“Zjarret në pyjet e Shëngjinit janë lënë në mëshirë të fatit. Të premten mbasdite dhe mbrëmë nuk ka patur asnjeri nga zjarrfikëset, ushtria, mbrojtja civile apo policia për shuarjen e tyre. Ato tani po shkatërrojnë edhe pyjet e mbrojtura të Velipojës! Duket se mbrapa tyre qëndron mafia qeveritare e trojeve”
Flakët e zjarrit në Shëngjin vazhdojnë prej 5 ditësh, duke iu afruar frikshëm edhe qytetit, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për shuarjen e tyre. Për këtë situatë alarmante, ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, i cili në një postim në Facebook shkruan se, qeveria i ka braktisur në mënyrë kriminale zjarret në Shëngjin. “Të dashur miq, zjarret në pyjet e Shëngjinit janë lënë në mëshirë të fatit. Të premten mbasdite dhe mbrëmë nuk ka patur asnjeri nga zjarrfikëset, ushtria, mbrojtja civile apo policia për shuarjen e tyre. Ato tani po shkatërrojnë edhe pyjet e mbrojtura të Velipojës! Duket se mbrapa tyre qëndron mafia qeveritare e trojeve. Për shkak të zjarreve janë larguar shumë turistë nga këto dy qytete! sb”, shkruan Berisha në Facebook.
Prej 5 ditësh mes tymit dhe alarmit, banorët fajësojnë qeverinë për organizimin e dobët të strukturave për shuarjen e vatrave të zjarrit. Vatrat e zjarrit janë aktivizuar prej së martës. Për një situatë të tillë, banorët bëjnë përgjegjës organizimin e dobët të shtetit. “Si të mos kemi frikë, i kemi shtëpitë buzë malit. Çfarë ndërhyrje, nga vatër e vogël u bë e madhe. Nuk ka organizim. Ka stres, pushtetin e pamë që nuk është i përgatitur për zjarre”, u shpreh një banor.
Ndërkohë, edhe ditën e djeshme situata në Shëngjin ishte mjaft kritike. Bëhet e ditur se janë riaktivizuar flakët në malin pranë zonës së njohur si Rana e Hedhun. Flakët kanë vijuar dhe gjatë natës, pasi favorizohen nga era e fortë. Prej 5 ditësh vijojnë flakët në malin e Rrencit, ndërsa autoritetet lokale kërkojnë ndërhyrjen nga ajri.
Edhe në Rrjodh të Velipojës flakët po u afrohen shtëpive. Deri tani janë shkrumbuar më shumë se 20 ha me pyje, por bilanci pritet të jetë i rëndë. Pasojat atje janë shumë të rënda. Edhe këtu si në Shëngjin ndërhyrja duhet domosdo nga ajri. Informacionet tregojnë që situata nuk është aspak në favor për shkak të erës, e cila bën që flaket të përparojnë drejt shtëpive.
Terreni i thyer malor nuk mundëson ndërhyrjen nga toka, por vetëm nga ajri përmes helikopterit.
Të vetmit që ndodhen në zonën e Velipojës janë punonjësit e administratës së zonave të mbrojtura, që nga konstatimet paraprake kanë evidentuar djegien e një sipërfaqeje prej 15 hektarësh. Kryesisht flakët të favorizuara nga erërat dhe terreni i thatë, kanë djegur barishte të imta dhe shumë pak është prekur sipërfaqja e pishave. Vatrat aktive kanë ndikuar që pushuesit në zonën e Rrjollit të braktisin plazhin këtë fundjavë, si pasojë e tymit që mbuloi bregdetin, duke e bërë të pamundur qëndrimin atje.
Zjarr masiv në pyjet e Oroshit në Mirditë
Një masiv me pyje në Orosh të Mirditës është përfshirë nga flakët. Zjarri ka rënë në vendin e quajtur “Vathi i Lugjeve”. Edhe pse zjarri nuk përbën rrezik për banesat në atë zonë, ndërhyrja nga ana e forcave të zjarrfikësve është e vështirë për shkak të terrenit të thyer. Nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit në këtë zonë. Ndërkohë, ditët e fundit harta e zjarreve në territorin e vendit është zgjeruar. Vatra zjarri ka pasur në Shëngjin, në Ranën e Hedhun dhe në Velipojë.
Në disa zona vatrat janë ende aktive.