Ish nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Enno Bozdo e ka cilësuar skandaloz projektin klientelist të Ramës për stadiumin e ri, ndërsa dënoi gjithashtu edhe injorimin që Rama u bëri tifozëve duke anashkaluar opinionin e tyre mbi stadiumin.
“Edi Rama pati guximin të deklarojë se të gjithë arkitektët që ai kishte pyetur, i kishin sugjeruar që stadiumi i ri të ishte domosdoshmërisht brenda unazës së vogël të Tiranës! Por nevoja për një stadium të ri, nuk mund të fshehë aferën korruptive! Afera korruptive nuk mund të justifikohet nga gjoja sugjerimet e arkitektëve për pallat me stadium në mes të Tiranës. Pallavrave të zakonshme të Ramës se “…më thanë arkitektët etj., etj..”, u ka dalë boja me kohë me betonizimin e Tiranës dhe korrupsionin e kudondodhur. Pra, me pak fjalë, Rama po përdor arkitektët për të ndërtuar stadiumin në qendër. Por si çdo stadium, ai duhet të ndërtohet në radhë të parë për sportin, ekipet dhe sportdashësit. Dhe ndërsa ka nxituar për të “pyetur” arkitektët, nuk ka pyetur aspak tifozët! Tifozët, që e ndjekin ekipet në çdo cep të Shqipërisë. Tifozët që ndjekin Kombëtaren në Shkodër dhe Elbasan. Këta tifozë nuk i ka pyetur kërkush. Sepse po t`i pyeste, do t`i kishin thënë se do të preferonin një stadium modern buzë një bulevardi të ri, vetëm 2 km larg qendrës së Tiranës. Sepse do t`i kishin thënë se preferojnë një mijë herë një stadium pa pallat, sesa një pallat me fushë te Qemal Stafa. Por Rama nuk i pyeti. Sepse është mbërthyer nga një dëshirë të ethshme për të ndërtuar sëbashku me miqtë e tij vetëm në qendër të kryeqytetit. Dhe për këtë anuloi dhe Planin Rregullues të kryeqytetit. Plani Rregullues i Tiranës, i vetmi ekzistues që prej 1990, që u shtri në dy vite dhe që u konsultua gjerësisht me qytetarët, parashikon një stadium olimpik në zgjatim të Bulevardit të ri të Tiranës. Por Rama që ia do Bashës Bulevardin (edhe pse e bllokoi për dy vjet), nuk ia do stadiumin aty. Stadiumin, ai dhe miqtë e tij arkitektë, do ta ndërtojnë m’u në qendër të Tiranës. Pa çka se kryeqyteti po betonizohet në çdo cep, pa çka se trafiku rëndohet, pa çka se qytetarët po e vuajnë çdo ditë. Rëndësi ka xhepi o miq. Dhe për sa kohëe xhepi është plot, edhe humori është i lartë. Të zakonshmit e këtij vendi, ata që nuk bëjnë dot pazar në Milano dhe me Milanon, pak rëndësi kanë” tha Bozdo.