Në fund të vitit 2015, borxhi tatimor rezultoi në vlerën 100.4 miliardë lekë (rreth 720 milionë euro), nga 87. 7 miliardë lekë, që ishte në fund të vitit 2014, duke u rritur me 14.4%. Lajmin e dha Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas një auditimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të ushtruar së fundmi.
KLSH ka vërejtur se treguesit e borxhit tatimor janë përkeqësuar në krahasim me periudhën e mëparshme. Në vitin 2015, në krahasim me vitin 2014, është evidentuar shtim i numrit të subjekteve debitorë me 6408 subjekte dhe në nivelin e detyrimeve tatimore të pashlyera me 12.6 miliardë lekë më shumë.
Përkeqësimi i këtyre treguesve ka ardhur si rezultat i moszbatimit të të gjitha masave shtrënguese për rikuperimin e borxhit tatimor, të përcaktuara në ligjin “Për Procedurat Tatimore”, si dhe kërkesave të Rregullores së Brendshme të Administratës Tatimore Qendrore, argumenton KLSH-ja.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve që të marrë masa për miratimin e manualit mbi menaxhimin e borxhit tatimor, si dhe për përmirësimin e kuadrit rregullator, ku të përcaktohen masa sa më efektive, për vjeljen e borxhit tatimor, me qëllim minimizimin e politikave të faljeve të vijueshme të detyrimeve tatimore të pashlyera, gjë e cila ndikon në rritjen e kulturës së subjekteve tatimpaguese.
Ndërkohë, KLSH kërkoi nga Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve të rrisë bashkëpunimin me të gjitha strukturat e specializuara, që merren me administrimin dokumentar dhe fizik të aktiviteteve ekonomike-tregtare, duke bërë efektive marrëveshjet e përbashkëta të lidhura për menaxhimin e borxhit, duke përcaktuar saktë detyrat e ndërsjella të secilës strukturë, me qëllim rritjen e efektivitetit të masave shtrënguese për mbledhjen e borxhit tatimor e kryesisht me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, Bankat dhe Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive, si dhe Zyrat e Përmbarimit Gjyqësor.