Brazili i Jair Bolsonaro

Sessão Extraordinária Plenário Ulysses Guimarães Dep. Jair Bolsonaro Foto: Beto Oliveira 30.06.2011

Duke filluar nga 1 janari 2019 Jair Bolsonaro do të jetë Presidenti i ri i Brazilit. E konfirmojnë rezultatet e balotazhit e së dielës 28 tetor: i shkëputur me mbi 10 pikë përqindjeje ndaj konkurrentit të tij Fernando Haddad, ish kryebashkiak i San Paolo dhe kandidat “in extremis” i Partisë së Punëtorëve (PT) pas arrestimit të ish Presidentit Lula da Silva, me 55.2% të votave kandidati konservator i ultra të djathtës Bolsonaro, anëtar i Partisë Social-Liberale (PSL), është sot udhëheqësi i demokracisë më të madhe latinoamerikane. Për shumë, një fitore e ditur: ngjitja e tij në majat e politikës braziliane kishte rezultuar evidente qysh në turin e parë elektoral të 7 tetorit, kur i kishte shpartalluar të gjithë kandidatët e tjerë me mbi 46% të votave (kundrejt 29% të Haddad), duke munguar për një qime atë mazhorancë absolute që do t’i kishte mundësuar të zgjidhej pa balotazh. Por kush është vërtet ky personazh kaq kontradiktor dhe përçarës? Kujt i detyrohet suksesi i tij elektoral? Cili është Brazili që do të trashëgojë nga paraardhësit e tij? Dhe cilat janë recetat e tij për ta “shpëtuar” vendin nga kriza politike, ekonomike dhe sociale në të cilën dergjet?

Bolsonaro: “njeriu i ri” i politikës braziliane?
Banori i ri i Palácio do Planalto paraqitet në sipërfaqe si një “outsider” në politikën e Brazilias. Megjithatë, Jair Bolsonaro është anëtar i Kongresit qysh nga viti 1988: një veteran në kuptimin e vërtetë të fjalës i politikës braziliane, që u ka shpëtuar skandaleve për korrupsion dhe riciklim parashë që në vitet e fundit kanë tronditur institucione, klasë politike dhe kompani publike të vendit, mbi të gjitha gjiganteskun Petrobraz. Pikërisht një prej këtyre skandaleve (Operacioni “Lava Jato”), ka çuar më pas në arrestimin e ish Presidentit Lula da Silva.
Është përballë një Brazili të zhgënjyer e të zemëruar që Presidenti i ri i së djathtës ekstreme arrin sot të paraqitet si një lider antiestablishment dhe një “njeri i ri” karshi politikës tradicionale, sipas modelit Donald Trump, ndaj të cilit nuk e fsheh vlerësimin dhe admirimin. Nuk është rastësi që, në gjurmët e “Make America Great Again”, midis motove të preferuara nga mbështetësit e tij është pikërisht shprehja në portugezçe: “Faça o Brasil grande outra vez”.
Por kush është vallë Jair Bolsonaro? Ish kapiten i ushtrisë, parashutist, i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Agulhas Negras, Jair Messias Bolsonaro (vitlindja 1955, pinjoll i një familjeje italiane) sapo ka përfunduar mandatin e tij të 7-të si deputet federal i zgjedhur në Shtetin Rio de Janeiro. 30 vitet e karrierës së tij politike kanë parë ta ndryshojë parti 8 herë deri sa ka hyrë në Partido Social Liberal (PSL) nacional – konservatore, i së cilës qe më 2014 deputeti më i votuar i vendit. I konsideruar në vite si një personazh minor, piktoresk dhe thuajse folklorik, Bolsonaro ishte i njohur mbi të gjitha për deklaratat e tij kundër grave, homoseksualëve dhe njerëzve me ngjyrë, përbuzjen ndaj pakicave dhe mbështetjen ndaj politikës të dorës së rëndë ndaj kriminelëve dhe liberalizimit të mbajtjes së armëve: pozicione radikale që sot nuk janë zbehur dhe që, megjithëse i kanë shtyrë mijëra gra të manifestojnë në qytetet më të rëndësishme braziliane me thirrjen “ele não” (ai jo), duken bile se i kanë siguruar konsensusin e shumicës së elektoratit.
Për t’u habitur, pavarësisht se në 30 vite dhe 7 mandate në Kongres ka propozuar rreth 170 projektligje, deri më tani Presidenti i sapozgjedhur brazilian ka arritur që të çojë në votim vetëm 2 prej tyre. Tani mbetet për t’u parë nëse, pas marrjes së postit më të lartë që vendi mund t’i japë, njeriu që ka hyrë në politikë për ta mbrojtur nga shkurtimet e shpenzimeve ushtrinë nga ku vinte dhe që sot premton të sjellë “rend dhe përparim” në një vend të tronditur nga dhuna, korrupsioni dhe nga një rigjallërim shumë i vështirë ekonomik do të arrijë të kalojë nga fjalët tek faktet.

