Teksa mandati qeverisës është në fund të tij, buxheti i shtetit mbart detyrime të fshehura në më shumë se 300 milionë euro, të cilat nuk janë përfshirë në treguesin e borxhit publik, i cili edhe pa këto detyrime e mbylli vitin 2016 në 71.01% e PBB-së.
Një grup pune në Ministrinë e Financave është duke punuar mbi identifikimin e saktë të shifrës, por burime nga ky grup i pohuan “Monitor” se janë identifikuar detyrime të prapambetura që shkojnë deri në 320 milionë euro, të cilat nuk janë përfshirë në tregues zyrtarë të borxhit.
Të njëjtat burime pohuan se grupi i punës është duke hasur në vështirësi pasi institucionet refuzojnë të bëjnë transparente të gjitha faturat e pashlyera dhe shifra nuk është përfundimtare.
Ndërkohë revista “Monitor” në muajin prill 2017 identifikoi borxhin në burim që disa ente publike kishin krijuar deri në fund të vitit 2016, me një shumë totale 32 miliardë lekë. Ky borxh është pranuar zyrtarisht nga institucionet përkatëse.
Detyrimet e reja janë krijuar nga borxhet që institucionet e shtetit kanë ndaj bizneseve për punime të papaguara në rrugë, rimbursim TVSH-je dhe gjyqe të humbura. Fatura është rënduar edhe nga borxhet e pushtetit lokal dhe faturat e papaguara të energjisë për vitet 2014-2015 nga entet publike.
Nga shuma 32 miliardë lekë e krijuar deri në fund të vitit 2016, detyrimet ndaj biznesit (rimbursim TVSH-je dhe punimet e papaguara të rrugëve) janë 5.8 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.