Botuesja e ministres së Ramës kërcënon me burg gazetarët

Në një artikull të ditës së premte të botuar në exit.al trajtuam çështjen e teksteve dixhitale që do të përdoren nga nxënësit e 60 shkollave në vend, të cilat janë përcaktuar si shkolla dixhitale në kuadrin e një programi pilot për futjen e shkollimit përmes teknologjisë dixhitale. Artikulli ngrinte një sërë problemesh në lidhje me procesin e përzgjedhjes së këtyre teksteve, të cilat  prekin cilësinë e tyre dhe, si rrjedhim, të shkollimit të fëmijëve.
Artikulli ofronte, përgjithësisht, fakte, ngrinte pikëpyetje mbi to dhe jepte opinione. Ndërsa informacioni që ne sillnim mund të linte shteg dyshimesh për favorizime apo parregullsi në proces, vetë artikulli nuk akuzonte për veprime korruptive apo abuzive, duke mbetur brenda gardhit të ngritjes së pikëpyetjeve për veprimet e Ministrisë së Arsimit. Përveç ministrisë, shkrimi përmendte një kompani prodhimi librash shkollorë—Shtëpinë Botuese “Albas”, e cila ka botuar të paktën dy tekste shkollore me bashkëautore Ministren e tanishme të Arsimit, para se ajo të bëhej ministre.
Shkrimi shprehej se “Albas” kishte përfituar nga një ndryshim i pajustifikuar i kritereve të konkurimit nga Ministria e Arsimit, ndryshim i cili lejoi që për variantin dixhital të konkuronin edhe tekstet që nuk ishin përzgjedhur në variantin e shtypur. Shkrimi ynë informonte se kompania “Albas” kishte dalë fituese nga konkurimi për, pothuajse, të gjitha lëndët që kishte konkuruar, madje për disa lëndë si tekst i vetëm i përzgjedhur nga ministria. Po ashtu, informonte se tekstet dixhitale ishin vendosur të përdoreshin edhe nga klasa që nuk janë pjesë e programit pilot të shkollimit dixhital, që do të thotë se botuesit do të shesin më shumë tekste të tilla edhe pse mësuesit jashtë programit pilot mund të mos jenë të aftësuar me këtë mënyrë të re mësimdhënieje.
Shkrimi nuk sillte shifra, por disa nga të dhënat janë si në vijim: duke përjashtuar programet dixhitale të gjuhëve të huaja, për të cilat Ministria ka zgjedhur, në mënyrë të lëvdueshme, metoda të sukseshme ndërkombëtare, “Albas” është përzgjedhur si tekst dixhital për 17 lëndë nga 23 gjithsej (nuk e dimë nëse ka konkuruar në 6 lëndët që nuk është zgjedhur). Në lëndët që ka fituar, katër herë është përzgjedhur si e vetmja alternativë dhe 12 herë të tjera si një nga vetëm dy alternativat që ju propozohen shkollave—çdo shkollë, pastaj, është e lirë të vendosë vetë cilin tekst nga alternativat e ministrisë do të përdorë.
Në të vërtetë, së bashku me “Albas”, fituese e teksteve dixhitale, pothuajse, në të gjitha lëndët është edhe një tjetër shtëpi botuese, të cilën artikulli nuk e kishte përmendur. E vetmja arsye pse zgjodhëm të përmendnim kompaninë “Albas” ishte sepse kishim dyshime të arsyeshme për konflikt të mundshëm interesi në rastin e saj, për shkak të lidhjes së hershme të kompanisë me Ministren e Arsimit.
Ky dyshim na u përforcua nga fakti se “Alba”s është përfituesja kryesore nga ndryshimi i kritereve të konkurimit nga bashkëpunëtorja e dikurshme e saj në biznes, Ministrja e tanishme e Arsimit; si dhe nga fakti i pa përmendur në shkrim se në rastet kur shkollat kanë zgjedhur vullnetarisht të përdorin tekste dixhitale—pra, jashtë programit të detyrueshëm pilot (nuk dihet sa e lejueshme është kjo gjë)—ato kanë zgjedhur, pothuajse, gjithmonë tekstet dixhitale të kompanisë “Albas”.
Në lidhje me këtë dyshim, duhet sqaruar se ligji ynë njeh si konflikt interesi jo vetëm konfliktin faktik të interesit, pra rastin kur realisht ka konflikt interesi, por edhe konfliktin e perceptuar të interesit, pra, rastin kur mund të perceptohet se njëra nga palët në vendim-marrje ka interesa që bien ndesh me detyrën pubike. Për të krijuar një ide, kushdo që dëshiron mund të konsultojë Ligjin Nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, sidomos Nenin 5 e veçanërisht pikën e) të këtij neni.
