Britania dhe roli i saj global pa Europën

Natalie Nougayrède

Pas tronditjes së dyfishtë që prodhoi Brexit dhe raporti Chilcot, jemi duke u ballafaquar me çështjen më të gjerë se si Britania do të ripërcaktojë rolin e saj në botë – dhe se si ky rol mund të varet ende nga bashkëpunimi që mund të mbajë Londra me fqinjët e saj europianë. Në Samitin e NATO-s në Varshavë, u ofrua një shfaqje e mirëpritur solidariteti perëndimor, në një kohë kur Brexit ka vënë në pikëpyetje të madhe marrëdhëniet transatlantike.

NATO do të mbetet një shtyllë e sigurisë europiane, por kur Britania të fillojë tërheqjen nga BE do të ketë pasoja. Britania ka qenë historikisht e rëndësishme për lidhjen transatlantike. Tani ka një presion në rritje që BE-ja të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e vet, për të parandaluar derdhjen e kaosit në territorin e vet nga Lindja dhe Jugu. Britania do të përballet me zgjedhje të zymta.

E ndarë nga BE-ja, por ende brenda NATO-s, ajo rrezikon të bëhet një partnere gjithnjë e më e vogël e Shteteve të Bashkuara. Ky është një bast, duke pasur parasysh disponimin aktual izolacionist të SHBA, si dhe mundësinë e Donald Trampit për t’u zgjedhur President. Ndërkohë angazhimi me BE-në nga jashtë, mbi politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë, do të kërkojë një sasi të konsiderueshme të vullnetit të mirë nga të dyja palët- që aktualisht mungon tërësisht.

I pyetur se si një kuadër europian mund të kishte shpëtuar Britaninë nga aventura e saj irakiane, Robert Kuper, një diplomat britanik me përvojë, që në vitin 2003 ka punuar me BE-në, thotë: “Është shumë e shëndetshme për çdo qeveri të dëgjojë pikëpamje të ndryshme dhe në drejtim të gjetjes së një sfide ndaj politikës tuaj, BE-ja nuk është një vend i keq”.

Qeveria është në thelb medituese. Dhe nëpunësit civilë nuk janë veçanërisht të mirë në tregimin e të vërtetës shefave të tyre politikë. Sikurse e tregojnë fragmentet nga raporti Chilcot, Toni Bler gjendej i mbërthyer në një marrëdhënie shumë personale me Xhorxh W. Bush (e ilustruar nga shprehja “do të jem me ty, pavarësisht se ç’mund të ndodhë”). Në vitet 2002-2003, Bler nuk e pa asnjëherë veten në një dhomë me udhëheqësit e BE-së – të cilët do ta kishin sfiduar mbi atë se si dhe pse ai kishte planifikuar të zgjidhte problemin Sadam Husein.

Europa ishte sigurisht thellësisht e ndarë mbi Irakun. Dy fuqitë më të mëdha kontinentale, Franca dhe Gjermania, e kundërshtuan me forcë luftën. Presidenti i atëhershëm francez, Zhak Shirak, kërcënoi të vendosë veton ndaj çdo rezolute të OKB-së që mund të autorizonte një ndërhyrje. Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, e bëri kundërshtinë ndaj luftës një temë kryesore të fushatës së tij elektorale për një mandat të dytë qeverisës, në vjeshtë të vitit 2002.

Kjo përforcon deklaratën e Kuperit. Kur BE-ja do të përpiqet të krijojë një pozicion të përbashkët mbi një çështje të ndërlikuar të politikës së jashtme, ajo mund të bëjë një rregullim të imët të zgjedhjeve e saj dhe rregullojë gjërat si duhen. Merrni rastin e Mianmarit: vite më parë qe arritur një balancë në mesin e shteteve të BE-së për sanksionet e ashpra të mbështetura nga SHBA (të cilat i mbështeti edhe Britania e Madhe), dhe pikëpamjeve të vendeve të tjera si Italia, që nuk deshën asnjë sanksion.

Në fund, Europa ushtroi presion duke dekurajuar investimet në Mianmar, por pa mbyllur derën e dialogut. Një element që Britania do të humbë menjëherë sapo të jetë jashtë BE-së, është bashkëveprimi i vazhdueshëm që vjen nga pjesëmarrja e vazhdueshme në takimeve e liderëve të BE-së: një rutinë shpesh e lodhshme, por e domosdoshme, pasi bëhen përpjekje për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për problemet e përbashkëta.

Ajo kulturë e përbashkët diplomatike ekzistoi për 40 vjet – me ulje dhe ngritje – por tashmë është gati për t’u shpërbërë tërësisht. Natyrisht, hartimi i një politike europiane mbi Mianmarim, nuk është e njëjta gjë si të arrish kompromis për të marrë apo jo pjesë në luftën e Lindjes së Mesme. Iraku vuri në lëvizje një përplasje edhe më të thellë të interesave midis europianëve: “marrëdhëniet speciale” të Britanisë me Shtetet e Bashkuara, duke qenë një çështje e rëndësishme në këtë betejë diplomatike.

Por tanimë, me fuqinë globale të SHBA që është duke u bërë më relative, Britania postBrexit do të duhet të mendojë shumë për atë që ende mund të dëshirojë të bëjë me partnerët europianë, mbi politikën e jashtme dhe të sigurisë. Ka bisedime për forcimin e bashkëpunimit BE-NATO. Natali Toci, këshilltare e Federika Mogerinit, përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, beson se Brexit në fund të fundit do të inkurajojë një afrim të tillë – dhe ky ndoshta do të jetë i vetmi rezultat pozitiv i referendumit.

Të tjerët si Xhorxh Robertson, ish-sekretar i Përgjithshëm i NATO, janë më pak të sigurtë, sepse anëtarësimi i Mbretërisë së Bashkuar në BE ka qenë shumë qendror për të kërkuar atë lloj bashkëpunimi. BE-ja nuk mund të shihet si një organizatë me shumë peshë në politikën e jashtme, por ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në marrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit dhe në presionet ndaj Rusisë përmes sanksioneve ekonomike.

Shtetet e Bashkuara kanë dëshmuar në mënyrë të përsëritur, se dëshirojnë që europianët të kenë më shumë rol tek siguria e tyre dhe jo vetëm nëpërmjet NATO-s. Britania do të jetë jashtë klubit të BE-së, por nga terrorizmi tek ndryshimet klimatike dhe emigracioni, asnjë nga sfidat ndërkombëtare me të cilat përballet, nuk janë në asnjë mënyrë të ndryshme nga ato të fqinjëve të saj kontinentalë.

Ekziston rreziku që Britania ta gjejë tashmë veten kaq shumë të ngatërruar në kompleksitetin e divorcit të saj nga BE-ja, saqë do të përfundojë në një pozitë të rrezikshme në skenën ndërkombëtare: e zhgënjyer në lidhje me ndikimin e saj mbi SHBA-në dhe tejet e shkëputur nga diskutimet më të gjera europiane.

 

Exit mobile version