Brexit po vonon, a do të marrin pjesë britanikët në zgjedhjet evropiane?

Bashkimi Evropian duket se do të pajtohet me një vonesë për daljen e Britanisë nga blloku, por zyrtarët në Bruksel janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë kjo në zgjedhjet parlamentare evropiane të majit.

Ata kanë frikë se një valë euro-skeptikësh nga votuesit britanikë, nëse vendi merr pjesë në zgjedhje, do ta forcojnë rrymën e fortë populiste të pritshme në kontinent.

Disa zyrtarë të BE-së po eksplorojnë tani mënyra ligjore për të bllokuar pjesëmarrjen britanike me arsyetimin se Britania mund të mos jetë anëtare kur të përfundojë mandati parlamentar.

Në vend të kësaj ata duan që deputetët e tanishëm britanikë në Parlamentin Evropian të vazhdojnë të mbajnë postin ose që qeveria britanike të emërojë deputetë të përkohshëm europianë, të cilët të pasqyrojnë forcat aktuale të partive në Dhomën e Komunave të Britanisë.

Por edhe përkrahësit e Brexitit po eksplorojnë veprime ligjore për të bllokuar çdo përpjekje për të parandaluar pjesëmarrjen britanike. Kryesuesi i tyre Nigel Farage thotë se një parti e re e krijuar prej tij ka plane për të futur një listë të plotë kandidatësh. Avokatët që veprojnë për grupin e fushatës Brexit, “Leave Means Leave”, janë në bisedime me qeverinë.

John Longworth, kryetar i grupit, i cili favorizon një shkëputje edhe pa marrëveshje, tha në një deklaratë: “Ne jemi të vendosur të sfidojmë qeverinë dhe BE-në nëse ata përpiqen të mohojnë të drejtën demokratike të popullit të Mbretërisë së Bashkuar për t’u përfaqësuar në Parlamentin e BE-së.”

Të enjten, Kryeministrja Theresa May pritet të takojë udhëheqësit evropianë në Bruksel, ku ajo do të kërkojë shtyrjen e Brexit-it pas refuzimit nga Parlamenti të marrëveshjes së saj për tërheqjen nga BE-ja, e cila u miratua nga Brukseli nëntorin e kaluar. Dhoma e Komuneve gjithashtu ka bllokuar Britaninë për të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje.

Nuk është e qartë nëse ajo do të kërkojë një zgjatje të shkurtër tre mujore, duke shpresuar ende për të siguruar miratimin parlamentar për marrëveshjen e saj, që është hedhur poshtë dy herë deri tani, apo një shtyrje më të gjatë. Franca dhe Gjermania favorizojnë një zgjatje më të gjatë prej 21 muajsh.

Kryeministrja May i ka paralajmëruar ligjvënësit që e kundërshtojnë marrëveshjen e saj, të cilën ajo mund ta hedh përsëri në votim të martën, se do të duhet të marrin pjesë në zgjedhjet evropiane, nëse votojnë përsëri kundër marrëveshjes së saj të divorcit me BE-në dhe dalja vonohet përtej qershorit 30, pak para se deputetët e rinj të marrin vendet e tyre.

Kaosi Brexit po bëhet gjithnjë e më shumë një makth ligjor ashtu si edhe politik për Britaninë dhe BE-në. Një opinion ligjor i ofruar për ambasadorët e BE-së javën e kaluar, paralajmëroi se Brukseli do të ishte i detyruar sipas rregullave të bllokut të përfundonte anëtarësimin britanik në BE më 1 korrik, nëse Britania nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 majit.

“Asnjë zgjatje nuk duhet të jepet përtej 1 korrikut nëse nuk zhvillohen zgjedhjet e Parlamentit Evropian në datën e caktuar”, thuhet në opinionin ligjor.

Për zyrtarët e BE-së dhe politikanët e qendrës evropiane, të cilët gjithmonë kishin shpresuar se Brexit nuk do të ndodhte, perspektiva e pjesëmarrjes britanike në zgjedhjet e majit mund të ishte me pasoja.

“Mund të shohim shumë më tepër njerëz si Farage-i të zgjedhur në parlament”, tha një zyrtar i lartë i BE-së. “Dhe kjo rrezikon rrënjosjen e populistëve dhe minimin e përpjekjeve për të rivendosur stabilitetin dhe parashikueshmërinë përballë rritjes së nacionalizmit”, shtoi ai.

Të hënën, ministri britanik i tregtisë Liam Fox, paralajmëroi konservatorët në pushtet se ata “duhet të jenë gati të marrin pjesë në zgjedhjet evropiane në maj”.

Zgjedhjet parlamentare evropiane të këtij viti ka të ngjarë të jenë më të rëndësishmet që blloku ka mbajtur ndonjëherë. Dy vizione kontradiktore të Europës janë përpara votuesve me centristët e kryesuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe populistët nacionalistë të mbështetur nga Matteo Salvini i Italisë. Populistët janë drejtuar për këshilla tek ish ndihmësi i Donald Trumpit, Steve Bannon.

Macron e ka pozicionuar veten si antidotë për “demokracitë jo liberale” të Evropës Qendrore dhe mbrojtësit e Bashkimit Europian të kërcënuar nga nacionalistët populistë si Salvini. Udhëheqësi francez dëshiron të reformojë dhe të ringjallë bllokun duke thelluar integrimin politik dhe ekonomik të Evropës.

Salvini 44-vjeçar dëshiron të kundërtën, jo vetëm një frenim në integrimin e mëtejshëm, por edhe një grupim më të lirshëm të shteteve me më pak detyrime nga traktatet e Brukselit dhe të BE-së. Hulumtuesit parashikojnë se euro-skeptikët do të kapin një të tretën e 705 vendeve të parlamentit evropian.

Exit mobile version