Brenda perandorisë globale të basteve online të një biznesmeni turko-qipriot të vrarë

Çështjet kryesore

  • Drejtori i financave të Falyali, Cemil Önal, i tha OCCRP-së se këto operacione gjeneronin të paktën 80 milion dollarë në muaj. (Gazetarët nuk arritën të verifikonin këtë shifër në mënyrë të pavarur.)

  • Önal tha se ai personalisht ka organizuar pagesa sponsorizimi prej rreth 15 milion dollarësh në muaj për zyrtarët publikë në Turqi dhe Qipron e Veriut.

  • Gazetarët gjithashtu gjetën mbi 60 milion dollarë pasuri të zotëruara nga bashkëshortja e Falyali në Dubai, të cilat Önal i identifikoi si një bazë të rëndësishme për operacionet e dyshuara të vazhdueshme të organizatës.

  • Organizata dyshohet se rekrutoi mijëra njerëz për të hapur llogari bankare, kredi, kriptomonedha dhe platforma pagese online për të lëvizur fitimet e paligjshme nga bixhozi, sipas prokurorëve turq.

  • Të dhënat e paraqitura nga Önal dhe prokurorët turq ilustrojnë vështirësitë e rregullimit të basteve të paligjshme, një industri që po rritet me shpejtësi dhe që vlerësohet të gjenerojë qindra miliarda dollarë në vit.

Në një mbrëmje të freskët shkurti të vitit 2022, biznesmeni turko-qipriot Halil Falyali po kthehej në shtëpi me makinë përgjatë një rruge fshati, kur ra në pritë. Sulmues të armatosur me armë automatike hapën zjarr mbi Escalade-in e tij.

Shoferi i tij mbeti i vdekur pas timonit, por Falyali, një burrë me trup të fuqishëm, ishte ende gjallë kur ekipi i shërbimit të urgjencës arriti tek ai, pavarësisht se ishte goditur disa herë me plumba. Ai u dërgua me urgjencë në një spital lokal, por brenda një ore edhe ai ndërroi jetë.

Vrasja tronditi Qipron e Veriut, rajonin separatist të mbështetur nga Turqia, ku Falyali kishte ndërtuar emrin e tij. Lajmet e fundit mbërritën si njoftime të menjëhershme në celularët e njerëzve, duke i ndërprerë në mes darkat. Postimet në rrjetet sociale u përhapën me dhjetëra mijëra shikime në pak minuta. “Nata e Terrorit,” shpërthente një titull gazete. “Zemrat janë thyer,” thoshte një tjetër.

Publikisht, Falyali ishte paraqitur gjithmonë si një biznesmen të zakonshëm dhe pronar hoteli, ndonëse me lidhje të fuqishme. Ai shpesh shfaqej në fotografi me zyrtarë të lartë turko-qipriotë dhe nuk e fshehte lidhjen e ngushtë që kishte me partinë politike në pushtet, Partinë e Unitetit Kombëtar njohur si UBP-ja.

Ai gjithashtu nuk e fshehte pasurinë e tij. Falyali shpesh postonte video në rrjetet sociale ku shfaqej duke drejtuar buggies shkretëtire në pronën së tij bregdetare, e cila përfshinte një kopsht tropikal, të paktën dy pishina dhe një pellg peshqish për sturjon, që të mund të kultivonte kaviarin e tij. Djali i tij shfaqej në YouTube duke pozuar me makina luksoze, përfshirë një Rolls-Royce Phantom dhe një McLaren 720S.

Megjithatë, pas skenës, autoritetet turke kishin nisur të hetonin një aspekt tjetër të biznesit të Falyali për disa vite: Një perandori të dyshuar të basteve online të paligjshme.

Halil Falyali duke treguar dhomën e ndenjes në Youtube
Credits: Screenshot nga vidio e postuar nga @arslanlar20/Youtube – Halil Falyali duke treguar dhomën e ndenjes në Youtube

Dhjetë muaj pas vrasjes, në dhjetor të vitit 2022, ministri i Brendshëm i Turqisë mbajti një konferencë për shtyp për të shpallur një operacion kundër asaj që ai e quajti një organizatë kriminale që drejtonte mbi një duzinë faqesh të paligjshme bastesh. Autoritetet kishin kapur tashmë mbi 40 milionë dollarë pasuri nga grupi, por ministri deklaroi se kjo ishte “vetëm fillimi”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, prokurorët turq ngritën akuza ndaj më shumë se 240 personave, përfshirë edhe gruan e Falyali, nën akuzat për lojëra të paligjshme të fatit dhe pastrim parash. Aktakuza, e ngritur pas vdekjes së Falyali, e akuzonte atë për “krijimin e një organizate me qëllim kryerjen e veprimtarisë kriminale”.

