Botim i UET-Press, Ngjela: ‘94 solli shkatërrimin e Shqipërisë. Berisha erdhi në pushtet nga kompromisi me Ramiz Alinë

Në 11 shkurt 1991, Spartak Ngjela do të takohej me jetën e tij, në ditën e parë në liri. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, një botim i shtëpisë botuese “UET Press” është një dëshmi e kësaj lirie në të tre volumet e saj. Kjo vepër nuk është thjesht rrëfimi i kujtimeve, por është një analizë e thellë politike, sociale dhe filozofike e shoqërisë shqiptare në momentet e saj më të rëndësishme historike. Në një meditim të gjatë ekzistencialist, filli i jetës së një individi arrin t’i japë një shpjegim dhe shoqërisë së tij, të cilën e ka parë nga lart, nga brenda burgut dhe si pjesë përbërëse normale e saj.

___________________________________

Gjatë vitit 1993 dhe vitit 1994 në Shqipëri po vihej re se kishte lindur një kapitalizëm i pastrukturuar dhe një treg krejtësisht spontan dhe i pakontrolluar me ligj dhe një shtet joinstitucional që vepronte tërësisht me urdhrat e një njeriu. Nga emigracioni, nga trafiqet ilegale, nga kontrabanda dhe nga një sërë veprimtarish të tjera financiare të dyshimta dhe të pakontrolluara, në Shqipëri po kuptohej se kishte hyrë e po hynte ndërkohë një sasi shumë e madhe paraje nga jashtë. Remitancat e emigracionit tani nuk ishin më pjesa e luanit e prurjeve monetare që vinin në Shqipëri; ndonëse emigracioni shqiptar në Perëndim në këtë kohë po afronte te milioni. Po ndodhte një largim masiv i shqiptarëve për në Perëndim dhe në të njëjtën kohë kjo tendencë ishte në rritje. Me gomone, me viza falso, me blerje vizash apo dhe nga kufiri, në këmbë drejt Greqisë, shqiptarët lanë çdo lloj pune këtu dhe iu drejtuan tregut perëndimor të punës. Në Itali dhe në Greqi të gjitha gazetat merreshin me denigrimin e shqiptarëve, e sidomos me krimet që po bëheshin prej tyre, deri aty sa, menjëherë sapo ndodhte një krim, apriori dyshimi hidhej mbi një shqiptar të mundshëm. Kudo flitej keq për shqiptarët në një kohë që në Tiranë drejtonte një qeveri që nuk merrej aspak me këtë problem, me qëllim që të shihte ishte apo jo gjithçka e vërtetë. Në Perëndim, dhe sidomos në Itali dhe në Greqi dallonte se po formohej një disponim antishqiptar, a thua se çdo gjë e keqe që po lindte nëpër ato vende kishte markën shqiptare. Shqiptarët akuzoheshin hapur për prostitucion të organizuar; për trafik klandestinësh dhe për drogë; për krime të ndryshme dhe për vjedhje të popullsisë vendase. Nuk dihet ende mirë nëse ishin të gjitha të vërteta, por ajo që mendoj se është e vërtetë, është fakti që edhe një dorë kundërshtare në këtë zonë, që ka qenë në luftë gjithmonë me shqiptarët, mund ta ketë luajtur këtë reng dhe këtë propagandë antishqiptare. Të paktën ky ka qenë mendimi im në atë kohë aq të trazuar për jetën e emigracionit shqiptar Në të vërtetë shqiptarët kishin dalë të gjithë nga një varr pesëdhjetëvjeçar si të rilindur apo si të shpëtuar nga një e keqe kërcënuese kundër jetës së tyre dhe menjëherë, me këtë dalje nga një ferr, u përballën me një qytetërim të lartë. Ata panë shoqëri shumë të zhvilluara e shumë të pasura. Ata si njerëz që kishin pasur ëndërr një biçikletë në jetën e tyre, që s’kishin as televizion, madje as dhe krevat në shtëpinë e tyre, dolën në një vend si Italia, shoqëria e së cilës i kishte të gjitha. Panë, luks dhe mirëqenie dhe për herë të parë në jetën e tyre u ngopën