Brexit, Brukseli ende i qetë

Bernd RIEGERT

Në prag të referendumit për Brexit-in në Bruksel ka shumë pyetje ende të hapura. Ndërsa shtetasit britanikë që punojnë në Bruksel dhe në institucionet e BE-së sillen sipas proverbit britanik: “Keep calm and carry on!”. Pronari i barit “The Old Hack” përballë selisë së Komisionit të BE-së në Bruksel është i qetë. Referendumi në lidhje me qëndrimin apo daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian pas 43 vjetësh anëtarësimi nuk do të ndikojë shumë në biznesin e tij. “Njerëzit gjithmonë pinë”, bën ai shaka. Për më tepër zyrtarët britanikë në Komisionin Evropian, në Shërbimin e Jashtëm të BE-së dhe në Këshillin e Ministrave nuk do të largohen befasisht nga Brukseli. Vetëm njëri nga klientët e rregullt ndoshta nuk do të vijë më aq shpesh në “Old Hack”: Nigel Farage, eurodeputeti i partisë “United Kingdom Independence Party” (UKIP), i cili lufton për daljen e atdheut të tij nga BE-ja që nga viti 1999. “Ai vjen shpesh këtu dhe do të organizojë një festë të madhe lamtumire, nëse në referendum do të votohet për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian”, thotë pronari i barit.

Britanikët mund të vazhdojnë të punojnë

Rreth 1200 qytetarë britanikë punojnë në Komisionin e BE-së. Vetëm pak prej tyre që kanë poste të larta politike si drejtor i Përgjithshëm apo si Komisioneri Evropian për Tregun e Kapitalit, Jonathan Hill, do të duhet ndoshta të lirojnë shpejt postet e tyre. Edhe gjykatësi britanik në Gjykatën Evropiane ose shefi i Europolit, Rob Wainwright duhet të largohen. Të gjithë të tjerët mund të vazhdojnë të punojnë, mendon sindikata përkatëse, për shkak se kontratat janë bërë me individët dhe jo me Mbretërinë e Bashkuar. Pierre Bacri nga Shoqata e Zyrtarëve Evropianë tha në Bruksel, se do të gjendet një “zgjidhje e arsyeshme”. Një referendum i propozuar për anëtarësimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian do të jetë lajm i keq për ata që kanë pasaportë britanike, mendon Janis Emmanouilidis nga think tank “Qendra e Politikës Evropiane”: “Edhe pse mund të gjendet një mënyrë që ata të vazhdojnë të punojnë si punonjës civilë, të rinjtë do të mendojnë nëse me të vërtetë duan të punojnë në BE, ku vendi i tyre nuk është i përfaqësuar? Çfarë do të thotë kjo për karrierën time?”. Po ashtu gati duhet të bëjnë valixhet edhe 73 eurodeputetët britanikë. Edhe pse deputetja laburiste Dame Glenis Willmott mendon se mund të qëndrojë deri në fund të periudhës legjislative derisa të përfundojnë modalitetet për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Shumë pikëpyetje

Komisioni i BE-së dhe Këshilli i Ministrave të BE-së, nuk shprehen zyrtarisht për skenarë të mundshëm, nëse Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian. Nuk ka as një plan B, edhe as mendime se si duhet të negociohet largimi, tha një zëdhënës. Paragrafi 50 në Traktatin Evropian të Lisbonës thotë vetëm, se shteti anëtar duhet të paraqesë me shkrim synimin për t’u tërhequr nga BE-ja, dhe pastaj brenda dy vjetësh duhet të negociohen hollësitë. Megjithatë 27 shtetet anëtare nuk kanë ndër mend t’ia bëjnë aq të lehtë Britanisë së Madhe largimin nga BE-ja, është i sigurt Janis Emmanouilidis nga think tank “Qendra e Politikës Evropiane”. Procesi do të jetë i gjatë dhe i vështirë dhe nuk dihet se sa mund të zgjasë.

Rikthim në EFTA?

Nigel Farage, luftëtar për Brexit-in, dëshiron që një Britani e Madhe sovrane të vazhdojë edhe më tej tregtinë me pjesën tjetër të Evropës, por sigurisht pa paguar edhe për Evropën. Britania teorikisht mund të anëtarësohet përsëri në EFTA. EFTA është Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë, ku bëjnë pjesë Lihtenshtajni, Zvicra, Islanda dhe Norvegjia. Këto vende të gëzojnë hyrje të lirë në tregjet e BE-së dhe mund të marrin pjesë në programet e BE-së, por nuk mund të thonë fjalën e tyre në marrjen e vendimeve. Po ashtu ato duhet të paguajnë një lloj pagese anëtarësie. Norvegjia, për shembull, paguan sipas ambasadës norvegjeze në Bruksel 866 milion euro në vit në buxhetin e BE-së. Në rastin e Britanisë së Madhe, kontributi në EFTA që bazohet në numrin e popullsisë dhe tek fuqia ekonomike e vendit do të ishte gati nëntë miliardë euro. Kjo shumë është vetëm dy miliardë euro më pak se shuma aktuale neto që paguan Britania si anëtare e plotë në buxhetin e BE-së.

Exit mobile version