Një fushatë “jokorrekte” në momentin e duhur?
Nga shumë analistë, suksesi i Bolsonaro i atribuohet kryesisht mënyrë së drejtpërdrejtë, për disa primitive dhe brutale, me të cilën gjatë fushatës elektorale ka premtuar për të zgjidhur problemet e mëdha të Brazilit: korrupsionin politik, dhunë kriminale dhe krizën ekonomike. Një strategji komunikimi e fortë dhe kapilare, e karakterizuar nga një thjeshtëzim ekstrem i problematikeve më komplekse të vendit më të madh të Amerikës Latine. Mesazhet e tij janë shpërndarje vetëm në masë minimale nga propaganda e “vjetër” televizie të cilës i kanë besuar shumë prej kandidatëve të tjerë: me vetëm 9 sekonda në ditë kohë televizive në dispozicion, në një vend që është i 3-i në botë për profilet Facebook, neoPresidenti ua ka besuar mesazhet e tij sidomos mediave sociale dhe dhjetëramijëra mesazheve në WhatsApp (120 milion përdorues në Brazil), praktikisht duke e “përmbytur” me propagandë dhe fake news – shpesh që kishin të bënin me vetë konkurrentët e tij – qytetarët brazilianë.
Qëndrimet ekstremiste e Presidentit të sapozgjedhur janë theksuar pas atentatit të 6 shtatorit ku ka qenë viktimë, gjatë një mitingu elektoral në Shtetin Minas Gerais. Pavarësisht rëndësisë së asaj që ka ndodhur, episodi duket sa ka kontribuar pozitivisht ndaj fushatës së tij elektorale, duke i kursyer shumë përplasje të drejtpërdrejta televizive me kandidatët e tjerë, por që për shkak të pozicioneve dhe deklarimeve të tij shpesh politikisht jokorrektë dhe shokues, e kanë bërë vetë objektin e debateve të tyre.
Komunikimi i Bolsonaro ishte i prirur që të bindëte, të paktën fillimisht, grupet sociale thelbësorë për fitoren e tij: të “djathtës nostalgjike” të cilës i mungon siguria e kohërave të diktaturës ushtarake, të “djathtës evangjeliste” të cilës i janë premtuar të drejta sociale dhe të “djathtës liberale” që prej kohësh lufton kundër anemisë ekonomike të gjigandit luksofon. Bashkimi i këtyre 3 grupeve ka përfaqësuar motorin që më pas ka bindur votuesit e shumtë ende të pavendosur. Është e pamohueshme që, njëlloj si Trump, Presidenti i sapozgjedhur brazilian ka ditur të hyjë në lojë në momentin më të përshtatshëm për të: me Lula, rivalin kryesor, në burg dhe jo më i kandidueshëm, një përqindje dhune kriminale shumë të lartë (më shumë se 63000 vrasje në 2017) dhe një elektorat thellësisht të zhgënjyer nga klasa politike (në një sondazh të vitit të kaluar, vetëm 13% e brazilianëve është shprehur e kënaqur me demokracinë e vet), Bolsonaro ka arritur të paraqitet si një alternativë radikale dhe “disiplinuese” ndaj kaosit dhe pasigurisë që gjithnjë e më shumë duket se frustrojnë qytetarët brazilianë.