me një ushqim cilësor, të cilin s’e kishin parë as në ëndërr. Por të gjitha këto ishin elemente psikologjike madje edhe logjike të një analize dashamirëse kundër tyre, dhe nuk mund të ishin argumente normale të një analize e cila prirej me tendencë kundër tyre. Primitivizmi hoxhian që u ishte imponuar shqiptarëve me dhunën e një regjimi politik, nuk kishte pse të mendohej sidomos nga qytetari i thjeshtë italian apo grek, qoftë dhe francez apo gjerman, sepse ai kishte jetën e tij të përditshme dhe nuk donte t’ia dinte për shkaqet e asaj gjendje primitive që shihnin te veprimtaria e paligjshme e shqiptarëve në Perëndim. Madje ata nuk donin as të shihnin se kishte njerëz normalë nga emigrantët shqiptarë: intelektualë të nivelit të lartë që punonin punë të rëndomta se donin të shpëtonin familjet e tyre nga rreziku antiqytetërim që iu ishte imponuar në Shqipëri. Por kjo nuk mund të ishte objekt i atyre që po ndienin shqetësimin, sepse në fakt kjo duhej të ishte objekt i studimit të shtetit dhe e institucioneve shqiptare në Tiranë. Por ata heshtnin dhe nuk e kishin fare në axhendën e tyre këtë aspekt të veprimtarisë politike. Madje në këtë frymë kundër shqiptarëve në të gjithë Perëndimin qeveria shqiptare nuk donte që të “ngatërrohej fare”. Realisht shqiptarëve iu kishte rënë për hise një President absolut që nuk dihej se çfarë donte të krijonte në Shqipëri: zhvillim apo shkatërrim, dhe në të njëjtën kohë edhe një qeveri që nuk kishte absolutisht zërin e saj, sepse drejtohej me dorë të hekur nga Presidenti. Por shqiptarët në të njëjtën kohë, të lënë në mëshirë të fatit dhe pa asnjë mbrojtje brenda vendit, patjetër që donin të jetonin, dhe për të jetuar do të kërkonin punë jashtë shtetit. Të flisje në atë kohë për punë në Shqipëri është njëlloj sikur të flisje për një gjë që nuk ekzistonte. Puna ishte mbyllur përfundimisht dhe shqiptarët brenda vendit jetonin ose me tregti, ose duke punuar në shërbime, me menaxhim kioskash ose kafenesh spontane të cilat po ngriheshin kudo në të gjitha qytetet e vendit. Gjendja ishte krejtësisht paqësore dhe shumica e njerëzve të thjeshtë jetonin me paratë që iu dërgonin të afërmit e tyre që kishin vajtur për të punuar nëpër Europë. Atje kishin shkuar profesionistë zanatçinj, të cilët në atë nivel të lartë që ishin atëherë pagat në Greqi dhe në Itali filluan të pasurohen dalëngadalë, por edhe të mbajnë në Shqipëri familjet e tyre me një të ardhur fikse. Të gjithë atëherë donin të kishin një njeri që do t’i mbante me të ardhura nga jashtë shtetit. Edhe fshati, edhe qyteti ishte shtyrë të mendonte e të vepronte kështu. Dhjetëra mijëra fshatarë të varfër punonin punë të rënda në Greqi dhe paguheshin në të zezë, por paguheshin shumë mirë. Në Athinë dëgjoje të flitej shqip e po kështu edhe në Selanik e në çdo qytet të Greqisë. Në fakt, Italia dhe Greqia i kishte hapur dyert për klandestinët shqiptarë dhe ata në pjesën dërmuese të tyre punonin në të zezë, por punonin dhe mbanin edhe familjet e tyre në Shqipëri. Ky ishte tregu shqiptar, një konglomerat i çuditshëm që të kujtonte ato qytetet shtete të Azisë në vitet e para të kapitalizimit të jetës së tyre me anë të punës dhe parasë të kolonizatorëve, të cilët i kishin parë se mund të ishin pika interesante të zhvillimit të tregtisë nëpër të gjithë Azinë. Por më shumë Shqipëria e atyre viteve të ngjante me një vend që nuk kishte një plan