Deputeti i Partisë Demokratike, Enkeled Alibeaj ka komentuar aksionet e policisë së ditëve të fundit. Alibeaj deklaroi se, asnjë nga bosat e vërtetë të drogës dhe krimit në Shqipëri nuk është arrestuar.
Sipas tij, bosët e vërtetë të krimit dhe drogës qëndrojnë të ulur në karrigen e kryeministrit bashkë me Edi Ramën.
Deklarata e Alibeajt
Policia e Shtetit, e cila në 5 vitet e drejtimit të vendit nga Edi Rama, veproi si një organiztatë në mbrojtje të krimit me lidhje politike, tani po bëhët vegla më e shëmtuar dhe e rrezikshme e propagandës së kryeministrit, peng i krimit.
Lista me të ashtuquajtur 300 të fortë, nuk ka asnjë emër krimineli, asnjë emër të forti, që drejton realisht bandat dhe organizatat kriminale në vend.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, i cili u emërua në këtë detyrë për shkak të miqësisë me të fortin e Vlorës Agron Xhafaj, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, ka zgjedhur të bëjë megafonin e kryeministrit kundër interesit të qytetarëve për luftë të vërtetë kundër krimit të organizuar.
Operacioni “Forca e Ligjit” është pjesë e propagandës së Edi Ramës.
Asnjë bos i krimit nuk është arrestuar.
Asnjë pasuri e bosëve të krimit nuk është sekuestruar.
Nëse Forca e Ligjit do të kishte goditur vërtet krimin, negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, do të ishin hapur.
Operacionet apo paketat me emra propagandistikë janë shpikje e Edi Ramës për të mbuluar lidhjet e tij dhe të bashkëpuntorëve të tij me krimin.
Është fakt se Taulant Balla përmendet për disa nga dosjet e rënda që janë në hetim. Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është i lirë.
Është fakt se Vangjush Dako është i kapur në përgjim me disa kriminelë, por, megjithëse disa peshq të vegjël arrestohen, kryebashkiaku i Durrësit, është i lirë.
Është fakt se Qazim Sejdini është kokë e këmbë i zhytur me bandat e Elbasanit, por kryebashkiaku i Elbasanit është i lirë.
Është fakt se Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Jurgis Çyrbja, Ulsi Manja përmenden edhe këta në disa nga dosjet e rënda që janë në hetim, por të gjithë janë të lirë.
Të fortët e vërtetë janë drejtuesit e organizatave kriminale, që Policia e Fatmir Xhafës dhe Ardi Veliut, jo vetëm nuk i arreston, por i njofton të shkojnë në drejtim të paditur edhe kur operacionet e partnerëve ndërkombëtare i evidentojnë si bosë të krimit të organizuar në vend.
Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliu, kanë detyrimin të informojnë qytetarët
Sa nga bosët e krimit të organizuar janë arrestuar.
Sa është numri i familjeve mafioze që janë shkatërruar.
Sa janë Laboratorët e Drogës që janë zbuluar nga Policia Shqiptare, pa kërkesën e partnerëve.
Të konsiderosh suksese arrestimin e të moshuarve, rojeve apo shoferëve, është, më e pakta, shfokusim ndaj luftës së vërtetë me krimin.
Në të vërtetë, në Shqipëri ligji nuk do të ketë asnjëherë forcë, bosët e krimit nuk do të arrestohen, përsa kohë ata janë të ulur, bashkë me Edi Ramën, në karrigen e kryeministrit të vendit.