Shumica e qytetarëve të BE-së duan që britanikët të mbeten pjesë e unionit, këtë konkluzion nxjerr një sondazh i fondacionit Bertelsmann, ku afro 60% e qytetarëve në vende të ndryshme të BE-së, e duan Britaninë e Madhe pjesë të saj.
Bezdia e britanikëve nga BE
Por cilat do të ishin avantazhet e britanikëve në rast të një largimi? Në rast se britanikët vendosin të dalin nga Bashkimi Europian fillimisht do të heqin mënjanë disa bezdi të vjetra për ta: Ata nuk do të duhet më të zbatojnë ligjet e BE-së që shpesh janë ndjerë si kufizime, nuk do të duhet të marrin emigrantë pa kufi dhe nuk janë të detyruar më të paguajnë kontribute për shtetet e unionit që janë të zhytura në borxhe dhe aktualisht në krizë ekonomike. Kjo do të thotë që rreth 5 miliardë euro në vit do të mbeten në Britaninë e Madhe dhe nuk do të rrjedhin drejt Brukselit. Këtë shumë duhet ta kompensojnë shtetet e tjera anëtare të BE-së. Gjermania do të duhej të paguante këtu kontributin më të madh.
Por “Jo”-ja e britanikëve nuk do të kalonte pa pasoja për këtë vend. Deri në vitin 2020, kështu vlerëson Dhoma britanike e Industrisë (CBI), fuqia ekonomike e Britanisë së Madhe do të dobësohet me 128 miliardë euro. Ishulli nuk ka më akses të garantuar tek një treg shumë i rëndësishëm, si tregu i Bashkimit Europian. Nga ana tjetër shumë firma do të largoheshin nga Britania e Madhe. Prodhuesit e makinerive si “Nissan”, nuk do të mund të furnizonin Europën kaq thjesht si tani. Largimi i bizneseve mund t’u kushtonte britanikëve gati 1 milion vende pune. Bankat ndërkombëtare do t’i kthenin kurrizin Londrës. Goldman Sachs do të shkonte në Frankfurt mbi Main-, sepse kjo bankë dëshiron të mbetet në BE. City – një nga bursat më të rëndësishme të botës do të humbiste peshën e sotme.
Britanikët duhet të negocionin marrëveshje të reja me secilin vend të BE-së, kjo mund të zgjasë dhe këtu britanikët janë partneri më i vogël 65 milionë banorë kundrejt 435 milionë banorëve të BE-së. Britanikët duhet të vendosin sërish doganat dhe kjo do t’i shtrenjtonte si importet ashtu edhe eksportet. Britania e Madhe do të humbiste 3,0 të Prodhimit të Brendshëm Bruto. A ka fitues në rast të Brexit? Ekonomistët thonë jo. Si ekonomia e Britanisë së Madhe ashtu edhe BE do të humbisnin në rast se britanikët do të largoheshin, sepse BE humbet një partnere të fortë.