Botimi i ri “Në emër të gjakut”, Ahmet Prençi: Ja kujt ia dedikoj

Rudolf Marku: Një libër për të arritur katarsisin tonë kolektiv

Nga Mina HYSA

Ahmet Prençi është një emër i njohur gjerësisht si një profesionist dhe garant i zbatimit të ligjit ku në detyrat që ka mbajtur i ka përmbushur ato me korrektesë maksimale duke lënë pas një emër të mirë tek qytetarët shqiptarë për ta pasur si imazh, si ikonë të një zyrtari shembull se di si shërbehet në institucionet e shtetit. Fal të qenit punëtor, vitet e fundit z.Prençi fal talentit dhe krijimtarisë së tij cilësore ka surprizuar shumë duke spikatur dukshëm dhe u konsoliduar si njeriu i letrave shqipe. Duke qenë autor i disa botimeve ku me dy romanet e fundit “Anja” dhe “Prenga e Prokurorit” ka patur një sukses të jashtëzakonshëm fal interesit të lexuesit, nga sot (4 qershor) autori vjen me një tjetër botim të tij. Ka qenë fillimisht shtëpia botuese Mediaprint e cila ka njoftuar librin më të ri të z.Prençi e me pas autori në rrjetin social Facebook shkruan: – “Të nderuar miq! Sapo doli nga shtypi vëllimi im i ri me tregime e novela “ Në emër të gjakut”. Një falenderim zemre për Shtëpinë Botuese Mediaprint dhe Elda Vela, redaktoren Silvana Farruku dhe mjeshtrin e grafikës Elsi Kongo për punën e bukur me shumë përkushtim. Mirënjohje pa kufi poetit, përkthyesit, studiuesit dhe shkrimtarit të dashur Rudolf Marku që lexoi në dorëshkrim librin dhe e përcolli atë drejt lexuesit me një parathënie brilante”.

Dorëshkrimi i Rudolf Marku për vëllimin me tregime e novela “Në emër të gjakut” të Ahmet Prençit

Kalimi i një romancieri prodhimtar tek tregimi i shkurtë është si vendimi jo aq i papritur i një udhëtari të distancave të gjata për të ecur mespermes një shtegu më të shkurtë- është po ai udhëtar që ecën më të njëjtin hap, veçse me një ritëm të ndryshëm, më të matur, duke dashur t’i jap më tepër kohë vetes që të shoh më imtësisht peizazhin e vendeve nga është duke ecur, duke vëzhguar detajet paksa më me nge, duke i shqyrtuar tiparet e njerëzve që ndesh më me kureshtje…Kështu më duket se ka ngjarë dhe me Ahmet Prençin, i cili sidomos pas dy romaneve që tërhoqën vëmendjen e lexuesit të gjerë dhe të kritikës letrare, pasuar madje dhe me botime në gjuhë të huaja, shfaqet këtë herë me një vëllim me tregime…Është, natyrisht, i njëjti autor i ‘Brenga e Prokurorit’ dhe ‘Anja’-s, këtë radhë veshur me rrobat e një tregimtari…
Libri me tregime që kemi në duar është konstruktuar si një bashkësi tregimesh (në pjesën më të madhe) me ngjarje nga e njëjta periudhë dhe nga e njëjta atmosferë e asaj pjese të Historisë tonë, sa tragjike, aq dhe e dhembshme dhe herë- herë dhe groteske, e vitit 1997. Një çast historik që mund të na kishte shërbyer si një letër lakmus plot dhembje për të zbuluar ca të vërteta thelbësore për shoqërinë tonë dhe për vetë ne, shqiptarët. Por mbetur një çast historik çuditërisht i shmangur me kujdes nga shumica e krijuesve tanë, për të mos shërbyer si material i dorës së parë për ta pasqyruar në letërsi.
Autori i këtij libri ka vendosur të flas- përmes gjuhës artistike të tregimit- për ca të vërteta të hidhura, për ca karaktere njerëzore që janë pjesë e jona, për ca ngarje që shumë kush nga ne nuk do t’i donte t’i kujtonte, po ashtu si ca njerëz që do të donin të mos shihnin veten në një fotografi kapur në një moment të shëmtuar dhe kompromentues.
Atmosfera e tregimeve si ‘Në emër të gjakut’ apo ‘Ditari i Marsit të zi, ‘Pallati Presidencial që nuk ra’ dhe ‘Masakra e Romëve’ më kanë kujtuar tregimet e një tregimtari të klasit më të lartë të letersisë botërore, Isak Babelit dhe tregimet e tij nga Libri ikonik ‘ Kavaleria e Kuqe’- i njëjti intensitet i shkrirjes në një të skenave makabre me humanizmin e thellë të fshehur kujdes-shëm, të autorit. Tregimet e Ahmet Prençit në këtë libër na flasin nga një e kaluar jo shumë e largët, por që mbartin peshën e rëndë të tragjedisë tonë si komb, atë lehtësinë tonë të dëshirës vetëshkatërruese, por dhe fisnikërinë e guximshme të ca njerëzve të paktë, por të mjaftueshëm për shpresën tonë të ringjalljes.
Një libër që duhet lexuar me kujdes, për të arritur katarsas-in tonë kolektiv, qoftë dhe përmes një libri si ky, me tregimet e shkrimtarit tashmë të njohur e të respektuar si Ahmet Prençi.

