Braziliani Oscar transferohet në Kinë

Tashmë është zyrtare, braziliani Oscar braktis futbollin europian duke u bashkuar me Shanghai SIGP në Kinë. Talenti i Chelsea-t nuk mundi të refuzonte ofertën faraonike të klubit kinez, duke u larguar nga “Blutë e Londrës” në një moment kulminant për skuadrën e Antonio Contes. Braziliani ka fituar një kampionat dhe një Kupë Lige me skuadrën londineze, por me emërimin e Contes, ai po gjente më pak hapësira, duke vendosur të bashkohet me Andre Villas Boas në Kinën e largët.
Sipas mediave britanike, shifrat e marrëveshjes janë vërtet të çmendura. Kinezët do të derdhin në arkën e Bluve plot 61 milionë euro, ndërsa vetë lojtari do të arkëtojë rreth 450 mijë euro në javë. Në këtë mënyrë, Oscar bëhet lojtari më i shtrenjtë i futbollit kinez që gjatë viteve të fundit është pasuruar me shumë emra të njohur të futbollit botëror. Largimi i 25-vjeçarit që gjatë këtij sezoni ishte aktivizuar vetëm në 11 ndeshje, do të hedhë në sulm trajnerin e Chelsea-t, Antonio Conte, i cili ka shënjestruar belgun e Romës, Radja Nainggolan.
Ish-trajneri i Italisë ka shfaqur interes për mesfushorin, por do të jetë shumë e vështirë që ta shkëpusë atë nga verdhekuqtë që në merkaton e janarit. Një tjetër element që i intereson Contes është edhe mbrojtësi Rudiger.

Artikulli paraprakMavraj kalon vizitat mjekësore, gati firma me Hamburgun
Artikulli tjetërGalliani i prekur!