Britania njofton masat ndëshkuese ndaj Rusisë

Britania njoftoi një seri masash ndëshkimore kundër Moskës, përfshirë dëbimin e 23 diplomatëve rusë, pasi Rusia hodhi poshtë kërkesat për të shpjeguar se si një agjent nervor vdekjeprurës i periudhës sovjetike, u përdor për të helmuar ish-spiunin rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij, Julia, që banonin në qytetin anglez të Salisbury-t. Kryeministrja britanike Theresa May i njoftoi masat ndëshkimore në Dhomën e Komunave të mbushur plot me ligjvënës. Zonja May tha se, qeveria e saj do të hartojë legjislacion për të mbrojtur Britaninë nga aktivitete armiqësore nga shtete të tjera dhe do të shqyrtojë masa të reja kundër spiunazhit. Masat e reja përfshijnë: miratimin e akteve të tipit Magnitsky për të lejuar ngrirjen e aseteve të rusëve që konsiderohen si abuzues të të drejtave të njeriut dhe pezullimin e të gjitha kontakteve të nivelit të lartë midis Londrës dhe Moskës, përfshirë një vizitë të planifikuar të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov në Britani. Diplomatëve rusë që po dëbohen u është lënë një javë për t’u larguar. Ky është dëbimi më i madh i diplomatëve rusë që nga viti 1971, kur ishte kulmi i Luftës së Ftohtë. Moska nuk ofroi sqarime për agjentin nervor të Novichokut të përdorur ka mohuar përfshirjen në këtë sulm. Kryeministrja May tha se, Moska e kishte trajtuar këtë çështje me “sarkazëm, përbuzje dhe kundërshtime”. Ajo u përball me udhëheqësin e laburistëve, Jeremy Corbyn, i cili vuri në pikëpyetje qasjen e saj të njëanëshme. Por zonja May mori mbështetje të gjerë nga të gjitha partitë, përfshirë edhe ligjvënësit laburistë. Pak përpara zonjës May, aleanca e NATO-s publikoi një deklaratë ku shprehte “shqetësim të thellë për përdorimin e parë të një agjenti nervor në territorin e Aleancës që nga themelimi i NATO-s”. Zyrtarët britanikë kërkuan gjithashtu një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

SHBA mbështet Britaninë
Ambasadorja e SHBA në OKB, Nikki Haley, iu bashkua Britanisë duke aluduar qartë se Rusia qëndron prapa sulmit me agjent kimik në Salisbury. Gjatë një sesioni të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilin Britania informoi anëtarët e këtij këshilli për sulmin e supozuar me armë kimike kundër ish-agjentit rus dhe vajzës së tij, zonja Haley tha: “Vazhdimisht, vendet anëtare kanë deklaruar se janë kundër përdorimit të armëve kimike në çfarëdolloj rrethane. Mirëpo, një vend anëtar po akuzohet për përdorimin e armëve kimike në territorin sovran të një tjetër vendi anëtar. Besueshmëria e këtij Këshilli do të mund të qëndrojë dot, nëse ne nuk e mbajmë Rusinë përgjegjëse”.

Rusia do të dëbojë diplomatë britanikë
Rusia do të dëbojë disa diplomatë britanikë së shpejti, në përgjigje të dëbimit të 23 diplomatëve rusë nga Britania. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se dëbimet do të ndodhin patjetër. Mbretëria e Bashkuar i ka dëbuar diplomatët rusë, pasi Moska ka refuzuar të japë shpjegime se si një agjent nervor, prodhim i Rusisë, është përdorur për të helmuar një ish-spiun rus dhe vajzën e tij në Britani. Rusia e ka mohuar përfshirjen, ndërsa ,inistria e saj e Jashtme i ka quajtur “çmenduri” akuzat e kryeministres britanike, Theresa May. Lavrov po ashtu tha se, qasja e Britanisë së Madhe është nxitur pjesërisht për shkak të problemeve të qeverisë me Brexit-in. Ish-spiuni rus, Sergei Skripal, dhe vajza e tij Yulia mbeten në gjendje kritike për jetën, edhe dhjetë ditë pas helmimit me agjent nervor.

Exit mobile version