zhvillimi, por që po zhvillohej financiarisht sepse qytetarët e saj të guximshëm kishin sakrifikuar për të punuar në të zezë në Europën e zhvilluar, për t’u marrë me të gjitha llojet e tregtisë së paligjshme, me prostitucion dhe me drogë, dhe sillnin e sillnin në Shqipëri para, por që kjo para ishte krejtësisht e pamundur që të vihej në lëvizje për zhvillimin kombëtar, sepse kishte dy të këqija të mëdha: ishte një qeveri që nuk e kuptonte dot se duhej të krijonte një skemë prodhimi në Shqipëri, dhe një popullsi që e kishte humbur krejtësisht besimin se mund të krijohej një jetë e qetë dhe me mirëqenie në Shqipëri. Të dyja këto, sigurisht që do të krijonin paralizën e punës në Shqipëri, dhe parazitizmin e të rinjve që deshën të punonin, por që nuk mund të gjenin dot një punë të përshtatshme. Kishte gjithashtu edhe një politikë fyese e denigruese kundrejt individëve të ditur, që shqiptarëve iu kujtonte hoxhizmin, por edhe i shtynte të mendonin se të gjithë njëlloj janë: shqiptarë. Kjo sigurisht nuk ishte e vërtetë, por gjithsesi shqiptarët kishin rënë sërish në një pushtet retrograd që donte të fyente, të poshtëronte dhe, me forcën e krijuar ta mbante pushtetin për një kohë të gjatë. Por ajo që pyesja në ato çaste ishte një pyetje e thjeshtë dhe e vjetër sa vetë fjala: përse e donin pushtetin këta njerëz?

Megjithatë viti 1994 do të hyjë në historinë e Shqipërisë si viti që në fakt solli shkatërrimin e saj, por në vitin 1997. Ishte një vit me shumë të papritura dhe kërcënues, nga një president që nuk kishte asnjë dozë mirësie për popullin e vet. Berisha kishte ardhur në pushtet si pasojë e një kompromisi që ai vetë pat bërë me Ramiz Alinë, dhe pastaj, pasi e përdori këtë hap të parë për të gjetur veten, u bashkua me një radikalizëm fals, dëboi të gjithë liberalët nga Partia Demokratike, dhe i mbeti në dorë një shtet që nuk dinte të bënte asgjë. Por ishte me fat se vetë shqiptarët po e mbanin shoqërinë për të mbijetuar dhe për të krijuar një jetë të përshtatshme dhe për të jetuar shumë herë më mirë se jeta që iu pati imponuar komunizmi dhe hoxhizmi në të gjithë kohën e gjatë të pushtetit të tij. Pushteti Berisha përgjatë vitit 1992 dhe gjysmës së vitit 1993 ishte ende një pushtet i paformuar që nuk dihej sesa do të vijonte dhe sesi do të vazhdonte rrugën e vet në një demokraci e cila ende nuk po dihej sesi do të vinte. Që në fillim ai u përplas me shqiptarët që pasi e rrëzuan në korrik të vitit 1992, nuk po e linin që të vendoste një regjim tiranik të padiskutueshëm. Ndërkohë, sikurse e kam shprehur, kishte dalë një parti e re opozitare, Aleanca Demokratike, dhe një gazetë e re opozitare që godiste vetëm Sali Berishën. Forcat liberale ishin të grupuara shumë mirë dhe po ua dilnin që të krijonin një lloj tjetër opozicioni i cili po e shpëtonte Shqipërinë sërish nga një lojë tiranike që i kërcënohej me anë të Sali Berishës dhe grupit të tij radikal, i cili nuk ishte aspak në gjendje që ta kundërshtonte ose ta sugjeronte. Por pikërisht në këtë kohë, pasi liberalët ishin përzënë nga Partia Demokratike dhe kishin krijuar partinë e tyre, Aleanca Demokratike, brenda radikalizmit të Berishës filloi përpjekja për ta rrëzuar. Po ndodhte ajo që pritej: radikalët që nuk kishin pasur asnjë program, por që ishin shumuar dhe i patën dëbuar liberalët nga PD, dolën hapur për të krijuar një parti të tjetërllojtë, me një radikalizëm që në fakt