Brazili i afrohet Kupës së Botës 2018. “Seleçao” fitoi 4-1 në fushën e Uruguajit, ku vendasve nuk u mjaftoi avantazhi i minutës së 9-të me Edinson Cavani. Brazili barazoi shifrat me Paulinho-n, mesfushorin që ishte protagonist absolut i ndeshjes me dy gola të tjerë të realizuar. Në mes realizoi edhe Neymar, me vulën e sulmuesit që nuk mund të mungonte në fitoren e shtatë radhazi. Brazili kryeson grupin kualifikues të Amerikës Jugore në kuotën e 30 pikëve, ndërsa Uruguaji ndjek me 23. Distanca bën që “seleçao” e Tite-s të hipotekojë biletën në turneun në Rusi.
Argjentina është ngjitur në vendin e tretë të renditjes, falë fitores 1-0 përballë Kilit. 11-metërshi i realizuar nga Lionel Messi i mjaftoi “Albicelestëve” për të triumfuar në një ndeshje të karakterizuar nga polemikat rreth gjykimit.
Në sfidat e tjera kualifikuese, Kolumbia fitoi 1-0 përballë Bolivisë, falë golit të realizuar nga James Rodriguez dhe pozicionohet në vendin e katërt. Sukses tejet i rëndësishëm për Paraguajin, që mbetet në garën për t’u kualifikuar, falë fitores 2-1 përballë Ekuadorit. Bruno Valdez në minutën e 12-të dhe Alonso në të 65-ën ishin autorët e golave të vendasve, ndërsa ekuadorianëve nuk u shërbeu goli i Caicedo-s me penallti.
Katër gola, por në fund Venezuela dhe Peruja ndanë nga një pikë. Sfida në Maturin përfundoi në barazim 2-2, rezultat që i shërben pak skuadrave në klasifikim, me Venezuelën që mbetet në vendin e fundit, ndërsa Perunë që e sheh veten larg garës drejt Botërorit 2018.