Ndonëse stoku i borxhit publik që nga viti 2010 është rritur me rreth 300 miliardë lekë, duke shkuar nga 57.71% e PBB në 72.21% të PBB-së, në fund të vitit të kaluar shpenzimet për interesat e borxhit kanë ardhur në rënie.
Një mjedis i ulët interesash si në ambientin e jashtëm dhe në atë të brendshëm ka çliruar buxhetin e shtetit nga pagesat e larta për shërbimin e borxhit. Në vitin 2010 ku interesat ishin në prag të trajektores së uljes, shpenzimet buxhetore për interesat e borxhit ishin 41,6 miliardë lekë ose 3.3 për qind e PBB-se. Por në fund të vitit të kaluar këto shpenzime ishin 38.6 miliardë lekë ose 2.6 për qind e PBB.
Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, me uljen e normës bazë të interesit me 14 herë që nga viti 2011 duket se ka ndikuar për mbarë në frenimin e shpenzimeve qeveritare se sa në çlirimin e kredisë për ekonominë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave mesatarja e interesave të borxhit të brendshëm nga 8.95 për qind që ishte në vitin 2009 në fund të vitit 2015 arriti në 5.01 për qind. Rënien më të madhe e ka patur interesi i Bonove të Thesarit.
Por teksa shpenzimet për shlyerjen e interesave të borxhit të brendshëm janë ulur, por borxhin e jashtëm ato kanë ardhur në rritje. Në fund të vitit 2015 u shlyen 11.2 miliardë lekë interesa për borxhin e jashtëm nga 8.2 miliardë lekë që ishin shlyer më 2014-ën. Në tremujorin e parë të 2016 janë shlyer 1.9 miliardë lekë interesa.
Që nga viti 2015 dhe përgjatë këtij viti vlerat neto ndërmjet borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm janë ngushtuar ndjeshëm. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti borxhi i jashtëm shënoi 556 miliardë lekë, ndërsa borxhi i brendshëm 502 miliardë lekë.
Qeveria shqiptare vijon të këtë një ekspozim të lartë të detyrimeve ndaj operatorëve vendas, sidomos ndaj bankave tregtare në vend, të cilat janë zotëruese pothuajse të të gjithë portofolit të borxhit të brendshëm.
Diversifikimi i portofolit të borxhit qeveritar edhe jashtë tregut vendas ndikon edhe në uljen e kostove të shërbimit të borxhit, pohojnë ekspertët.
Borxhi publik ka shënuar ulje në tremujorin e parë të vitit, duke rënë në nivelin 69% të PBB nga më shumë se 72.2% që ishte në fund të vitit 2015. Kjo edhe për shkak se, buxheti është planifikuar me deficit primar, ku shpenzimet për interesat e borxhit do të jenë më të larta se borxhi i ri.