Aktakuza bazohet në një raport të pabotuar prej 130 faqesh të Ministrisë së Financave të Turqisë, të siguruar nga OCCRP, i cili përshkruan lëvizjen e pagesave nga operacionet e dyshuara të basteve drejt një portofoli kriptomonedhash që hetuesit pretendojnë se i përkiste Falyali-t.

Por ndërsa procesi gjyqësor është ende në fazat e tij të para, një tjetër dramë është duke u zhvilluar, këtë herë e lidhur me drejtorin e financave të Falyali-t për një kohë të gjatë, Cemil Önal. Në dhjetor të vitit 2023, Önal u arrestua në Holandë në një çështje të veçantë. Urdhri i Interpolit, i lëshuar me kërkesë të Turqisë, e përshkruante atë si njeriun “përgjegjës për financat dhe paratë e Falyali-t” dhe pretendonte se ai ishte “një nga mendjet e prapaskenës” pas vrasjes së Falyali-t. Ai po lufton tani kundër ekstradimit në Turqi, pasi i frikësohet rrekizut të jetës.

Duke folur nga një burg holandez, Önal i tha OCCRP-së se nuk kishte lidhje me vrasjen e Falyali-t dhe këmbënguli se po përndiqej sepse dinte shumë rreth pagesave të paligjshme që u ishin bërë personave me pushtet.

Zyrtarisht, Önal punonte për një kompani të licencuar për lojërat e fatit në Qipron e Veriut, në pronësi të Falyali-t. Por puna e tij e vërtetë, tha ai, ishte të ndihmonte në zgjerimin e operacioneve të paligjshme të Falyali-t. Kur u largua nga kompania në fund të vitit 2021, ai tha se bosi i dyshuar i basteve të paligjshme po gjeneronte të paktën 80 milionë dollarë në muaj, punësonte qindra punonjës që nuk ishin të regjistruar dhe mbikëqyrte mijëra faqe bastesh të drejtuara për lojtarët në dhjetëra shtete, tha Önal. (OCCRP nuk arriti të verifikonte në mënyrë të pavarur shifrën e të ardhurave të përmendura nga Önal, por një ekspert që hetoi rrjete të ngjashme në Azi tha se vëllimi ishte i besueshëm).

“Nuk e krijova këtë sistem për veten time,” tha Önal. “E krijova këtë sistem për shefin tim.”

Önal tha se ai vetë kalonte rreth 15 milionë dollarë në muaj për pagesa “sponsorizimi” në emër të organizatës së Falyali, kryesisht për funksionarë të partisë në pushtet në Turqi dhe në Qipron Veriore. Shumica e këtyre parave, tha ai, u dorëzuan si para në dorë (cash) ndërsa disa transferta u organizuan përmes tregtimit të arit dhe dyqaneve të këmbimit valutor, duke e bërë të vështirë gjurmimin e tyre.

Cemil Önal gjatë intervistës për OCCRP
Credits: OCCRP – Cemil Önal gjatë intervistës për OCCRP

Gjatë më shumë se 20 orësh intervista ekskluzive, Önal detajoi funksionimin e supozuar të operacionit në një mënyrë të paprecedentë. Edhe pse ai nuk mundi të siguronte dokumentacion për pretendimet e tij, gazetarë në një duzinë vendesh i verifikuan në mënyrë të pavarur shumë prej tyre duke gjurmuar dokumente të kompanive, pasurive të paluajtshme dhe udhëtimeve, si dhe dosje të forcave të rendit dhe gjykatave. Ata gjithashtu arritën të identifikonin qindra faqe bastesh të krijuara nga rrjeti i dyshuar. Ekspertët konfirmuan se modeli i përshkruar nga Önal ishte shumë i ngjashëm me praktikat e hasura në rajone të tjera.

