Britania jashtë Bashkimit Europian ndryshon edhe futbollin në ishull. Pasi i thanë jo Bashkimit Europian nëpërmjet referendumit, Premier League pritet të këtë ndryshime në rregullore. Pasojat e para të votimit u panë tek monedha Paund, që pësoi një zhvlerësim në krahasim me Euron e Dollarin dhe si pasojë e kësaj, klubet angleze do të paguajnë më shumë për yjet e futbollit. Për shembull nëse një skuadër angleze për mesfushorin Paul Pogba do të paguante 120 milionë euro, tani do t’u duhet të derdhin në arkat e klubit të Juventusit 160 milionë, ndërkohë që për Shtetet që janë brenda Unionit Europian, blerjet në Angli mund të rezultojnë më ekonomike.
Momentalisht në Premier League, luajnë 65 futbollistë, të cilët nuk janë me shtetësi angleze dhe në këtë rast disa prej tyre konsiderohen ekstra-komunitarë dhe për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar të gjithë ata duhet të kenë leje pune si dhe duhet të kenë luajtur për dy vite në Kombëtaret e tyre. Aktivizimi i tyre bazohet në rregulloren e përqindjes së ndeshjeve të luajtura dhe renditjes në tabelën e FIFA-s.
Në këtë mënyrë, rregullorja e re mund të shkaktojë dhe largimin e disa emrave të rëndësishëm, siç janë; David De Gea, Martial, Mata, Scheiderlin e shumë emrave të tjerë. Por jo vetëm “Djajtë e Kuq” mund të përfshihen nga një eksod i mundshëm, pasi edhe Man.City është i rrezikuar për të humbur shërbimet e Mangala Navas dhe Nasri. Gjithashtu dhe ylli i skuadrës së West Ham, Dimitri Payet si dhe Mingolet i Liverpool.
Ekspertët financiar shkruajnë se dalja nga BE mund të ndryshojë pamjen e Premier League, një nga kampionatet më të ndjekura në botë. Efekti i parë dhe i menjëhershëm i referendumit është zhvlerësimi i stërlinës britanike. Kjo do të thotë se klubet e premier ligës do ta kenë më të vështirë të blejnë lojtarë nga pjesa tjetër e Europës, pasi çmimi për ta do të jetë më i lartë.
Nëse vlera e Pogbas është 120 milionë euro, për shkak të zhvlerësimit të stërlinës, anglezët do ta blejnë 40 mln euro më shtrenjtë. Efekti i dytë është direkt te lojtarët e Premier Ligës. Për momentin 65% e futbollistëve në këtë kampionat vijnë nga vendet jashtë Britanisë. Deri tani lojtarët me pasaportë europiane luanin pa asnjë problem në Premier Ligë, por Brexit hap të tjera skenarë.
Rasti më i keq është që të gjithë lojtarët europianë si Payet, De Gea, Fabregas, Martial, Nasri apo Mignolet të konsiderohen ekstra komunitarë dhe tani e tutje ata duhet të aplikojnë për leje pune. Problemi tjetër është se tani e tutje në Premier Ligë nuk do të mund të shohim talente poshtë moshës 18 vjeç. Sipas rregullave të FIFA-s lojtarët e kësaj moshe nuk mund të transferohen apo të luajnë në kampionatet jashtë Bashkimit Europian.
Brexit do të ndikojë shumë edhe në rugby dhe në kriket, pasi sipas një marrëveshjeje të vitit 2003, sportistë nga Afrika, Karaibe dhe ishujt e Paqësorit gëzonin të njëjtat të drejta si lojtarët e BE-së.