Brenda dy viteve Rruga e Arbrit

Lulzim Basha u premtoi dje dibranëve dhe shqiptarëve ndërtimin e Rrugës së Arbrit brenda dy viteve të mandatit të parë qeverisës. Ai u prezantoi qytetarëve programin që parashikon rimëkëmbjen e ekonomisë për gjithë shqiptarët. Një plani i mbështetur nga ekspertët më të mirë europianë të kancelares Merkel, i cili ka funksionuar në Europë dhe do të funksionojë në Shqipërinë. Basha tha se nuk ka premtime, por plan konkret që është provuar se do të rrisë ekonominë, vendet e punës, përmes uljes së taksave, 10 mijë stazheve për të rinjtë, rritjen e pensioneve me minimalin 250 mijë lekë në muaj, ndihmë direkte për fermerët me 100 milionë euro në vit, si dhe pagesën e ujit dhe dritave për familjet në ndihmë ekonomike.
“Lulzim Basha nuk ka premtime. Unë kam plan ekonomik dhe të gjitha lidhen bashkë me njëra-tjetrën dhe të gjitha funksionojnë dhe do të ndezin motorët e ekonomisë shqiptare. Plani ekonomik përbëhet nga këto shtylla kryesore. E para, ulja e TVSH-së dhe taksa e sheshtë 9%. Ulja e TVSH-së që ju e paguani për çdo mall që blini do të ketë efekt në xhepat tuaja, 400 milionë euro më shumë në vit, para që sot ia paguani në mënyrë të fshehtë përmes kësaj takse. Do të rritet konsumi dhe kërkesa për prodhim është çelësi i rritjes ekonomike. Kërkesa për prodhim gjeneron kreditim, vende pune, çliron energji pozitive, ndez motorët e ekonomisë. Taksa e sheshtë 9% po kështu do të garantojë qindra milionë euro në një taksë konkurruese në rajon. Pra, ulja e taksave, ulja e TVSH-së, taksa e sheshtë 9%, anulimi që ditën e parë të taksës Rama mbi naftën 240 lekë për litër, ulja e çmimit të energjisë jo vetëm për konsumatorët, por edhe për biznesin prodhues. Subvencione për bujqësinë. 47% e shqiptarëve jetojnë akoma në zonat rurale dhe 20% e aktivitetit ekonomik përbëhet nga bujqësia dhe bujqit, që janë të përjashtuarit më të mëdhenj të republikës së vjetër bashkë me rininë. 100 milionë euro në vit për fermerët dhe do të zerojmë koston e mekanikës bujqësore dhe imputeve të tjera. Rinia e Dibrës duhet ta dijë se plani im është për 10 mijë stazhe në vit me 200 mijë lekë në muaj për të sapodiplomuarit”, tha Basha.
Kryedemokrati tha në Dibër se Rruga e Arbrit do të bëhet realitet si Rruga e Kombit dhe ajo e Elbasanit.
“Investime të vërteta për mua është investimi i Rrugës së Arbrit një orë e më parë si interes absolut ekonomik dhe strategjik. Ju e dini që për 2 vjet bëra Rrugën e Kombit. Ky 4 vjet nuk bën Lungomaren. Ju jap fjalën që brenda janarit të vitit të ardhshëm, kantieri i Rrugës së Arbrit gjatë gjithë gjatësisë së tij do të jetë në funksion të plotë dhe brenda dy viteve tuneli dhe Rruga e Arbrit do të jenë një realitet ku do të qarkullojnë makinat e dibranëve dhe gjithë shqiptarëve. 72 minuta nga Bllata në Sheshin Skënderbej”, tha Basha.

Basha: Asnjë votë për shushunjat

Nga qyteti i Peshkopisë, Basha i ka bërë thirrje që mos japin asnjë votë për PS, LSI dhe PDIU duke i konsideruar ato si shushunja. “Basti është do të vazhdoni edhe 4 vjet me këtë shushunjë, me këtë njeriun e shfaqjes, me tuta dhe batuta, ndërkohë që ka futur duart e tij të gjata, të Ilir Beqajt dhe të Ilir Metës në xhepat tuaj. Këtë do të vazhdoni, do i besoni Ilir Beqajt, do i besoni këtyre partive që kanë një qëllim, të zhvasin shqiptarët, të jenë pjesë e tepsisë, se platformë nuk kanë as LSI, as PDIU. Asnjë votë për shushunjat.
Koha e shushunjave në pushtet merr fund më 25 qershor. Janë bërë xhind, është bërë bishë Ilir Meta. Pse u bë bishë? Sepse e shikonte veten një dorë në bakllava, një dorë në sheqerpare. Por mesa shoh dorën në bakllava nuk ka për ta pasur kurrë më, por edhe këta të sheqerpares kanë ndërmend t’ia heqin dorën. Edhe këta të PDIU që janë futur me kokë në qypin e turshive, më mirë hidhini në Drin votat sesa t’ja jepni këtyre, më mirë në Drin të Zi sesa këtyre”.
Basha sulmoi edhe ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj për situatën ku ndodhet ekoniomia, ndërsa tha se taksa 9% që do ta vendosë nëse PD vjen në pushtet është një taksë konkurruese në rajon.
Ai foli për programin ekonomik të PD teksa prezantoi platformën ambicioze për uljen e taksave, vendosjen e taksës së sheshtë etj. “Taksa e sheshtë 9% është taksë konkurruese në rajon. Se ne sot në rajon nuk konkurrojmë dot as me Malin e Zi, as me Kosovën, as me Bosnjën, as me Maqedoninë. Ne jemi delja e zezë, me taksat më të larta me rrogat më të ulëta. Kjo është ekonomia e Edi Ramës dhe Ben Ahmetaj. Po kështu është kur bën mësuesin e anglishtes ministër Finance, se nuk i bëhet vonë se kanë ekonomistë të zotë ata. Kundërshtar politik e kemi Shkëlqim Canin, jo se e kemi patriot, natyrisht formulat në kokë i ka të vjetra, po ekonominë e kupton. Po e hoqi, solli këtë Arben Ahmetajn, jo se Arben Ahmetaj di më shumë Cani, por sepse Arbeni i duhej për garuzhden”.

Exit mobile version