Ja kujt ia dedikon autori Ahmet Prençi këtë
botim: 1997 – Viti që e la Shqipërinë pa frymë

Ka vite që nuk ikin kurrë. Rrinë aty, në pragun e ndërgjegjes, si hije që s’kanë ndërmend të lëvizin. Të ftohta, të errëta, me sy të kuq si zjarri i shtëpive të djegura. 1997-ta është një prej tyre.
Ishte viti kur Shqipëria u drodh nga themelet, dhe toka nën këmbë u bë e lëngshme, si gjaku që u derdh pa cak, si besimi që u shkatërrua pa mëshirë. Viti kur shteti u rrëzua si një kështjellë e lodhur letre. Kur pushka u bë ligj dhe frika flamur.
Në atë vit nuk kishte më ditë të zakonshme. As netë të qeta. Kishte vetëm pritje. Pritje për diçka më të keqe, për një krismë, për një emër të ri në listën e të vrarëve dhe të humburve. Kishte zëra që nuk flisnin më. Fëmijë që nuk qanin më. Nënat që shikonin qiellin, pa e ditur ç’t’i luteshin më Zotit.
1997-ta nuk është vetëm një kohë e kaluar. Është plagë e hapur. Është një e vërtetë që rri pezull mbi çdo qetësi, e gatshme të shpërthejë sërish nëse harrohet. Ky vëllim nuk është vetëm një grumbull rrëfimesh. Është një dëshmi. Është ulërimë e shuar në letër. Është përpjekje për të mbajtur mend, kur gjithçka rreth nesh na mëson e dikton të harrojmë.
Diku në faqet e këtij libri do të gjeni edhe dashuri që koha i vrau pa u nisur, heshtje që rëndojnë më shumë se armët, fëmijë që u rritën me të shtëna si ninullë. Por gjithçka kthehet sërish tek ajo stinë pa ndjesi, tek ai vit që e la Shqipërinë pa frymë.
Lexoni këtë libër për të mos harruar kurrë dhimbjen. Lexojeni që ta mbani mend. Sepse harresa është fillimi i përsëritjes.

Dedikimi
“Rrëfime në emër të gjakut” është një kujtim, një përulje dhe një zë që s’do të shuhet. U kushtohet oficerëve të policisë që u flijuan dhe atyre që mbijetuan me plagë të heshtura. E shkrova me respektin dhe mallin e një bashkudhëtari, që ka ndarë me ta disa vite shërbimin, dhimbjen dhe heshtjen. Autori

Artikulli paraprakGoditja e 3-të për Putinin, Ukraina zbulon sekretet e bombarduesve strategjikë të Rusisë
Artikulli tjetërQoftë edhe një mandat i vetëm i fituar në mënyrë të jashtëligjshme, e bën të gjithë procesin zgjedhor të manipuluar