Botërori me 48 skuadra prej 2026

Xhani Infantino ka treguar me detaje planin e tij për të zgjeruar formatin e Botërorit. Presidenti i FIFA-s dëshiron që të bëjë një turne, ku nga 32 kombëtare që marrin pjesë në fazën finale të shkohet në 48 skuadra. Plani është që formati aktual me 8 grupe me nga 4 ekipe të shndërrohet në 16 grupe me nga 3 ekipe, çka do të thotë se grupet do të shkojë deri në gërmën P.
Një lajm i agjencisë AFP raportonte se Infantino dëshiron që ta prezantojë revolucionin e tij në Kupën e Botës, duke nisur nga kompeticion i vitit 2026. Presidenti i FIFA-s do ta dorëzojë propozimin e tij të fundit në takimin që do të mbajë Këshilli i FIFA-s në Zyrih gjatë 9-10 janarit. Anëtarët e Këshillit kanë marrë një rekomandim nga organi qeverisës i futbollit, i cili ka përpiluar 4 formate propozimi, përfshirë edhe atë të Botërorit që do të vazhdojë të jetë me 32 skuadra.
Një tjetër version është ai i një kupe bote me 40 skuadra. Në propozimin e Botërorit me 48 kombëtare, dy skuadrat e para të grupit do të kualifikohen në fazën me eliminim direkt të 1/16-ve. Italiani e hodhi për herë të parë propozimin e ndryshimit të formatit të turneut më të rëndësishëm të futbollit në tetor, duke u argumentuar kritikëve se një kompeticion me më shumë skuadra, jo domosdoshmërisht do të thotë se ai do të jetë më i dobët.
Kupa e Botës u organizua për herë të parë në Uruguaj, në vitin 1930. Në Botërorin e parë morën pjesë 13 kombëtare. Ky numër u rrit në 16 në Kupën pasardhëse të Botës (1934) dhe qëndroi i tillë për 48 vitet e ardhshme. Në vitin 1982, 8 shtete të tjera iu shtuan formatit të finaleve, duke e dërguar numrin në 24 ekipe në total. Për herë të tretë dhe të fundit, formati i zgjerimit të Botërorit u ndryshua në “Francë 1998”, ku u kualifikuan 32 skuadra.
Një grup me 3 skuadra e bën turneun të hapur drejt skenarëve të kompromisit, sepse një rezultat specifik në ndeshjen e fundit në grup do mund t’u shkonte për shtat të dyja skuadrave. Një situatë e tillë ka ndodhur në Botërorin “Spanjë 1982”, e cila sot njihet si “Turpi i Gijonit”, kur Austria dhe Gjermania Perëndimore e dinin se një fitore me një apo dy gola e Gjermanisë Perëndimore do të siguronte kualifikimin e tyre për në raundet me eliminim direkt.

Exit mobile version