Brazili, një gjigand akoma në krizë?
Brazili po e rimerr veten me ngadalë nga reçisioni më i rëndë ekonomik i historisë së ti: midis viteve 2015 e 2017, PBB-ja është rrudhur me rreth 7%. Megjithatë, rigjallërimi ekziston dhe kriteret makroekonomikë të vendit duken të mira: Brazili është ekonomia e 8-të e botës (2000 miliard në terma të PBB-së), inflacioni është kthyer në nivele të përmbajtura (3.7%, pas 9% vjetor të 2015 dhe 2016) dhe koeficienti i rritjes ekonomike është kthyer në pozitiv (1.4%).
Nga pikëpamja makroekonomike, pika e dobët është në fakt financa publike. Në fakt, Bolsonaro do t’i duhet të përballet me menaxhimin e një vendi me deficit bilanci ende shumë të lartë (afër -9% të PBB-së) dhe një borxh që në 3 vitet e fundit është rritur në mënyrë shqetësuese me rreth 20% në raport me PBB-në, duke arritur të tejkalojë 80% të PBB-së.
Bolsonaro ka njoftuar tashmë se ka ndërmend që ta sjellë bilancin në barazim sa më shpejt që të jetë e mundur. Si? Kryesisht me shkurtime të shpenzimeve publike. Por do të jenë të nevojshëm shkurtime të mëtejshme dhe shumë më të rënda të shpenzimeve publike në rast se Presidenti i sapozgjedhur do të donte të mbante premtimin elektoral e uljes së taksave. Ndoshta shkurtimet e shpenzimeve mund të vijnë edhe nga privatizimi i sektorëve të gjerë ekonomikë të Brazilit sot – tërësisht apo pjesërisht – në duart e shtetit. Një recetë neoliberiste e mbështetur nga Paolo Guedes, këshilltari i tij ekonomik.
Domosdoshmëria për të adoptuar një politikë “rreptësie financiare” në periudhë afatshkurtër paraqet gjithsesi jo pak rreziqe, sidomos në një vend ku pabarazia mbetet në një nivel ndër më të lartit në botë. Shkurtimet e domosdoshme e shpenzimeve publike nuk ka sesi mos të godasin politikat më të kushtueshme, që përfshijnë natyrisht masat e welfare si pensionet, shëndetësia publike dhe subvencionet e papunësisë, që mbetet shumë e lartë dhe llogaritet në rreth 13%.

Çfarë do të bëjë Bolsonaro?
Siç e shpjegon në komentin e tij Anthony Pereira (King’s College Brazil Institute), Bolsonaro përfaqëson ngritjen e një të djathte ideologjike e ndryshme nga ajo “pragmatiste” dhe “padronale” që deri në këto zgjedhje dukej se karakterizonte partitë e djathta që konkurronin në zgjedhjet presidenciale. Kurse Bolsonaro e vë theksin mbi Zotin dhe Kristianizmin evangjelist, patriarkatin dhe familjen tradicionale, lirinë e mbajtjes së armëve, pronën private dhe liberizmin ekonomik. “Vdekje banditëve”, “më shumë siguri për të gjithë”, “burg për të korruptuarit”, “armë të gjithë brazilianëve për t’u mbrojtur nga kriminelët”, “të luftojmë që Brazili të mos përfundojë si Venezuela” janë premtime me të cilat Bolsonaro dëshiron të shërojë një Brazil të zhgënjyer nga klasa politike, gjithnjë e më shumë i dhunshëm dhe akoma i plagosur nga reçisioni ekonomik.
Nëqoftëse detajet e recetave ekonomike me të cilat Bolsonaro propozon që t’ia dalë – privatizime, ulje taksash dhe shpenzimesh publike, liberalizimi, reformë të pensioneve, krijim i një superMinistrie të Ekonomisë – duken për momentin mjaft të vagullta (dhe, të paktën në parim, nuk janë krejtësisht tërheqëse për investitorë dhe tregje, që sot presin shumë nga fitorja e tij), ajo që preokupon shumë vëzhgues është perspektiva sesi Presidenti i ri do të kërkojë të shndërrojë në realitet idetë e tij lidhur me sigurinë, arsimin, mjedisin dhe të drejtat civile. Për shembull, për të përballuar plagën e kriminalitetit dhe të dhunës, Bolsonaro propozon uljen e moshës së përgjegjësisë penale nga 18 në 16 vjeç dhe një modifikim të ligjit për armëmbajtjen, që ta lehtësojë shumë posedimin e saj; iniciativa që do të duhej t’u shtoheshin një tutelë juridike më e madhe e forcave të rendit e prirur që t’i favorizonte diskrecionalitetin. “Asnjeri nuk do të donte që një polic të vriste”, ka shpjeguar në një intervistë për revistën “Time”, “por unë dua t’u jap një kartabiankë për të mos vdekur”. I mbështetur nga e djathta kristiane evangjelistë braziliane, më 11 tetor Bolsonaro ka firmosur një marrëveshje me një shoqatë votuesish katolikë, ku ka premtuar “të mbrojë kuptimin e vërtetë të martesës si lidhje midis burrit dhe gruas” dhe të “luftojë ideologjinë gender”, duke filluar nga programet shkollore. Janë mesazhe të qartë – nga ana e një konservatori që, përveçse nuk e fsheh përbuzjen e tij për gjininë femërore, nuk ka munguar që ta krahasojë homoseksualitetin me pedofilinë – që shpejt mund të transformohen në iniciativa legjislative kundër financimeve ndaj programeve antidhunë për gratë dhe komunitetet LGBTQ. Edhe pakicat dhe mjedisi duket se janë në shënjestrën e Presidentit të ri: për shembull, në shumë raste ka shpërthyer kundër politikave të mbështetjes dhe kuotave të rezervuara për grupet sociale më pak të përkrahur dhe pakicave. Së fundi, i mbështetur edhe nga lobi i fuqishëm i prodhuesve bujqësorë brazilianë, Presidenti ka kërcënuar lehtësimin e ligjeve mbi shpyllëzimet dhe të ndjekë Donald Trump në tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, përveçse për ta ritrajtuar pak ditë më parë në shkëmbim të sigurimeve lidhur me sovranitetin e plotë të Brazilit mbi “Tripla A”, një territor me rëndësi themelore mjedisore për planetin i shtrire nga Andet, në Pyllin Amazonas, në Atlantik.