Por pak orë pas botimit të artikullit tonë reagoi kompania “Albas”, e cila me anë të një mesazhi elektronik, na njoftoi të shtunën paradite se ajo do të dorëzojë kundër nesh “në Dhomën Penale të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë për shqyrtimin e veprës penale të shpifjes, që redaksia [jonë] ka konsumuar në shkrimin ‘Vera klienteliste e teksteve shkollore dixhitale’, shkrim i cili ndikon negativisht në imazhin e Sh. B. “Albas” dhe i shkakton asaj një dëm ekonomik të konsiderueshëm.” Pavarësisht vendimit të kompanisë “Albas”, ne jemi të bindur, mbështetur në informacionet që kemi, se artikulli nuk ka asnjë pasaktësi faktike; nuk përmban akuza apo shpifje, e aq më pak të qëllimshme; dhe nuk shkel standartet etike të gazetarisë. Mbi të gjitha, e vetmja palë mbi të cilën ngrihen pikëpyetje dhe dyshime në artikull është Ministria e Arsimit dhe jo kompania Albas (shpresojmë që veprimet e “Albas” të mos jenë të nxitura dhe të mos bëhen vetëm për të mbrojtur Ministren e Arsimit).
Për këtë arsye, ne i qëndrojmë artikullit të botuar dhe mendojmë se veprimi i kompanisë Albas është i pamotivuar dhe i ngutur. Nga ana tjetër, ne mendojmë se është qesharake që Albas e “di” paraprakisht se artikulli jonë do t’i “shkaktojë asaj një dëm të konsiderueshëm ekonomik”, sikurse është shprehur në njoftimin për ne. Nga ana tjetër, ne dëshirojmë t’i japim këshillim ligjor falas kompanisë duke e informuar se në Kodin Penal të vendit nuk përfshihet vepra e “shpifjes” nga gazetarët, “vepër” mbi të cilën Albas ka njoftuar se do na akuzojë në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës. Sigurisht, Albas mund t’i drejtohet Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës për të njëjtën akuzë.
Në emër të të gjithë atyre që shkruajnë në exit.al—që të gjithë kontribues vullnetarë, pa pagesë, të cilët shkruajnë vetëm për t’i shërbyer të mirës publike, ndërkohë që paguajnë taksa me një pjesë të të cilave paguhen e fitojnë kompani si “Albas”—i kërkojmë Kryeministrit të shqyrtojë nëse Ministrja e Arsimit ka vepruar në konflikt interesi në rastin e kompanisë “Albas”. Shqyrtimin e tij ta shtrijë për të gjithë marrëdhënien ministri-“Albas” nga viti 2013 deri më sot.
I kërkojmë, gjithashtu, Kryeministrit të verifikojë mbi ç’bazë ligjore dhe arsyetim administrativ, teknik dhe ekonomik, Ministrja e Arsimit ndryshoi, në mes të procesit, kriteret fillestare të konkurimit për tekstet dixhitale, duke u dhënë të drejtë të konkurojnë teksteve që nuk ishin përzgjedhur në variantin e shtypur—duke lejuar që nxënësit e shkollave dixhitale të punojnë me tekste që vetë Ministria e Arsimit nuk i gjykoi mjaftueshëm të mirë për dhjetra mijëra nxënësit e shkollave të tjera, jodixhitale. I drejtohemi gjithashtu publikisht Prokurorisë së Tiranës të hetojë nëse Ministrja e Arsimit ka vepruar në konflikt interesi—faktik, të perceptuar apo të mundshëm—duke zbardhur, ndër të tjera, marrëdhëniet kontraktuale të saj me shtëpinë botuese Albas, si dhe nëse në këtë marrëdhënie janë respektuar të gjitha ligjet, përfshi detyrimet fiskale.
Gjithashtu, duke qenë se nga të dhënat publike që kemi zbuluar duket se ka veprime të dyshimta jo vetëm këtë vit por edhe në vitet e shkuara, i kërkojmë Prokurorisë të Tiranës të hetojë të gjithë procesin e prokurimit të teksteve dixhitale nga Ministria e Arsimit për të gjitha vitet, përfshi verifikimin e dyshimit se konkurset për tekstet dixhitale mund të kenë qënë konkurime praktikisht fiktive.
Në fund, një shënim të lidhur, por  të një natyre tjetër. Rregullat zyrtare të drejtshkrimit, miratuar në një kongres shtetëror të fillim viteve 1970-ë, kërkojnë që të përdoret forma “digjitale” në vend të “dixhitale” për termin që në shqip, mirëfilltas, duhet të ishte përkthyer si “shifrore”. Ne të exit.al mendojmë se gjuha është një gjë e gjallë, e cila evolon, dhe rregullat drejtshkrimore duhet ta respektojnë këtë  zhvillim. Prandaj, në vend të variantit shtetëror “digjital”, ne kemi vendosur t’i qëndrojmë “dixhitales”, e cila ka fituar gjerësisht të drejtën e qytetarisë në të folurën e përditshme të shqipfolësve brenda dhe jashtë vendit.

