“Brigada VIII”, kulla e radhës në ish-Bllok

Nga Arbjona Çibuku

“Brigada VIII” është një nga projektet e shumta të pallateve shumëkatëshe që po zhvillohen në zonën e ish-Bllokut mbi vilat e vjetra.

Projekti, i konceptuar nga Marco Casamonti dhe X-Plan Studio, parashikon 14 kate godinë me funksion të përzier për “shërbime dhe hoteleri” në rrugën me të njëjtin emër “Brigada e VIII”.

Struktura e re po ngrihet krah “City Hotel”-it, një tjetër projekt i ideuar po nga studioja e Casamontit, Archea.

Casamonti njihet si arkitekti i stadiumit kombëtar “Arena”, kullës “Alban Tower” dhe “Velierës” në Durrës.

Ky arkitekt ka disa bashkëpunime me X-Plan Studio, e cila zotërohet nga çifti Ornela Muçaj e Jurgen Memisha. Që prej vitit 2010 X-Plan ka gëzuar projekte të ndryshme arkitekturore në bashkëpunim me arkitektë të huaj si “Eyes of Tirana, “Emerald Center”, “Square 21”, “Soho Towers”, “Aeroporti i Vlorës”, qendra multifunksionale, resorte etj.

Lexo gjithashtu: Stairway to The Sky Palace “vazhdon murin” e pallateve në ish-Bllok

Dy projektet e Mario Casamontit Brigada VIII dhe City Hotel ne ish Bllok
Citizens/ Dy projektet e Mario Casamontit – Brigada VIII dhe City Hotel në ish-Bllok.

Në vendin ku po ngrihet “Brigada VIII” ndodheshin dy vila tre katëshe dhe pas tyre dy njëkatëshe në të cilën qe vendosur restoranti “Ejona”, kthyer në pikë referimi për turistët, që në gusht 2022 mbylli aktivitetin.

Zhvillimi i projektit është marrë përsipër nga kompania “Forever Construction”, e cila zotërohet nga sipërmarrësi Lefter Sota, njohur për aktivitet të kahershëm në përpunim dhe tregtim të hekurit, mallrave industriale dhe ndërtimit.

Sota mori në zotërim kompaninë e ndërtimit në vitin 2021 duke ia blerë kuotat Klodian Allajbeut. Ky ia kishte blerë kompaninë Asllan Fetiut një vit më përpara për vetëm 100 lekë.

Njëmbëdhjetë muaj pasi Sota bleu kompaninë, “Forever Construction” iu gëzua lejes së zhvillimit për projektin madhor Lana Riverside – një bllok prej dy godinash 8 katëshe dhe një kullë me 56 kate krah “Bulevardit Gjergj Fishta” në vendin ku ka qenë Universiteti Europian i Tiranës.

Projekti “Brigada VIII mori lejen e zhvillimit pesë muaj më vonë në dhjetor 2022.

Aktualisht kjo kompani po zhvillon tre projekte, duke pasur parasysh edhe projektin “Manhattan 1” – një pallat masiv prej 30 katesh në nisje të rrugës “Don Bosko” – që mori lejen në prill 2023.

Historiku i zonës ku po ndërtohet

Zona – e njohur rëndomtë si ish-blloku, – u zhvillua kryesisht në periudhën 1925-1943 nën ndikimin e arkitekturës italiane.

Mbi 30 vila dhe blloqe rezidenciale dy-trekatëshe u ndërtuan gjatë kësaj kohe sipas konceptit urbanistik të parcelizimit me oborre dhe lulishte duke i dhënë qytetit një zonë të re me stil modern.

Fillimisht atje u vendosën familje oficerësh italianë, më tej nëpunës, zyrtarë dhe sipërmarrës të kohës së monarkisë.

Gjatë diktaturës vilat u konfiskuan dhe zona u konceptua si bllok ku u vendos udhëheqja politike.

Asaj iu shtuan disa pallate 5-katëshe, ndërsa pas viteve 90-të – dhe veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit – zhvillimi i paplanifikuar mirë tjetërsoi vilat dhe hapësirat e gjelbra në komplekse pallatesh shumëkatëshe./Citizens.al

Exit mobile version