Britania, Franca dhe Ukraina do të përgatisin një plan për armëpushim, Starmer: Do ta diskutojmë edhe me SHBA

Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina po punojnë për një plan armëpushimi që më pas t’ia dërgojnë Shteteve të Bashkuara. Kështu tha kryeministri britanik, Keir Starmer, teksa udhëheqësit evropianë u mblodhën për bisedime në Londër pas takimit të tensionuar të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky me Presidentin Trump.

 

“Mbretëria e Bashkuar së bashku me Francën, dhe ndoshta me një apo dy të tjerë, do të punojnë me Ukrainën mbi një plan për të ndalur luftimet dhe më pas ne do ta diskutojmë atë plan me SHBA-në”, tha Starmer për BBC-në.

Starmer po ashtu theksoi se çdo marrëveshje e paqes për Ukrainën do të kërkonte që SHBA-ja të japë garanci të sigurisë, që është një nga pikat që Zelensky dhe Trump u përplasën gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë më 28 shkurt.

“Unë gjithmonë kam qenë i qartë se do të duhet një siguri e SHBA-së sepse nuk mendoj se mund të garantohet pa të”, tha Starmer për BBC.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, janë në mesin e dhjetëra udhëheqësve evropianë që iu bashkuan Starmerit dhe Zelenskyt për bisedime në Londër.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, dhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, po ashtu marrin pjesë në samitin e sigurisë.

Një ditë më herët, kryeministri britanik mirëpriti Zelenskyn në zyrën e tij dhe pas takimit u njoftua për një hua në vlerë prej 2.84 miliardë dollarësh për Ukrainën.

Artikulli paraprakOperacioni ku u arrestuan 3 efektivë, SPAK zbardh skemën: Grupi kriminal vepronte në Sarandë, trafikonte lëndë narkotike drejt Greqisë! Iu sekuestrua drogë me vlerë 1.7 milionë euro
Artikulli tjetërOperacioni i SPAK ku të përfshirë ishin edhe shefa policie/ Grupi kriminal drejtohej nga vëllai i Edmond Papës, biznesmeni që u vra 3 vite më parë