Botërori 2018/ Kaos te Spanja, shkarkohet trajneri Lopetegui. Dje firmosi me Realin

Spanja shkarkon trajnerin një ditë para fillimit të Botërorit të Rusisë. Ka qenë presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, ai që e ka njoftuar këtë vendim për mediat mesditën e kësaj të mërkure. Gazetarët kanë pritur për më shumë se një orë daljen në konferencë të Lopetegui, por kjo nuk ka ndodhur. Në vend të tij ka folur presidenti Rubiales, që ka njoftuar shkarkimin e Lopetegui:
“Ne e falënderojmë Julen për gjithçka ka bërë. Falë tij ne jemi në Rusi, por jemi të detyruar ta shkarkojmë atë. Ky duhet të jetë një mesazh i qartë për të gjithë punonjësit e Federatës Spanjolle. Unë kam folur me të. Nuk do të ndjehem i tradhtuar, por problemi është se si ai ka bërë gjëra me mendjen e tij si trajner i Spanjës.
I ka bërë këto veprime në mungesë totale të pjesëmarrjes së Federatës së Futbollit të Spanjës, duke negociuar dhe pranuar stolin e Real Madridit. Kjo është diçka që ne nuk mund ta injorojmë. Lopetegui është i patëmetë profesionalisht, por format e punës në kombëtaren tonë janë më të rëndësishme. Nga ky moment ne po kërkojmë një trajner, i cili do të marrë përgjegjësinë për ekipin kombëtar gjatë Kupës së Botës.
Unë iu kërkoj të gjithëve që të na mbështesin, sepse po flasim për ekipin kombëtar spanjoll të futbollit dhe ne duhet të jemi së bashku. Ishte një moment i vështirë, Lopetegui iu tha lamtumirë lojtarëve, me të cilët ka shumë lidhje, por duhej ta merrnim këtë vendim. Ne kemi vepruar me ndërgjegje dhe me përgjegjësi të plotë. Ishte ajo që duhej të bënim.

Të gjithë jemi shumë të pikëlluar në lidhje me këtë situatë. Lojtarëve iu kam dhënë shpjegimet e mia dhe më kanë mirëkuptuar. Angazhimi i tyre është i plotë dhe nuk kam asnjë dyshim se do të japin gjithçka, pavarësisht kësaj që ndodhi. Federata nuk ka qenë në gjendje të bëjë asgjë tjetër, gjithçka që ka ndodhur, nuk është zgjedhur prej nesh.
Në asnjë rast nuk kemi qenë të informuar, ndërsa paskemi qenë në mëshirën e një negocimi. Pasuesi i Lopetegui? Nuk dimë asgjë për momentin, e vetmja gjë që mund të them është se do të përpiqemi t’i lëvizim gjërat sa më pak që të jetë e mundur. Sapo të dimë diçka, do t’ju njoftojmë”.
Në këtë kohë, opsioni i dyshes Hierro-Celades së bashku, për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të ekipit kombëtar në Rusi po fiton forcë. Kujtojmë se, pas klasifikimit të shkëlqyer të Spanjës për Kupën Botërore, tri javë më parë, Lopeteguit iu ripërtëri kontrata deri në vitin 2020, por tri ditë para debutimit të “La Roja” në Rusi, kundër Portugalisë, ndodhi tërmeti.
Real Madridi njoftoi punësimin e Lopetegui për tri sezone, duke paguar klauzolën e tij të lirimit nga kombëtarja e Spanjës, prej 2 milionë euro. Që atëherë, tensioni ka përshkuar grumbullimin e ekipit kombëtar spanjoll në Krasnodar dhe ngjarjet kanë precipituar deri në arritjen e zgjidhjes përfundimtare, shkarkimin e Lopetegui.

Artikulli paraprakSkandal/ Teza e provimit të Matematikës del dy orë para mbarimit të testit
Artikulli tjetërLigji për Teatrin, grabitje masive e pronës publike, Rama e Veliaj, përgjigjësi penale