Botërori i peshëngritjes, Shqipëria del duarbosh

Shqipëria ka mbyllur përfaqësimin e saj në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes me konkurrimin e djeshëm të Kristi Ramadanit dhe Erkand Qerimajt.

Të dy garuan në Baterinë B të kategorisë së peshave 81 kg në eventin që po mbahet në Manama të Bahrejnit, por pa mundur që të lenë gjurmë. Duke e nisur nga Ramadani, 24-vjeçari kaloi me sukses provën e parë me 146 kg në stilin e shkëputjes, për të dështuar në dy provat e tjera me 150 dhe 151 kg, duke e mbyllur këtë stil në vendin e 10-të të Baterisë B. Më tej në shtytje, Ramadani realizoi mjaft mirë provën e parë me 181 kg për të mos u futur më pas në dy provat e tjera, duke u klasifikuar i nënti në bateri. Me 327 kg gjithsej, ai e përfundoi dygarëshin në vend të tetë në Baterinë B, një rezultat shumë larg zonës së medaljeve.

Duke llogaritur renditjen finale për të gjitha bateritë, Ramadani e mbylli i 18-ti në shkëputje, i 17-ti në shtytje dhe i 16-ti në dygarësh. Për sa i përket Erkand Qerimajt, ai i dështoi të tria provat në shkëputje, përkatësisht me dy herë me 155 kg dhe një me 156 kg, duke mos u futur në shtytje, për të mos u klasifikuar në dygarësh. Paraqitje zhgënjyese nga 36-vjeçari kuqezi, i cili për gati dy dekada ka qenë gjithnjë në nivele të larta ndërkombëtare me rezultatet e tij, por pesha e viteve tashmë bën të vetën.

Rezultatin më të lartë të Shqipërisë në Botërorin e Bahrejnit e shënoi Briken Calja, i cili zuri vendin e katërt në shkëputje në peshat 73 kg, duke regjistruar rezultatin 153 kg. Ndërsa shtërmenasi dështoi në shtytje, duke mos kaluar asnjë provë, për të humbur kështu edhe dygarëshin. Një Botëror që duhet të shërbejë si kambanë alarmi për peshëngritjen shqiptare, pasi me Caljen dhe Qerimajn në fund të karrierës, për momentin askush nuk duket gati për të marrë stafetën e këtyre kampionëve.

Artikulli paraprakRrëzimi i Assadit dhe trazirat në Siri/ Antony Blinken pritet të vizitojë Ankaranë, do të takohet me ministrin turk
Artikulli tjetërRefleksionet e shkrimtarit të njohur: Komunistët e Titos që zbritën nga malet të palarë, rrisnin pula në godinën e Bankës Italiane, ndërsa në vaskën e banjos mbillnin majdanoz! S’e njihnin tualetin…