Raporti i Ministrisë së Financave të Turqisë për vitin 2022 listonte rreth 100 portofola kriptomonedhash që, sipas tij, ishin përdorur nga grupi për të transferuar “të ardhurat nga aktivitetet kriminale”.

Duke analizuar të dhënat e bllokut të zinxhirit (blockchain), gazetarët zbuluan se këto kuleta kishin marrë mbi 1.4 miliardë dollarë që nga viti 2018.

Por këto ishin vetëm një pjesë e numrit të portofolëve cryptocurrency që Önal thotë se rrjeti ka përdorur realisht. Ky rrjet kishte edhe mënyra të tjera për të qarkulluar para nëpër botë, duke përfshirë mijëra llogari bankare, karta krediti dhe llogari pagesash online. (Raporti i Ministrisë së Financave përmendi se grupi përdori mbi 1,500 llogari bankare vetëm në Turqi.)

Nëpërmjet përdorimit i regjistrave që rrodhën për pronat dhe dokumente të tjera nga Dubai, të cilin Önal e identifikoi si një bazë kryesore për operacionet aktuale të rrjetit, gazetarët zbuluan gjithashtu dhjetëra miliona dollarë vlerë pronash në pronësi të gruas së Falyali, Özge Taşker Falyali, e cila ishte ndër të akuzuarit në vitin 2024. Ajo nuk u përgjigj pyetjeve në lidhje me burimin e fondeve.

Autoritetet turke dhe ato turko-cipriote nuk u përgjigjën kërkesave për koment.

Ngritja e Fayali-t

Ishulli mesdhetar i Qipros është i njohur për plazhet e tij të arta dhe rrënojat antike. Por vendlindja legjendare e Perëndeshës Afërditë ka edhe një anë më të errët.

Prej gjysmë shekulli, ishulli është i ndarë nga tela me gjemba dhe fusha me mina midis Republikës së Qipros, e njohur ndërkombëtarisht, dhe veriut të ndarë, i cili u pushtua nga Turqia në vitin 1974 si përgjigje ndaj një grushti shteti që synonte bashkimin e Qipros me Greqinë.

Veriu, qeveria e së cilit njihet vetëm nga Turqia, nuk i përmbahet plotësisht ligjeve ndërkombëtare dhe standardeve globale bankare. Ky territor është kthyer në një strehë për të arratisurit dhe për paranë e pisët nga e gjithë bota. Ai është bërë gjithashtu një qendër e madhe e lojërave të fatit, sidomos pasi Turqia ndaloi kazinotë në fund të viteve 1990.

Harta e Qipros
Credits: James O’Brien/OCCRP – Harta e Qipros

Lufta shpërnguli si grekët ashtu edhe turqit qipriotë, ndër ta edhe familjen Falyali. Kur Falyali ishte fëmijë, ata u larguan nga Paphos, një zonë bregdetare në Republikën e Qipros, dhe më pas u vendosën në rrethin e Iskele, në atë që tani është veriu i Qipros. Ai ishte në fund të të 20-ave kur industria e kumarit filloi të merrte hov në veri.

Më 1998, ai filloi të punonte si menaxher kazinoje, sipas vëllait të tij Hüsnü, i cili dha një pasqyrë të historisë së familjes për HalkTV të Turqisë në mars të vitit 2022, muajin pas vrasjes së Falyali. Në vitin 2007, tha ai, Falyali mori në dorë Les Ambassadeurs Hotel & Casino, një resort luksoz në qytetin port të Kyrenias, i cili tani është në pronësi të gruas së tij dhe djalit të tyre 12-vjeçar.

Edhe pse Hüsnü theksoi se operacionet e kumarit të Falyali-t në veri të Qipros ishin ligjore, ai pranoi se vëllai i tij kishte hyrë në baste të paligjshme në Turqi që në vitin 2004. “Megjithatë, nuk mund të thuhet se çdo faqe bastekesh të paligjshme i përket Halil Falyali,” shtoi ai.

Aktivitetet e ligjshme të Falyali-t u administruan përmes një kompanie të quajtur Larsen Technologies Ltd., e regjistruar në vitin 2013.

