Karlo Bastasin
A është Brexit një dëshmi se Evropa nuk është duke funksionuar? Në fakt, ajo që tregon Brexit është se në disa raste, demokracitë kombëtare mund të bëhen jofunksionale – për shembull, kur vendimet komplekse i kalojnë kufijtë kombëtarë dhe kanë efekte të mëdha. Kjo është një gjetje problematike dhe konfuze. Por ajo vetëm sa na mëson se BE-ja s’mund të funksionojë, në qoftë se nuk funksionojnë demokracitë përbërëse kombëtare.
Tomas Xheferson ishte avokati më i famshëm i nevojës së një elektorati të mirinformuar, për funksionimin e duhur të demokracisë. Votuesit e mirinformuar, duhet të jenë në gjendje të gjejnë një lidhje racionale ndërmjet zgjedhjes së tyre, ciladoqoftë ajo dhe pasojave të saj. Ne tani e dimë se lidhja racionale ishte e panjohur për shumë votues britanikë, si dhe për përfaqësuesit e tyre politikë, jo vetëm para zgjedhjeve, por edhe pas tyre, pasi zbuluam se ata nuk kishin përgatitur ndonjë plan post Brexit.
Kur demokracitë kombëtare funksionojnë keq në këtë drejtim, pasojat shkojnë edhe përtej kufijve të tyre. Efektet e Brexit në qeverisjen e Evropës, janë të qarta të paktën në një aspekt: ai rrit rreziqet rreth Evropës. Dhe kur këto të fundit shtohen, ajo që ndryshon është balanca ndërmjet dy strategjive që ne ndjekin për të qeverisur BE-në: reduktimin e rrezikut në nivel kombëtar dhe ndarjen e rrezikut në nivel komunitar.
Këto dy strategji, duhet të çohen para dorë për dore. Megjithatë, sa më të larta rreziqet, aq më e ulët është gatishmëria për t’i ndarë ato. Tek vendet më të forta, solidariteti bëhet më i kushtueshëm; ndërsa vendet e dobëta lihen t’ia dalin vetë përballë vështirësive. Gjatë viteve të fundit, ne kemi parë tashmë që mosbesimi dhe antagonizmi kanë prodhuar recesion dhe rebelim kundër Evropës. Një tjetër periudhë pasigurie për të ardhmen e Evropës do të jetë politikisht dhe ekonomikisht e paqëndrueshme.
Kjo që po ndodh, nuk duhet të cilësohet si diçka e papritur. Sa herë që qytetarët humbasin besimin tek funksionimi i politikës kombëtare, ata menjëherë kthehen edhe kundër politikës jo kombëtare. Sondazhet tregojnë se cilësia e dobët e politikës kombëtare ushqen mosbesimin në dimensionin mbikombëtar. Shpesh, politikanët me cilësi të ulët ndihmojnë në transferimin e mosbesimit dhe godasin Evropën apo vendet e tyre fqinje në shpresën e rindërtimit të mbështetjes ndaj tyre në shtëpi.
Ngjarjet e fundit politike na thonë se, rritja e mosbesimit nuk varet vetëm apo edhe kryesisht nga ekonomia. Mosbesimi rritet madje edhe në vendet, ku rritja ekonomike është e fortë, si Poloni, Britani e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e kanë patur papunësinë në nivele historikisht të ulëta. Në mënyra të ndryshme, të gjitha këto vende kanë një pozitë të privilegjuar në atlasin ekonomik global, por të çarat në shoqëritë e tyre kanë vazhduar të zgjerohen, duke ndjekur rrugë të shumta nëntokësore, të cilat çuan në një formë të intolerancës ndaj të huajve.
Përkundër këtij sfondi, ata që duan të përmirësojnë mënyrën e funksionimit të BE-së dhe eurozonës, përballen me një detyrë të frikshme. Në fakt, një Europë federale ose më shumë bashkëpunuese kërkon demokraci kombëtare që funksionojnë shumë mirë, ku njerëzit i besojnë autoriteteve publike dhe nuk janë ekonomikisht të shkurajuar.
Mjerisht, nuk duket të jetë shumë nga kjo frymë sot në BE. Qeveria gjermane është ndoshta e vetmja në BE, që sheh përpara me ndjenjën e stabilitetit dhe konsensusit. Megjithatë, reagimi i saj politik ndaj Brexit u dorëzohet gjetjeve të hidhura në lidhje me cilësinë e diskursit politik në vendet evropiane. Berlini është duke e përmbysur kursin e tij tradicional të përparimit shumë gradual drejt integrimit më të thellë politik dhe institucional. Qeveria gjermane ka lënë kësisoj mënjanë idetë mbikombëtare apo federaliste, në favor të marrëdhënieve ndërqeveritare, me racionalitetin e përcaktuar nga balanca e pushtetit apo koherencës së supozuar të zgjedhjeve kolektive të udhëhequra nga kufizimet ekonomike.
Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shojble, ndoshta federalisti më i thekur në mesin e politikanëve gjermanë, është kthyer kundër pozicioneve të tij tradicionale në favor të marrëdhënieve ndërqeveritare – ku vendet e forta kanë rolin kryesor dhe me Gjermaninë gjithmonë në anën e duhur të historisë. Ndërsa ngjarjet politike në vendet fqinje tregojnë një zhvendosje nga rregullat e Evropës dhe madje edhe nga parimet e saj dhe të të drejtave civile, Berlini është bërë në mënyrë të kuptueshme i interesuar në uljen e rreziqeve të saj.
Siç u përmend më lart, Brexit ndihmoi në animin e balancës mes ndarjes së rrezikut dhe reduktimit të tij, në favor të këtij të fundit. Megjithatë, përvoja e viteve të fundit ka treguar se zgjidhja e “secili për veten e vet” nuk është e qëndrueshme, politikisht apo ekonomikisht. Një ekuilibër i sistemit të pushtetit mes qeverive është natyrshëm hierarkik dhe superioriteti i Berlinit ka qenë një nga arsyet pse shumë evropianë janë distancuar nga ideja e një politike dhe ekonomie të përbashkët.
Ne e gjejmë veten në kushte jashtëzakonisht të vështira. Tabloja e demokracive të dobëta kombëtare është duke u bërë një pengesë për respektin e ndërsjellë dhe bashkëpunimi mund të jetë dekurajues. Megjithatë, këtu qëndron edhe thelbi i mosfunksionimit. Ne kemi nevojë për t’i bërë më të forta demokracitë kombëtare, përmes përvetësimit të kontekstit evropian. Diskursi publik kombëtar duhet të kapërcejë kufijtë, t’i bëjë qytetarët kombëtarë evropianë të mirinformuar. Pavarësisht nga të metat e tij, integrimi politik evropian duhet të forcohet dhe jo braktiset.