Konsiderohej si një ndër garat më interesante të Botërorit, ajo e 200 metrave, gara në të cilën Wayede van Niekirk do të siguronte medaljen e dytë të artë pas asaj të 400 metrave apo Isaac Makwala do të fitonte një medalje të artë përrallore pasi u përjashtua nga finalja e 400 metrave, por asnjë nga këto nuk ndodhi në Botërorin e surprizave.
Kjo pasi ishte turku Ramil Guiyev ai që la pas Van Niekirk dhe atletin nga Trinidad Jereem Richards duke fituar medaljen e tij të parë të artë botërore me kohën 20”09. Kjo është koha më e ngadaltë në këtë garë që nga Botërori i parë i atletikës kur fitonte për Shtetet e Bashkuara Calvin Smith më 1983. Guilyev më parë ka përfaqësuar Azerbajxhanin dhe më 2011 zgjodhi të garonte për Turqinë, por ishte përjashtuar nga garat për vendin e tij adoptiv për 3 vjet. Tani ai i jep Turqisë medaljen e parë të Artë në Botëror. Ishte një fitore vërtet entuziazmuese për talentin premtues, sidomos po të merret parasysh se la pas në vendin e dytë favoritin absolut Van Niekerk që ndjeu lodhjen e garave të shumta në të cilat ka marrë pjesë, kjo ishte e 6 për të në këtë botëror.
Respektoi pritshmëritë ndërkohë gara e kërcimit në trehapësh për meshkuj me Christian Taylor që bëri më të mirën, duke kërcuar 17.68 metra për të lënë pas bashkatdhetarin e tij Will Claye me vetëm 5 centimetra në një finale të klasit të lartë.
Ky ishte titulli i tretë botëror me Taylor pas atyre të Daegu më 2011 dhe në Pekin dy vjet më parë.
Kishte një triumf të dyfishtë amerikan edhe në finalen e 400 metrave me pengesa për femra, por me një fituese surprizë pasi Kori Carter la pas kampionen olimpike Dalilah Muhammad. Carter që garonte në korsinë 9 e mposhti Muhamad, ndërsa atletja nga Xhamajka Ristananna Tracey mori medaljen e bronzit.
Vetëm 24 orë pasi pësoi një zhgënjim të madh duke e lënë benzina kur po kryesonte në metrat e fundit të garës së 400 metrave Shaunae Miller-Uibo nga Bahamas u shfaq në formë të mirë duke fituar në gjysmëfinalen e 200 metrave për të shkuar lehtësisht në finale.
Në garën e 800 metrave për finalen favoritja mbetet afrikanojugorja Caster Semenya që triumfoi në baterinë e saj dhe tani do të synojë një tjetër medalje në këtë botëror pas asaj të bronzit që mori në garën e 1500 metrave.
Rezultat impresionues në Londër ndërkohë në garën e hedhjes së shtizës për meshkuj, me gjermanin Johannes Vetter që me 91.20 metrat e tij shënon rezultatin e katërt më të mirë në të gjithë historinë e kampionateve botërore. Kjo do të thotë se bashkatdhetari i tij dhe njëkohësisht kampioni olimpik në fuqi, Thomas Rohler do të ketë një punë vërtet të vështirë për ta mposhtur në finalen e kësaj të diele ku shumë presin që të fitojë.