Pas votimit: rrezik autoritar?
Nostalgjik i deklaruar i diktaturës ushtarake që ka qeverisur Brazilin nga viti 1964 deri më 1985, Bolsonaro nuk ka lënë rast pa deklaruar publikisht admirimin e tij për liderë të tjerë autoritarë (së fundmi Presidentin filipinas Rodrigo Duterte). Në të kaluarën, Bolsonaro është shtyrë deri aty sa ka premtuar që, në rast se bëhej ndonjëherë President, do ta vinte vendin në kontrollin e ushtarakëve qysh nga “dita e parë”. Fushata e tij elektorale është mbështetur aktivisht nga figura të ndryshme kryesore të forcave të armatosura braziliane dhe pak vite më parë zëvendësi i tij, gjenerali në pension Antônio Hamilton Martins Mourão, ka pohuar se në rast se pushteti gjyqësor nuk do të ishte në gjendje që të vinte rend në kaosin politik të vendit, atëhere një gjë e tillë do të imponohej nga ushtria nëpërmjet një ndërhyrjeje ushtarake. Kështu që janë shumë ata që frikësohen se me fitoren e Bolsonaro Brazili vërtet rrezikon që të kthehet në kohën e diktaturës.
Megjithatë, siç shpjegon Loris Zanatta (Università di Bologna), përtej proklamimeve plot efekt, ka mundësi që ngarkesa subversive e Jair Boslonari pjesërisht të përthithet si nga problemet e mëdha strukturore të vendit të cilat Presidenti do të duhet t’i luftojë me masa konkrete, ashtu edhe nga vetë sistemi politik e institucional brazilian. Nga njëra anë, vetë struktura e Kongresit Kombëtar të Brazilit, ku Bolsonaro nuk do të ketë një shumicë absolute, kërkon në fakt që të krijohen aleanca të gjera e transversale dhe, sidomos për reformat e mëdha, të hyhet në kompromise me forcat e tjera politike. Nga ana tjetër, sistemi gjyqësor brazilian dhe Gjykata Supreme e vendit, të paktën për momentin, ruajnë një shkallë të lartë autonomie. Së fundi, pavarësisht se Bolsonaro ka mundur të mbështetet tek konsensuset, aspak të fshehura, të forcave të armatosura braziliane, sipas analistëve të ndryshëm ka pak të ngjarë që pushteti ushtarak i vendit do të dëshirojë të hyjë në aventura autoritare, edhe në rastin ku Presidenti i ri dëshiron vërtet ta transformojë nostalgjinë e tij për të kaluarën në një realitet konkret.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version