Boshllëqet e narrativës socialiste kundër SPAK-ut

Nga Blendi Kajsiu 

Arrestimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj ka prodhuar një narrativë të fuqishme anti-SPAK në kampin socialist që bazohet në tre boshte. Së pari, arrestimi dënohet sepse është bërë pa gjygj dhe pa akuzë, ose me akuza qesharake. Së dyti, denoncohet si një goditje ndaj Partisë Socialiste që është frymëzuar apo orkestruar nga Sali Berisha. Së treti, është ndërmarrë një fushatë denigruese ndaj figurës së prokurorit dhe gjygjtarit që dhanë vendimin për paraburgimin e Veliajt, që në anglisht njihet me emrin “character assassination” (vrasja e personazhit).

Në të treja rastet narrativa socialiste prodhon një deformim ose manipulim të realitetit që shpesh ofrohet si kritikë konstruktive e drejtësisë së re. Që kjo e fundit ka probleme dhe mund të përmirësohet, nuk ka dyshim. Ama problemet e drejtësisë së re, siç janë tendeca për të arrestuar dhe pastaj për të akuzuar dhe gjykuar, nuk kufizohen tek arrestimi i kryebashkiakut Veliaj.

Zyrtarët e majtë apo të djathtë që janë arrestuar nga SPAK në asnjë rast nuk janë gjykuar para arrestimit. Pothuajse të gjithë janë çuar në paraburgim ende pa ju formuluar një akuzë formale në mënyrë parandaluese nën dyshimin se janë përfshirë në afera korruptive dhe mund të dëmtojnë provat dhe procesin e hetimit.

Natyrisht kjo mënyrë procedimi është problematike dhe mund të cënojë të drejtat e të akuzuarit. Ama ajo nuk është zbatuar në mënyrë selektive në rastin e kryebashkiakut Veliaj sikurse pretendon narrative socialiste. Ish kryebashkiakë, si Vangjush Dako, apo ish-kryeministra e ish-presidentë, si Ilir Meta, janë arrestuar me të njëjtën llogjikë.

Ndaj është boshe teza socialiste se arrestimi i kryebashkiakut Veliaj është jo legjitim sepse është bërë pa u gjykuar e pa u akuzuar. Ashtu sikurse pretendimet se SPAK nuk ka prodhuar asnjë provë mbi fajësinë e kryebashkiakut.

Deklaratat e kryeministrit Rama se kryebashkiakun Veliaj po e dënojnë për fustane, bizhuteri e parfume që ai nuk i vesh deformojnë deri në hilaritet akuzën e ngritur nga SPAK. Askush nuk e ka akuzuar kryebashkiakun Veliaj se ka blerë fustane apo bizhuteri për veten.

Akuza e SPAK është se fondacioni i bashkëshortes së tij është përdorur për pastrimin e parave që derdheshin aty nga ndërtuesit që merrnin leje nga Bashkia e Tiranës. Për të provuar këtë SPAK ka treguar donacionet e bëra tek fondacioni nga një numër ndërtuesish që kanë marrë leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës si dhe shpenzimet e bashkëshortes së kryebashkiakut që, gjithnjë sipas SPAK, tregojnë se këto para kanë shkuar në xhepin e familjes dhe jo të fondacionit.

Natyrisht akuza e SPAK mund të jetë e mangët apo a pambështetur në fakte, sikurse ka argumentuar kryebashkiaku Veliaj. Ai pretendon se shpenzimet e bëra nuk janë në masën, dhe as për qëllimet, që pretendon SPAK, por për aktivitetet e fondacionit Harabeli.

Ky është një argument i arësyeshëm (pavarësisht nëse rezulton i vërtetë apo jo) që mund të vërtetohet si në gjykatë edhe para opinionit publik nëpërmjet mediave të shumta që socialistët dhe kryebashkiaku Veliaj kanë në dispozicion. Por është mjaft kontradiktore që në fillim të thuash se nuk ka akuzë dhe më pas të deklarosh se akuza, që nuk ishte, ekziston por është e pabazë.

Ndërkohë është absurd pretendimi socialist se SPAK dhe drejtësia e re po veprojnë nën trysninë e Berishës për të goditur Ramën. Sipas kësaj narrative brenda SPAK ka gjygjtarë dhe prokurorë që ose janë kompleksuar nga sulmet publike të Berishës ose janë militant të berishizmit që godasin Partinë Socialiste në zemrën e fushatës së saj elektorale.

