Botërori 2026

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Kanadaja do të dalin me një kandidaturë të përbashkët për të organizuar Kupën e Botës 2026. Vendimin e bënë të ditur pasditen e së hënës në Nju-Jork drejtuesit e tre federatave që bëjnë pjesë në Konfederatën e Amerikës Veriore, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF).
“Së bashku me partnerët nga Kanadaja dhe Meksika, kemi besim se do të sjellim një kandidaturë shembullore dhe të denjë për ta sjellë Botërorin në Amerikën e Veriut. Veçmas kemi dëshmuar se mund të organizojmë evenimente të mëdha botërore, ndaj nuk ka dyshim që së bashku mund të sjellim një përvojë të shkëlqyer”, u shpreh kreu i Federatës Amerikane, Sunil Gulati.
Kandidatura në fjalë ka mundësi të mëdha për t’u zgjedhur, pasi Europa dhe Azia janë jashtë gare, duke qenë se do të organizojnë dy botërorët e radhës (“Rusi 2018” dhe “Katar 2022”). Amerika e Jugut ka pak mundësi të zgjidhet, pasi organizoi të fundit Kupë Bote (“Brazil 2014”), ndërsa nga Afrika ende nuk ka ndonjë shenjë interesimi.
Botërori i vitit 2026 do të jetë i pari me 48 skuadra dhe 80 ndeshje, të cilat do të ndahen: 60 në SHBA dhe nga dhjetë në Meksikë e Kanada. Në tokën amerikane do të luhen të gjitha takimet nga faza çerekfinale, ndërsa ende nuk është vendosur ku do të zhvillohet ndeshja hapëse.
Meksika priti Kupën e Botës në vitet 1970 dhe 1986, Shtetet e Bashkuara në 1994-ën kurse Kanadaja organizoi Botërorin e femrave në 2015-ën.
Nëse kandidatura e amerikano-veriorëve zgjidhet, Botërori 2026 do të ishte i dyti në histori që organizohet në më shumë se një vend, pas “Kore e Jugut – Japoni 2002”.
Vitin e kaluar FIFA bëri me dije se, kandidaturat do të shqyrtohen nga janari 2019 deri në shkurt 2020, kurse vendimi do të merret në maj të po këtij viti.
Kjo ofertë e përbashkët u bë gjatë ditës së hënë në Manhattan, ku ishin prezentë zyrtarët e federatave të tri shteteve. Ideja e tyre është që të jenë nikoqirë të kampionatit që do të ketë 48 shtete pjesëmarrëse. Për vitin 2026, nuk ka rivalë që dëshirojnë ta marrin përsipër këtë organizim dhe mendohet që këto tri shtetet e Amerikës Veriore do të fitojnë kandidaturën.

Exit mobile version