Botërori 2018/ Kërcënohet me jetë mesfushori i KolumbisëNga nevrikosja te kërcënimi! Në Kolumbi ka rënë alarmi për sulmet në rrjetet sociale ndaj Carlos Sanchez, “fajtor” për kartonin e kuq të marrë në Kupën e Botës, në minutën e tretë të ndeshjes së humbur kundër Japonisë.
Mesfushori, që luan me Fiorentina në Serie A, ka marrë disa kërcënime me jetë, si me mesazhe në telefon, ashtu edhe në “Instagram” apo “Facebook”, duke i thënë se do të përfundonte si Andres Escobar, mbrojtësi i vrarë në vitin 1994, pas eliminimit të Kolumbisë në Kupën e Botës 2014.
Mesazhet i janë dorëzuar policisë së Kolumbisë, e cila ka nisur hetimet ndaj personave që kanë vepruar në të tillë mënyrë.
Sipas “BLU Radio” edhe Interpol është shqetësuar dhe ka nisur të punojë për mbrojtjen e Carlos Sanchez.
Tjetër skandal në Rusi
Botërori i Rusisë shoqërohet nga një tjetër skandal seksual, që prek tifozet vendase. Përpara pak ditësh, presidentja e Dumës këshilloi vajzat ruse të mos kenë raporte intime me të huaj, apo të racave të tjera gjatë Kupës së Botës.
Ndërsa tani është një kompani e prodhimit të hamburgerëve, që shkakton polemika.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, “Burger King Russia” ofroi 40 mijë euro dhe hamburger falas përjetë, për të gjitha tifozet që ia dalin të ngelen shtatzënë me futbollistët që marrin pjesë në Botëror.
Kaq mjaftoi që të shfaqej indinjata, ndërkohë që vet “Burger King” nuk vonoi dhe e hoqi publicitetin e saj, duke kërkuar edhe ndjesë për këtë gabim.