Autoritetet turko-qipriote i dhanë Larsen një licencë lojërash për të operuar në veri të Qipros në vitin 2017. Kompania hapi dyqane bastesh për klientët e drejtpërdrejtë nën markën BetCyp dhe regjistroi një faqe interneti me emrin BetCyp.com. Por sipas Önal, Larsen ishte një fasadë.

“Ky ishte strehimi ynë. Me fjalë të tjera, ishim nën emrin e një kompanie ligjore për rastet e bastisjeve nga policia, bastisjeve financiare apo çdo ngjarje tjetër,” shpjegoi Önal. Larsen gjithashtu e ka punësuar formalisht Önal ndërmjet vitit 2016 dhe 2020, siç konfirmojnë regjistrat korporatë.

Regjistrimet e domain-eve të faqeve të internetit, të marra nga OCCRP, sugjerojnë se kompania mund të ketë qenë vërtet e lidhur me kumar të paligjshëm: Dhjetëra faqe bastesh të cilat janë vendosur në listën e zezë nga Turqia dhe Bashkimi Europian ishin regjistruar nga e njëjta adresë emaili që ishte përdorur për regjistrimin e BetCyp.com. Po ashtu, faqja e internetit ndante një server të bazuar në Filipine me dhjetëra faqe të tjera të vendosura në listën e zezë.

Pikërisht si faqet e bastit ligjor, këto faqe të paautorizuara ofrojnë lojëra kazino live, makina slot dixhitale dhe baste sportive, të personalizuara për gjuhën e audiencës së synuar dhe të prezantuara me grafika tërheqëse. Bastorët mund të paguajnë me kartë krediti dhe cryptocurrency, ose përmes platformave të ndryshme të pagesave online. Lojtarët, të tërhequr nga reklamat agresive dhe bonuset bujare, mund të mos kuptojnë fare që po bastojnë në një platformë që nuk është licencuar ose rregulluar në vendin e tyre.

Kompani që qëndrojnë pas faqeve të identifikuara nga OCCRP kryesisht tregojnë licenca kumari nga Curacao. Ky ishull në Karaibe për vite me radhë lejonte një grusht kompanish me licencë vendore që të lëshonin “sub-licenca” për operatorët jashtë vendit, duke i mundësuar operatorëve me licencë nga Curacao të përhapen globalisht pa mbikëqyrje ose të drejta ligjore për të operuar në juridiksione të rregulluara.

Faqe on-line bastesh
Credits: James O’Brien/OCCRP – Faqe on-line bastesh

Kur faqet u mbyllën në shtetet ku ata shkelën kufizimet lokale të licencës, zëvendësimet mund të aktivizoheshin shpejt duke përdorur domain-e të blera njëri pas tjetrit nga shërbime të hostimit të uebit si GoDaddy, tha Önal. GoDaddy nuk u përgjigj kërkesave për koment.

Ai ilustroi shembullin e BeteBet, e cila u regjistrua një vit para se të krijohej Larsen. Faqja u vendos në listën e zezë nga Turqia në vitin 2017, Republika e Qipros në vitin 2019 dhe Letonia në vitin 2021. Historia e domain-it të faqes fsheh pronarin deri në vitin 2019, kur fillon të tregojë se u regjistrua nga Total Gaming Solutions B.V., një kompani nga Curacao që përdorej nga një njeri me emrin Ibrahim Tokkan për të regjistruar mbi 500 faqe. BeteBet u përmend në dëshmitë e përfshira në aktakuzën turke të vitit të kaluar, dhe Tokkan, i cili punonte për Hüsnü Falyali, u akuzua si menaxher i një organizate kriminale. Tokkan dhe Hüsnü Falyali nuk u përgjigjën kërkesave për koment.

“Le të themi se dikush bëri një ankesë [dhe faqja e BeteBet] u mbyll. Në një moment, në 16 sekonda, BeteBet2 do të jetë në funksion. Këto janë shumë të lira,” i tha Önal OCCRP.

Operacionet e kumarit online shpesh e shpërndajnë infrastrukturën e tyre gjerësisht, për shembull duke regjistruar kompani në një vend dhe vendosur serverë në një tjetër, ndërkohë që lëvizin para përmes juridiksioneve të tjera në formën e parave të gatshme ose cryptocurrency, tha Jeremy Douglas, shef i stafit dhe këshilltar strategjie për Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin.

