dhe fati, nuk lejuan që kampionia e Moldavisë të merrte një fitore më të thellë ndaj ekipit të Ernest Gjokës.
“Ishte një ndeshje e vështirë, ku kemi patur shumë raste shënimi për të arritur një rezultat më të thellë. 1-0 është një rezultat i mirë, por siç e thashë na rri pak ngushtë sepse kemi krijuar shumë raste të pastra, të cilat nuk i kemi shfrytëzuar. Sa për meritë të portierit kundërshtar, por edhe për faktin që fati nuk ka qenë me ne”, u shpreh Bordin.
Edhe pse avantazhi minimal nuk jep shumë garanci për kualifikimin, trajneri italianit i Sherifit të Tiraspolit foli me optimizëm për takimin e kthimit që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. “Do të kemi disa ditë kohë për ta përgatiur ndeshjen e kthimit. Do të shohim se ku jemi me dëmtimet dhe besoj se do të jemi më të freskët përsa i përket gjendjes fizike. Kemi bërë volum të madh loje dhe krijuar raste, e kjo do të thotë se skuadra është mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Unë jam i kënaqur me futbollistët e mi, që bënë gjithçka për të shënuar golin e dytë apo të tretë, pavarësisht se nuk ia dolën”, përfundoi ai.

Artikulli paraprakShtohen ofertat për Memushajn
Artikulli tjetërSadiku zyrtarisht te Legia Varshavë