e kishte bezdisur deri në ekstrem shoqërinë shqiptare. Berisha tani e dinte se e kishte kaluar masën e vet në opinionin publik me një radikalizëm të vjetër në ide, por i ishte dashur vetëm për të larë hesapet me liberalët. “Mbeturinat historike” e kishin ngrënë këtë reng, dhe tani që ai donte ta kthente në funksion të së ardhmes së tij, ata u gjendën krejt të pambrojtur. Megjithatë, radikalët e djathtë luftën brenda Partisë Demokratike po e bënin shumë të ashpër dhe pafarë kompromisi – tërësisht djathtas. Berisha po gjendej midis dy zjarresh: opozicioni socialist që po kërkonte të përfitonte nga gabimet trashanike të Berishës; nga Aleanca Demokratike që posa kishte dalë, nga një gazetë opozitare e një niveli të kënaqshëm liberal, siç ishte “Koha Jonë”, dhe, nga vetë fluksi që e kishte mbajtur si lider në Partinë Demokratike, por që tani po kërkonte ta largonte njëlloj si liberalët. Ishte Uran Kalakula, që mori në dorë degën e partisë së Tiranës, dhe Abdi Baleta që ishte bërë ndërkaq një nga figurat e përkrahura të së djathtës demokrate që jetonte brenda Partisë Demokratike. Të dy këta, bashkë me të djathtën demokrate e cila nuk kishte pasur një program, por që befas nxori në skenë këto dy figura, filluan ta godisnin Berishën nga brenda programit të partisë së tyre pikërisht te pronat. Në fakt ata kishin kapur një gjë të drejtë e cila duhej rregulluar sa më shpejt, por rregullimi i kësaj çështjeje binte ndesh me pushtetin e Sali Berishës. Asnjëherë nuk do të dihet realisht se përse Sali Berisha iu kundërvu hapur dhe gjithmonë restituimit të pronës në Shqipëri. Ai nuk e dëshiroi kurrë kthimin e pronës te pronarët e shpronësuar përgjatë komunizmit, por asnjëherë nuk dha një argument të saktë. Kishte qenë i varfër dhe donte edhe ai pronë të vetën, kjo mund të ishte një tendencë e brendshme e inkoshientit apo koshientit të tij, por që nuk është e mjaftë për ta arsyetuar si motiv kryesor të mbylljes së tij në një skemë inefiçente e cila do të shkatërronte përfundimisht shoqërinë shqiptare. Në të vërtetë, rikthimi i pronave me presionin e së djathtës demokratike e detyroi Sali Berishën që ta nxirte një ligj për kthimin dhe kompensimin e pronave që në vitin 1993, por në atë ligj as që u fol fare për kthimin e tokës bujqësore. Ishte një mangësi e madhe e cila po i detyronte shqiptarët që të hynin në hullinë e një përplasje shumë të ashpër të pronësisë, dhe ta detyronte shtetin shqiptar që të mbetej edhe i pafuqishëm, edhe i paaftë që ta argumentonte përpara të huajve sesi do ta zgjidhte çështjen e pronësisë në Shqipëri. Ishin të shumtë ata atëherë që nuk e kuptonin aspak këtë çështje si një çështje zhvillimi, por e shihnin si një çështje morale, sepse duhej bërë pasi e kishte zhbërë komunizmi. Por ky lloj argumenti as që vlente për t’u marrë në konsideratë, sepse në nocionin juridik të pronës, përderisa kishte rënë një pushtet etatist kolektivist i gjithi me pronë shtetërore, atëherë sistemi i ri që po ngrihej patjetër duhej të bënte restituimin ose kthimin e pronës te pronarët e shpronësuar. Ky ishte një fenomen që kaloi në të gjithë Europën Lindore dhe Qendrore dhe sigurisht se kështu duhej të kalonte edhe në Shqipëri. Por këtu pati një ngecje e cila erdhi kryesisht nga mangësitë juridike që kishte Sali Berisha dhe kryeministri i atëhershëm shqiptar, të cilët nuk kishin mundësi ta kuptonin se pa u sistemuar si e regjistruar