“Kumari krijoj një mënyrë të jashtëzakonshme varësi, është një industri e madhe, tashmë, që ka vite që ekziston, natyrisht, me kazinotë në Makao dhe Vegas dhe në pjesë të ndryshme të botës,” i tha ai OCCRP-së. “Por interneti e ka ndryshuar dhe e ka fuqizuar atë.”

Të ardhurat më të larta të tatueshme që Larsen ka deklaruar ndonjëherë ishin 1.2 milionë dollarë, në vitin 2021. Por Önal e akuzoi kompaninë se regjistrimet e saj tatimore nuk tregonin pamjen e plotë dhe ishin kryesisht të destinuara për të justifikuar tatimet e punonjësve të saj zyrtarë.

Në kohën kur ai u largua nga operacioni, në fund të vitit 2021, Önal tha se biznesi punësonte ligjërisht disa qindra persona. Por numri i vërtetë i stafit, sipas tij, ishte më afër 1,500, kryesisht studentë djem nga Turqia.

Önal tha se pagesat për zyrtarët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Turqisë, të njohur si AKP, dhe për UBP-në në veri të Qipros ndihmuan në shmangien e kontrollit. (Asnjëra nga këto parti nuk iu përgjigj pyetjeve.)

Flamujt e UBP në Qipron Veriore.
Credits: Agjensia Fotografike Caro/Alamy Stock Photo – Flamujt e UBP në Qipron Veriore

Megjithatë, operacioni duhej të ruante një fasadë, që do të thoshte të ishte diskret për fuqinë e tij punëtore të madhe dhe të re.

“Kjo është një shifër e madhe për Qipron,” tha Önal. “Ata kanë makina dhe gjithçka tjetër, sepse i paguajmë shumë mirë. A nuk do të binte kjo në sy?”

Për këtë arsye, ai tha se Larsen dërgonte ekipe jashtë vendit për të punuar në vende si Malta, Bjellorusia dhe Maqedonia e Veriut, për të mbështetur infrastrukturën e pagesave që qëndronte pas faqeve të basteve. (Önal nuk ofroi dokumente për të mbështetur këtë pretendim. Prokurorët në Maqedoninë e Veriut i thanë OCCRP-së se dy persona të dyshuar për organizimin e kumarit të paligjshëm online për klientë turq “kanë një lidhje” me Falyali-n, por theksuan se hetimet janë ende në vazhdim.)

Transferimi i shpejtë i parave

Industria e basteve të paligjshme online ka njohur një rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit, veçanërisht pas izolimeve të COVID-19. Sot, vlerësohet se gjeneron qindra miliarda dollarë në vit. Por këto fitime të mëdha sjellin një problem: Si të lëvizen shuma të mëdha parash pa aktivizuar alarmet e bankave dhe policisë?

Sipas raportit të Ministrisë së Financave të Turqisë dhe aktakuzës pasuese, organizata e Falyali-t kishte rekrutuar mijëra njerëz për të hapur llogari bankare, karta krediti, llogari në kriptomonedha dhe profile në platforma të ndryshme pagesash online. Këto llogari, sipas ekspertëve të pastrimit të parave, funksiononin si “llogari të mjet-mulë”, një teknikë për të mbledhur pagesat e lojtarëve në llogari të ndryshme dhe më pas për t’i transferuar ato përmes një rrjeti të gjerë llogarish të palidhura mes tyre, duke fshehur kështu gjurmët e parave.

Shumica e të rekruturve (“mula parash”) ishin studentë, pensionistë, shtëpiake ose punëtorë me paga të ulëta. Shpesh, ata rekrutoheshin përmes rrjeteve sociale, ku reklamat i drejtonin drejt formularëve që mund të plotësonin. Më pas, ata merrnin një telefonatë me udhëzime se si të hapnin disa llogari bankare, sipas një aktakuze të veçantë të lëshuar nga autoritetet turke në vitin 2018 kundër Önal-it dhe të tjerëve për pastrim parash. (Gjyqi për këtë çështje është planifikuar të nisë më vonë këtë vit.)

Në disa raste, thuhet në aktakuzë, një person me motor mbërrinte dhe merrte personalisht informacionin e llogarisë dhe kartat e debitit të rekrutëve. Në këmbim, këta “mula” përfitonin rreth 570 dollarë në muaj.