Denoncimi për aferën me tekstet digjitale

Viti i ri shkollor fillon në shtator. Zyrtarisht, Ministria e Arsimit dhe e Sporteve ka kërkuar me anë të një udhëzimi më datën 30 maj 2016 tekste digjitale të cilat duhet të dorëzoheshin me datën 10 korrik 2016. Pra, librat duhet të bëheshin nga fundi i muajit maj deri në javën e parë të muajt korrik. Në këtë konkurs të tekstit digjital do të merrnin pjesë vetëm fituesit e konkursit të librit fizik. Për shembull, nëse një shtëpi botuese kishte fituar konkursin për librin fizik të matematikës kishte të drejtë të merrte pjesë edhe në konkursin digjital, për të krijuar një variant digjital të librit të tyre. Një pjesë e shtëpive botuese reaguan ashpër ndaj këtij udhëzimi të nxituar të Ministrisë së Arsimit, duke i mëshuar faktit se është realisht e pamundur që të krijohet një libër për 5 javë.  Më datën 8 korrik, Ministria shpalli fituesit e konkursit të librit fizik dhe kërkoi që të gjithë botuesit fitues të dorëzojnë libra digjitale me datën 10 korrik. Por, për arsye të këmbënguljes së botuesve për këtë afat të pamenduar, Ministria më 14 korrik vendosi që të hedhë në faqen në rrjet një shkresë, pa lajmërim, e cila informonte që konkursi për librat digjitale shtyhej për më 21 korrik.  E bindur në atë që donte të realizonte, me datë 14 korrik Ministria nxori një udhëzim të ri me të cilin shfuqizoi një fjali nga Udhëzimi i datës 30 maj. Më konkretisht, shfuqizoi fjalinë që fton në konkursin e tekstit digjital vetëm shtëpitë botuese që kanë fituar librin fizik. Pra, u dha mundësinë edhe botuesve jofitues që të merrnin pjesë në një konkurs të ri. Nëse një libër është gjykuar jo i përshtatshëm me programin dhe nuk ka fituar konkursin, si mundet atëherë që të jetë “i përshtatshëm” në variantin e tij digjital? Sido që të jetë, ky lëshim, tërësisht i padrejtë, u dha hapësirë disa prej shtëpive botuese, përfshi atë “Albas”, të hynin sërisht në konkurs me libra, të cilat ato i kishin humbur. Madje, ndryshe nga herët e tjera, Ministria e Arsimit nuk i njoftoi më botuesit siç bën zakonisht, por vetëm nxorri njoftimin zyrtar në faqen e saj. Pra, “Albas”, shtëpia botuese për të cilën ka punuar vetë Zonja Ministre si autore tekstesh para se të bëhej ministre u lajmërua posaçërisht kurse të tjerëve duhet t’ju shkonte mendja të kontrollonin faqen e Ministrisë në rrjet për të marrë vesh qëndrimin e ri të Ministrisë. Dhe, natyrisht, kjo shtëpi i përfundoi librat digjitalë, (të cilët ishin jofitues në konkursin e librit fizik) për dy javë. E ç’mund të themi për këtë konkurs? Një konkurs ku për disa lëndë/tekste digjitale kishte vetëm nga një konkurent. Këta ishin botues që krijojnë libra për dy javë dhe pikërisht një libër që komisionet vlerësuese anonime e kanë gjykuar jofitues. Por për fat të keq, çuditë nuk mbarojnë me konkursin dhe fituesit e tyre. Pas konkursit, përpos zhgënjimit të të gjithëve, Ministria nxorri më datë 30 gusht në mbëmje një udhëzim të ri me anë të të cilit u njoftuan të gjitha drejtoritë arsimore dhe shkollat e vendit që më datë 31 gusht, pra të nesërmen, do të ndodhte përzgjedhja e teksteve digjitale në 60 gjimnazet më të mira te vendit, duke nxjerrë tërësisht jashtë loje tekstet fizike, pra tekstet normale. Duhet sjellë në vëmendje se për disa lëndë, katalogu i teksteve digjitale përmban tanimë vetëm një alternativë dhe, në shumicën e rasteve, atë të Shtëpisë Botuese “Albas”. Pra, gjithë librat e tjerë dalin jashtë loje dhe konkursi i librit fizik del që paska qenë krejt i pavlerë, sepse tanimë Ministria e Arsimit futi në fuqi librin digjital të përfaqësuar nga pothuajse vetëm një shtëpi botuese. Raportime nga rrethe të ndryshme të vendit si edhe nga shkollat e mesme në Tiranë tregojnë se, tekstet digjitale u janë imponuar mësuesve këtë vit, jo vetëm në 60 shkollat pilot të vendit, por edhe në shkolla që nuk njihen si shkolla digjitale. Si qershia mbi tortë, merret vesh që nxënësit përpos librit digjital të imponuar, duhet të blejnë edhe librin fizik, i cili, të mos harrojmë, ka qenë një libër që nuk e ka fituar konkursin paraprak. Dhe, nuk duhet harruar: platformat digjitale janë shumë të kushtueshme. Të gjithë treguesit e kësaj vere “digjitale” të çojnë vetëm tek një pyetje: Çfarë fshihet pas tekstit digjital?

Exit.al

Artikulli paraprak6 hektarë me drogë në Rinas me lejen e Ramës
Artikulli tjetërfaqja e pare