prona nuk kishte dot një vlerë juridike, dhe si e tillë nuk kishte as vlerë ekonomike. Toka është e vetmja pronë e cila krijon gjithçka në lidhje me zhvillimin e një shoqërie, dhe në një sistem privat, ajo duhet të jetë e regjistruar në mënyrë që të dalë në treg. Nëse toka nuk del në treg ajo nuk është as pronë dhe as një send juridik. Duke mos qenë e tillë, ajo nuk mund të krijojë vlerën e tregut, dhe të prodhimit të saj, prandaj kuptohet se shoqëria do të rrijë e bllokuar në substancën e saj prodhuese. Kjo ishte logjika arsyetuese në fuksion të zhvillimit dhe që lidhej me çështjen e restituimit në Shqipëri. Kurse Sali Berisha dhe pushteti i tij nuk e shihnin këtë kështu, por thjesht një “ çështje morale”. Prandaj, në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, ata u morën vetëm me pasuritë e paluajtshme brenda qyteteve, truall apo ndërtim, shtëpi ose pallate, dhe as që iu shkoi në mendje që të nisnin në fakt e të bënin një reformë agrare me kompilimin e tendencave të interesit: pronarë të rinj tokash, dhe pronarë të vjetër tokash. Në fakt e gjithë opozita e djathtë brenda Partisë Demokratike po e kërkonte këtë gjë. Petrit Kalakula ishte në fakt një ekspert i bujqësisë dhe e njihte shumë mirë zhvillimin e fshatit dhe të fermave në Shqipëri. E njihte shumë mirë edhe historinë e pronës në shoqërinë shqiptare, vinte nga shtresa e persekutuar e komunizmit, ishte deputet dhe kishte bërë shumë përpara në karrierën politike. Kishte edhe mbështetësit e tij dhe po avanconte për të sjellë në PD një frymë të re të djathtë. E gjithë kjo po shihej si të ishte një lëvizje e hapur kundër Sali Berishës, i cili tani po ndiente edhe trysninë brenda vetes, njëlloj sikurse e kishte ndierë edhe nga liberalët që pati përjashtuar në vjeshtën e vitit 1992. Koha po fliste me të njëjtën gjuhë, dhe konflikti me Sali Berishën brenda Partisë Demokratike ishte, por i së njejtës natyrë. Tani dukej se ishte vonë. Radikalët kishin gabuar rëndë: ata gabimisht menduan se në funksion të programit të tyre më të lehtë do ta kishin me Berishën sesa me Pashkon, Imamin dhe me liberalët e tjerë. Në të vërtetë ishte e kundërta, sepse liberalët e përjashtuar nga Parti Demokratike nuk ishin përplasur me Sali Berishën për programin e partisë, por për tendencën e tij tiranike e cila nuk duhej lënë që në fillim. Tek ajo parti ndodhi ajo që ka ndodhur kudo ku ka pasur një tendencë për pushtet absolut. Një palë ka dashur ta frenojë, kurse një palë tjetër është përpjekur për ta mbështetur absolutizmin, sepse ashtu i është dukur se ka qenë më në interes të tyre. Por në fakt, ky është defekti kryesor i shoqërive të pazhvilluara ku një vullnet dominon mbi të tjerët, dhe, në këto konflikte të brendshme, një pjesë është bashkuar gjithmonë me autokratin që ka dashur të vërë në dorë të gjithë pushtetin. Tani që Sali Berisha e kishte shtënë në dorë të gjithë pushtetin, ishte pamundësi që këta radikalë ta rrëzonin atë. Ata ishin të falimentuar, sepse të tillë kishin qenë që në mbledhjen e konventës historike që kishte përjashtuar liberalët nga partia. Por në atë kohë, pasioni i verbër që ata kishin dhe kompleksi kundrejt liberalëve, nuk i lejonte që të mendonin politikisht. Kishte ardhur koha që ata të paguanin haraçin e gabimit të tyre, i cili në fakt, nuk iu kushtoi vetëm atyre, por të gjithë Shqipërisë në njëzetë vjet rresht./liberale.al

Exit mobile version