Önal përshkroi një sistem me strukturë piramidale, ku individë të besuar mbikëqyrnin grupe mbajtësish llogarish, secili prej të cilëve përfitonte një komision nga flukset financiare.

“Le të themi se po flas për grupin tonë në Angli… Ahmeti është një djalë që punon me mua… ai ka 50 miq. Ahmeti i thotë njërit prej tyre: ‘Më jep numrin e llogarisë tënde, do të të vijnë 500 paund.’ [Ai] mban 10 për qind të shumës – 50 paund, ndërsa 450 paundët e tjerë m’i jep mua në dorë.”

Për çdo dhjetë persona kishte një “garant”, i cili ishte përgjegjës për të siguruar që grupi i tij të ndiqte udhëzimet dhe ndante komisionin e tij 10 për qind me mbajtësit e llogarive.

Jeremy Douglas, eksperti i OKB-së për krimin e organizuar, tha se sistemi i përshkruar nga Önal dhe prokurorët turq ishte i ngjashëm me ato që ai kishte parë në Azi, ku shpesh rekrutoheshin shoferë taksie për të lëvizur të ardhurat nga kumari.

“Kjo është një vepër penale shumë teknike, dhe kemi të bëjmë me njerëz në juridiksione ose të korruptuara, ose me kapacitet shumë të ulët, ose të dyja bashkë, të cilët në thelb janë të paaftë ose në disa raste të papërgatitur për të ndërmarrë ndonjë veprim kundër saj,” tha ai.

Shumat e parave të lëvizura nga “mulat” mund të grumbulloheshin me shpejtësi. Një punonjës i Larsen, i arrestuar në Qipron e Veriut në vitin 2020, dyshohet se kishte tërhequr ekuivalentin e mbi 3 milionë dollarëve nga 376 llogari bankare duke përdorur karta ATM brenda vetëm dy muajve, sipas deklaratave të policisë të raportuara nga media lokale. OCCRP nuk mundi të përcaktonte statusin aktual të çështjes ose të kontaktonte punonjësin për koment.

Megjithatë, sistemi nuk ishte pa rreziqe. Në një telefonatë të përgjuar nga hetuesit turq në vitin 2017, i njëjti punonjës i Larsen mund të dëgjohet duke i thënë një personi, të cilin Önal e identifikoi si një nga “garantët” e operacionit, se një mbajtës llogarie kishte tërhequr të paktën 13,000 dollarë nga katër banka të ndryshme.

Për shuma edhe më të mëdha parash, Önal tha se organizata kërkonte llogari biznesi të mbajtura nga figura të njohura, të cilëve u ofrohej i njëjti komision prej 10 për qind si garantë.

“Nëse personi është një biznesmen i mirë, shumë i njohur, le të themi se ai depoziton 100,000 euro,” tha ai. “Ne i themi: ‘Vëlla, më jep llogarinë e një biznesmeni jashtë vendit.’ Kështu që banka të mos bëjë pyetje kur të mbërrijnë 100,000 euro.”

Raporti i Ministrisë së Financave të Turqisë tregonte se paratë e grumbulluara në llogaritë ndërmjetëse transferoheshin shumë herë, një proces që ekspertët e quajnë “shtresëzim” (layering). Në një rast, brenda 60 sekondave u kryen 10,105 transferta, duke bërë që hetuesit turq të arrinin në përfundimin se ky proces ishte automatizuar.

Paratë më pas shndërroheshin në kripto-asete ose tërhiqeshin në para të gatshme në bankomatë, thuhej në raport.

Önal shpjegoi se paratë e grumbulluara nga operacionet e organizatës në Evropë dhe rajone të tjera më pas konsolidoheshin në qendra rajonale në Evropën Lindore dhe Kaukaz, ku rrjeti mund të operonte më lirshëm.

“Atje ka jetë. Ka pije”

Qendra tregtare e lartë Galleria Minsk ndodhet pranë brigjeve të lumit Svislach në një zonë të gjallë të kryeqytetit të Bjellorusisë. Ajo është në pronësi të djalit të një biznesmeni të lidhur me Kremlinin dhe ka një ish-anëtar të këshillit të qytetit të Minskut mes aksionarëve të saj. Ky kompleks është i njohur për klientët e tij të pasur ashtu siç është për dyqanet e tij moderne.