Argumenti se një prokuror kompleksohet nga klithmat e Berishës por jo nga tentakulat e pafundme të pushteti socialist është qesharak. Sidomos po të kesh parasysh që shanset e Berishës për të ardhur në pushtet janë pothuajse zero, ndërkohë që socialistët e kanë pothuajse të garantuar fitoren në zgjedhjet e ardhëshme. Edhe një prokuror e ka të qartë kaq gjë.

Po kaq qesharake është idea se dikush do rrezikonte karrierën e tij profesionale, një rrogë të madhe dhe të sigurt për tu flijuar në altarin e interesave politike të Berishës. Kjo ide bazohet tek supozimi që berishizmi prodhon militantë dhe fantikë që janë gati të sakrifikojnë interesin personal për idealin berishist.

Duke lënë mënjan faktin që nuk ekziston asnjë ideal berishist, fanatizmi berishist bazohet thjesht dhe vetëm tek interesi i ngushtë personal. Bashkëpuntorët e ngushtë e ndjekin Berishës sepse ai u ofron një status social dhe një karrierë politike që nuk do mund ta siguronin vetë.

Nuk është as dashuria, as ideali, as patriotizmi por interesi fare banal që e ngjiz berishizmin. Ndaj është e çuditëshme të gjesh kamikaz politik të dokorit në nivelet e larta të SPAK që janë gati të sakrifikohen për Berishën kundër interesit të tyre personal. Dicka të tillë nuk e bën as Flamur Noka.

Aq më tepër në përballje me pushtetin socialist që sot kontrollon mediat, bizneset, administratën publike, në nivel qendror dhe lokal, pa përmendur lidhjet e pushtetit socialist me krimin e organizuar. Imagjinoni për një moment sa e vështirë është të përballesh me këtë pushtet tentakulat e të cilit me lehtësi mund të arrijnë tek familjet dhe familjarët e prokurorëve dhe gjygjtarëve.

Në fakt, kemi parë se si menjëherë pas arrestimit të kryebashkiakut Veliaj mediat pranë pushtetit filluan denigrimin e prokurorit të çështjes. Dhe ky është boshti i tretë dhe më i shëmtuar i narrativës socialiste anti-SPAK, që kundër drejtësisë së re përdor të njëjtën gjuhë dhe të njëjtat mjete si berishizmi.

Lajmi i parë që doli nga goja e kryebashkiakut direkt në faqet e para të mediave të pushtetit ishte se prokurori në fjalë ishte në konflikt interesi sepse kish marrë leje nga Bashkia e Tiranës (shiko ketu).

Ama po të shikosh dokumentin në fjalë vë re se leja nuk është marrë nga prokurori i çështjes por nga firma e ndërtimit Alb-Edil, tek pronësia apo administrimi i të cilës nuk figuron fare prokurori në fjalë (shiko ketu). Prokurori është thjesht një nga përfituesit e shumtë të lejes, mesa duket si një nga pronarët e truallit.

E megjithatë po të lexosh mediat qeveritare të krijohet përshtypja se prokurori i çështjes ka në pronësi një firmë ndërtimi që merr leje nga Bashkia e Tiranës dhe për pasojë është në konflikt të hapur me të.

Natyrisht mbetet mister arësyeja që e ka shtyrë një ndërtues të maskohet si prokuror për të arrestuar kryetarin socialist të Bashkisë së Tiranës, që sipas të gjitha gjasave do mbetet në duart e socialistëve, bashkë me pushtetin qendror.

Është një narrativë tymnajë që e zhvendos vëmendjen nga faktet tek personazhet. Nga njëra anë është prokurori ndërtues, berishist dhe hakmarrës dhe nga ana tjetër është babai, djali, bashkëshorti dhe kryebashkiaku punëtor.  Problemi është se zhvendosja e narrativës nga faktet tek personat dëshmon forcën e fakteve më shumë se sa rëndësinë e personazheve.

Artikulli i Blendi Kajsiut shkruar enkas per Lapsi.al

Artikulli paraprakZBARDHJA E KOMUNIKIMEVE NGA GJKKO: Ja si përfundonin paratë e institucioneve në xhepat e Ajola Xoxës
Artikulli tjetërTë gjitha akuzat, sharjet, fyerjet/ Si u shpërfytyrua Rama në 48 orë