Shefi i Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka shprehur shqetësimin që Alexei Navalny, lideri i opozitës ruse raportohet të jetë zhdukur prej shtatë ditësh.
“Lajmi për zhdukjen e Navalny që prej 7 ditësh është shumë shqetësues. Udhëheqja politike e Rusisë është përgjegjëse për sigurinë dhe shëndetin e tij në burg për të cilin ata do të mbajnë përgjegjësi. BE bën thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm, i cili është burgosur për motive politke”, tha Borrell.
Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, nuk është më në burgun IK-6 Melekhovo, pasi është transferuar në një burg tjetër, vendndodhja e të cilit nuk dihet ende.
Sipas informacioneve, Navalnyt nuk i ishte lejuar të komunikonte për gati një javë, ndërsa avokatëve të tij nuk i ishte lejuar ta takonin atë në burg.
Navalny, një prej kritikëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në gusht iu shtua dënimi në 19 vjet burg, pasi u deklarua fajtor për krijimin e një organizate ekstremiste dhe u transferua në një burg “me regjim më të ashpër”.
Tre nga avokatët e Navalnyt, Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster janë arrestuar në tetor dhe po ndiqen penalisht për pjesëmarrje në një komunitett ekstremist, për shkak të lidhjeve të tyre me Navalnyn dhe me fondacionin e tij kundër korrupsionit.