Qendra tregtare Galleria Minsk në Bjellorusi
Credits: Jon Arnold Images Ltd/Alamy Stock Photo – Qendra tregtare Galleria Minsk në Bjellorusi

Brenda hotelit DoubleTree by Hilton në qendrën tregtare ndodhet H Casino, i hapur në vitin 2021. Sallat e tij të zbukuruara me ar, të mbushura me llambadarë dhe të frekuentuara nga gra me kostume ekstravagante, tërheqin rregullisht yje të muzikës pop nga Rusia dhe Turqia. Sipas një baze të dhënash komerciale të kompanive bjelloruse, kjo kazino ka qarkullimin më të lartë financiar nga të gjitha kazinotë në vend.

Kjo kazino ishte gjithashtu vendi ku, sipas Önal, ai mbikëqyrte mbledhjen e parave të gatshme nga operacionet e paligjshme të basteve në tregjet evropiane, si Gjermania, Holanda, Republika Çeke, Austria dhe Polonia. Ai shërben gjithashtu si bazë për ekipin financiar të Larsen, i cili merret me përpunimin e pagesave me karta krediti.

Me koston e ulët të jetesës dhe nivelet e larta të korrupsionit zyrtar, Bjellorusia ishte një zgjedhje e qartë për të vendosur një pjesë të stafit të Larsen, shumë prej të cilëve rekrutoheshin nga studentët turq që studiojnë në universitetet e Qipros Veriore, tha Önal.

“Djemtë e duan,” shtoi ai. “Ka shumë vajza, ka jetë, ka pije.”

H Casino është në pronësi të plotë të një biznesmeni turk, Mustafa Egemen Şener, të cilin Önal e përshkruan si partnerin e biznesit të Falyali në Bjellorusi. Şener nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Gazetarët identifikuan gjithashtu një person, profilin në rrjetet sociale të të cilit e liston Les Ambassadeurs – kazinoja e Falyali – si vend pune. Ky individ kishte shërbyer gjithashtu si menaxher në H Casino. Regjistrat kufitarë tregojnë se ai kishte udhëtuar me Şener midis Bjellorusisë dhe Ukrainës.

Një pjesë e parave të gatshme që mbërrijnë në Bjellorusi depozitohen në llogaritë e kazinosë si të ardhura dhe mund të transferohen më pas në Dubai, sipas Önal. Shuma të tjera, tha ai, transportohen me avion direkt në Aeroportin Ndërkombëtar të Larnakës, në Republikën e Qipros, nga ku më pas kontrabandohen në Qipron Veriore. (Aeroplanët mund të ulen në Qipron Veriore vetëm nëse vijnë nga Turqia.)

Rrjeti kishte një mekanizëm të strukturuar për të siguruar që paratë e gatshme të kalonin në veri pa probleme. Së pari, një partner me lidhje të forta në jug organizonte nxjerrjen e parave nga aeroporti, duke marrë një përqindje prej tre deri në pesë për qind si shpërblim, tha Önal. Paratë e padeklaruara anashkalonin kontrollet e aeroportit, falë pagesave të rreth 5,000 eurove për çdo 1 milion euro të kontrabanduar për zyrtarët doganorë.

Më pas, partneri sigurohej që paratë të mbroheshin gjatë transportit nga aeroporti deri te pika e kalimit në anën greko-qipriote. Në anën turko-qipriote, një zyrtar i lartë i forcave të rendit organizonte kalimin e sigurt, sipas Önal. Paratë më pas depozitoheshin në bankat lokale të Qipros Veriore, të cilat nuk zbatojnë kontrollet standarde kundër pastrimit të parave, shtoi ai.

“Loja e fatit”

Ndër më shumë se 240 të dyshuar që u akuzuan vitin e kaluar, prokurorët në Ankara identifikuan 35 individë si “liderë” të organizatës. Ata përfshinin Özge Taşker Falyali, si dhe menaxherin e Kazinosë Les Ambassadeurs, Hakan Atıcı. Ata përballen me dënime që kalojnë 50 vjet.

