Borxhi i huaj arrin në 3.5 miliardë euro

Ecuria historike e detyrimeve të jashtme na tregon se qeveritë shqiptare e kanë pasur më të lehtë të gjejnë borxhin se sa ta përdorin atë. Në totalin e borxhit të jashtëm prej më shumë se 3.5 miliardë eurosh, rreth 26% e tij është ende i patërhequr. Ministria e Financave referoi se në fund të tremujorit të tretë, shuma e nënshkruar e borxhit, por e patërhequr është mbi 954 milionë euro. Kjo shifër, vitin e kaluar, ka qenë edhe më e lartë, por disbursimet e këtij viti e kanë ulur atë me 10%.
Qeveritë mike të Shqipërisë, por edhe institucionet financiare ndërkombëtare ndjekin procedura strikte për disbursimin e huave të tyre, duke bërë që një pjesë të mos angazhohen sipas parashikimeve fillestare.
Qeveria shqiptare, nga ana saj, ka pranuar disa herë vështirësitë që kanë kontraktimi i fondeve të marra nëpërmjet borxhit të jashtëm. Këto defekte reflektohen më së shumti në ecurinë e shpenzimeve kapitale, të cilave më së shumti u dedikohet ky borxh.
Shpenzimet kapitale me financim të jashtëm për 6-mujorin e parë të vitit 2016 u realizuan vetëm në 30% të planifikimit të periudhës. Ky mosrealizim i investimeve të huaja në nivelet e kërkuara, në raport me planin për programet në periudhën afatmesme, ka ndodhur për shkaqe të ndryshme si, shtyrja e afatit të realizimit nga procesi i prokurimit apo edhe nga vonesat në paraqitjen e dokumentacionit teknik e financiar për lëvrimin e fondeve, ka arsyetuar Ministria e Financave.

Huatë e jashtme, 48% me interes fiks

Borxhi i jashtëm shtetëror përbëhet në masën 86.6% nga instrumente të patregtueshme, si kreditë e projekteve për zhvillim, mbështetja buxhetore dhe kredia pjesërisht e garantuar nga Banka Botërore (PBG). Pjesa e mbetur prej 13.4% përbëhet nga instrumente të tregtueshme në tregjet ndërkombëtare, të tipit Eurobond dhe i maturuar në instrumente afatgjata.
Ndërkohë, borxhi i jashtëm përbëhet në masën 48.1% nga norma interesi fikse dhe 47.9% nga norma interesi koncesionare.
Kostoja mesatare e borxhit të jashtëm gjatë viteve të fundit ka qenë më e qëndrueshme duke u luhatur maksimalisht me 10 pikë përqindje. Përjashtim bën viti 2015, gjatë të cilit kosto mesatare e borxhit të jashtëm është rritur me 29 pikë përqindje, kryesisht për shkak të rritjes së peshës së borxhit të kontraktuar me terma tregtare (jo koncesionare).
Stoku i borxhit shtetëror në monedhë të huaj është rritur nga 43.1% e totalit në vitin 2014 në 48.6% në vitin 2015, duke sjellë një rritje të moderuar të ekspozimit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Rritja e nivelit të borxhit në monedhë të huaj ka ardhur kryesisht nga mbështetja buxhetore e akorduar në kuadër të likuidimit të detyrimeve të prapambetura, garancia pjesore e Bankës Botërore (PBG) dhe Eurobondi. Shtesa prej 3.6% e financimit të huaj mbi objektivin është bërë në kuadër të kostove të favorshme që kanë rezultuar në tregun e jashtëm gjatë emetimit të Eurobond-it, në kuadër të lehtësimit të mëtejshëm të presionit të huamarrjes në tregun e brendshëm dhe në kuadër të uljes së ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit dhe rrezikut të normave të interesit.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërRama përçan koalicionin qeverisës, LSI reagon