BQK vendosi heqjen e dinarit serb nga qarkullimi, Hovenier: Vendimi i Kosovës ka ndikuar në marrëdhëniet me SHBA

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendimi i Kosovës për ta zbatuar vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

 

Duke folur të enjten për gazetarë në Prishtinë, Hovenier tha se deklaratat e zyrtarëve amerikanë kanë qenë vazhdimisht të qarta se Kosova duhet ta shtyjë vendimin e zbatimit të rregullores.

Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt.

“Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje se bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme… ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se ne të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, tha Hovenier.

Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë vijnë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti të mërkurën.

O’Brien paralajmëroi të martën se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thosha, nëse ne nuk trajtohemi si partnerë, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien të martën./REL

Artikulli paraprakZYRTARE/ Futbollisti shqiptar rikthehet në Kroaci, do të huazohet deri në fund të sezonit te ish-skuadra
Artikulli tjetërBlinken reagon në X dhe vlerëson rolin e ambasadës amerikane në Tiranë. Këto janë tre çështjet e rëndësishme që veçon