Cemil Önal (majtas) me Özge Taşker Falyali (djathtas)
Credits: Ofruar nga Cemil Önal – Cemil Önal (majtas) me Özge Taşker Falyali (djathtas)

Sipas të dhënave të regjistrimit të domeneve, Atici ka regjistruar personalisht dhjetëra faqe bastesh, me emra si iranbets.com, bet4usa.com dhe maradonabet.com. Atici nuk iu përgjigj kërkesave për koment.

Sipas Önal, si aktakuza e vitit të kaluar ashtu edhe ajo e vitit 2018 kundër tij kishin dy qëllime për autoritetet turke: të konfirmonin se ryshfetet e paguara nga rrjeti ishin në përpjesëtim me të ardhurat e tij dhe të dërgonin një mesazh paralajmërues se qeveria mund të godiste në çdo moment.

“Kjo është thjesht për të frikësuar Özge-n,” tha Önal. “Me fjalë të tjera, për t’i thënë: ‘Mos na vidh paratë, paguaj komisionin tënd siç duhet, ne e dimë sa fiton.’”

Si provë shtesë se aktakuza e fundit turke ishte “bosh”, Önal përmendi faktin se Özge Taşker Falyali ndodhej në Qipron Veriore, duke festuar ditëlindjen e saj të 41-të, vetëm disa ditë pas shpalljes së akuzave. Këtë javë, ajo u shfaq pranë liderit turko-qipriot në një funeral shtetëror të transmetuar drejtpërdrejt për një biznesmen të njohur.

Sipas Önal, operacioni i basteve tani menaxhohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe – një zgjedhje e natyrshme, duke marrë parasysh lehtësinë për të hapur llogari bankare, për të regjistruar kompani dhe për të siguruar viza atje, me shumë pak pyetje të bëra.

Gazetarët nuk mundën të konfirmonin në mënyrë të pavarur këtë pretendim për shkak të vështirësive në raportimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por Özge Taşker Falyali duket se ka një prani të konsiderueshme në Dubai. Sipas të dhënave të rrjedhura të pronave, ajo zotëron një duzinë pronash luksoze atje, të blera për një total prej 62 milionë dollarësh brenda një viti, në 2023.

Ndërkohë, BeteBet ka përditësuar këtë javë versionin më të fundit të domenit të saj, ndërsa disa nga portofolët e identifikuar nga hetuesit financiarë turq në 2022 kanë shfaqur aktivitet edhe muajin e kaluar.

Sa për Falyali-n, gjatë jetës së tij, dyshimet mbi përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme duket se patën pak ndikim në statusin e tij në Qipron Veriore.

Ai nuk u arrestua kur Shtetet e Bashkuara ngritën një aktakuzë ndaj tij dhe vëllait të tij Hüsnü për pastrim parash në 2015, dhe nuk ka asnjë tregues se ai ose kompanitë e tij janë hetuar në Qipron Veriore. (Autoritetet amerikane e hodhën poshtë aktakuzën pas vrasjes dhe refuzuan të komentojnë çështjen.)

Pas vrasjes së Falyali-t, zyrtarë të lartë turko-qipriotë morën pjesë në funeralin e tij, ndërsa arkivoli i tij u mbulua me flamurin kuq-e-bardh të Qipros Veriore dhe atë të Turqisë.


Autorë të shkrimit janë:

Edik Baghdasaryan (Hetq), Ivan Blazevski (IRL), Julian Bonnici (Amphora Media), Jacob Borg (Times of Malta), ⁨Lindita Çela⁩ (Shteg.org) Saska Cvetkovska (IRL), David Davidson (FTM), Aylin Elci (Freelance), Margaux Farran (OCCRP), Cevheri Guven⁩ (Freelance), Stas Ivashkevich (BIC) Maja Jovanovska (IRL), Yana Mickevich (BIC), Henk Willem Smits (FTM), Tom Stocks (OCCRP), Alina Tsogoeva (OCCRP), Emma Wright (OCCRP), Kira Zalan (OCCRP)

https://www.occrp.org/en/investigation/inside-the-global-online-betting-empire-of-a-slain-turkish-cypriot-businessman 

/shteg.org

Artikulli paraprakSPAK po ju rrëzon Maskat!
Artikulli tjetërOBSH mbështet vendosjen e paralajmërimit për kancerin në shishet e alkoolit