Borë dhe akull në Veri e Juglindje të vendit, disa akse të bllokuara

I gjithë qarku juglindor i Korçës është mbuluar nga bora. Reshjet intensive gjatë orëve të natës kanë bërë që trashësia e borës të arrijë deri 25 cm në fshatin turistik të Dardhës dhe në Qafën e Qarrit. Në segmentin Qafë Thanë-Kapshticë bora arrin deri në 10 cm. Sipas informacioneve më të fundit, akset Korçë-Dardhë, Korçë Voskopojë, Korçë-Ersekë momentalisht janë të kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë, aksi Qafë Thanë-Kapshticë është i kalueshëm, por pjesërisht duhen përdorur zinxhirët.
Policia e Korçës njoftoi se akset dytësore janë të kalueshme, por pjesërisht nevojitet përdorimi i zinxhirëve konkretisht në rrugën Dardhë-Voskopojë-Vithkuq, si edhe Leskovik-Gërmenj.
Reshjet e dëborës në Qarkun e Shkodrës kanë prekur prej ditësh vetëm zonat malore, duke krijuar një situatë problematike.
10 kilometra rrugë që lidhin Vermoshin me Shkodrën nga segmenti i Qaf-Predelec deri në qendër të fshatit është e bllokuar nga dëbora, por edhe rrëshkitja e gurëve e dherave në rrugë. Për pasojë janë të bllokuar fshatrat e Vermoshit dhe të Lepushës në Njësinë Administrative të Kelmendit, Bashkia Malësi e Madhe.
Emergjencat Civile thonë se, pasi të shihet situata nga afër do të marrin masa, duke treguar se deri më tani nuk kanë informacion për bllokimin e rrugës, edhe pse bora e rënë ka prej 72 orësh.
Problematike paraqitet situata edhe në aksin rrugor Bogë-Theth, në zonën e Qafë Thores, ku 14 km rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dëbora. Atje asnjë fadromë nuk është dërguar për hapjen e rrugës që të dërgon në zemër të qendrës turistike më të preferuar nga turistët, por që këtë fundviti dhe fillim viti të ri, ishte mollë e ndaluar për të gjithë. Edhe segmenti rrugor Theth-Breg Lumi – Shkodër si shkak i rrëshkitjes së dherave dhe gurëve në rrugë ka vështirësi kalimi. Në aksin rrugor nacional Vau Dejës – Pukë ka patur prezencë të rreshjeve të deborës, por nuk ka probleme për lëvizjen e mjeteve.
Reshjet e deborës të rëna gjatë mbrëmjes kanë përfshirë edhe zonat malore në rrethin e Librazhdit, duke sjellë anomali në akset rrugore. Rruga Librazhd-Peshkopi si dhe Prrenjas–Qafë Thanë kanë vështirësi në qarkullim.
Sipas shefit të Zyrës së Emergjencave pranë Prefekturës Elbasan, sasia e borës ka shkuar në 35 cm në Qendrën Administrative të Stëblevës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në drejtim të Peshkopisë, ndërsa në aksin e Qafë Thanës, policia u ka kërkuar drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhirët.
Sipas shefit Zyrës Emergjencave deri tani nuk ka bllokim të rrugëve nacionale. Ndërkohë edhe në Dibër, reshjet e borës kanë krijuar vështirësi në qarkullim. Si pasojë e reshjeve gjatë orëve të natës në Qarkun e Dibrës, policia njoftoi se në disa akse rrugore rurale ka prezencë të borës dhe akullit.
Policia Rrugore e Dibrës ka shtuar grupet e shërbimit në akset rrugore, për të drejtuar e menaxhuar me kujdes qarkullimin rrugor si dhe për t’ju ardhur në ndihmë gjithë përdoruesve të rrugës që kanë nevojë për ndihmën e policisë.

Exit mobile version