Ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve themeluese të Bashkimit Evropian e kanë mbajtur një takim krize rreth të ardhmes së BE-së, një ditë pasi britanikët votuan që vendi i tyre të dalë prej BE.
Takimi në një lagje periferike të Berlinit, i pari për këtë krizë ka mbledhur kryediplomatët e Gjermanisë, Francës, Italisë, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut.
Pas takimit, ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se ministrat kanë marrë pjesë në këtë takim urgjent që BE-ja të mos “rrëshqasë në histeri apo mungesë veprimi”.
Steinmeier ka thënë se gjashtë vendet themeluese të BE-së duan që Britania të fillojë procedurën e largimit “sa më shpejt që është e mundur” me qëllim që të mos e lërë bllokun e 27 shteteve evropiane në rrugë politike qorre.
Ai ka thënë se beson që BE-ja do ta përballojë tronditjen e referendumit të Britanisë dhe se gjashtë vendet themeluese të BE-së “të kenë gjithashtu mundësinë të dërgojnë mesazhin se ne nuk do të lejojmë askënd që të na e marrë Evropën”.
“Ne nuk duhet të nxitojmë në masa me plot tension, duke u sjellë sikur i kemi pasur të gjitha përgjigjet. Por, ne nuk duhet të biem në depresion apo mungesë veprimi pas vendimit britanik”, ka thënë Steinmeier.
Ministri i Jashtëm francez, Jean Marc Ayrault, ka kërkuar gjithashtu negociata të shpejta pas vendimit për referendumit të Britanisë nga BE-ja.
Ai ka thënë se presioni ndaj kryeministrit britanik, David Cameron, do të jetë “shumë i fuqishëm” gjatë samitit të liderëve të BE-sëqë do të mbahet më 28 qershor, me qëllim që procesi të përshpejtohet.
Teknikisht, vendimi britanik për t’u larguar nga BE-ja nuk bëhet zyrtar derisa Britania ta dorëzojë kërkesën mbështetur në nenin 50 të Traktatit të Lisbonës.
Pas dorëzimit të kësaj kërkese, fillon procedura dy vjeçare e daljes përfundimtare të Britanisë nga BE-ja.
Mirëpo, sipas Kushtetutës britanike, kjo kërkon një “Masë parlamentare” që duhet të miratohet në të dy dhomat e legjislatures britanike dhe gjithashtu duhet kaluar të gjitha fazat e komiteteve parlamentare britanike.
Por, kryeministri Cameron ka thënë se ai do të qëndrojë vetëm edhe tre muaj në detyrë para se ta dorëzojë pushtetin te një qeveri e re që do ta udhëheqë Britaninë në negociatat e daljes nga BE-ja.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas takimit të sotëm në kryeqytetin gjerman ka thënë se bisedimet për shkëputjen e Britanisë “nuk duhet të zgjasin përgjithmonë”, por ajo e ka pranuar se kjo varet nga Britania.
Megjithëse 52% e britanikëve në referendumin e 23 qershorit kanë votuar për daljen e vendit të tyre nga BE-ja, përballë 48 % të votuesve që kanë votuar për mbetje në këtë bllok shtetesh, referendumi nuk është ligjërisht i detyrueshëm.
Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders, pas takimit urgjent në periferi të Berlinit, ka thënë se ministrat nuk duan vakuum politik pas votimit të BREXIT.
Ai ka shtuar se puna gjatë ditëve dhe javëve në vijim nuk do të jetë e zakonshme në BE. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, pas takimit të sotëm ka thënë se Britania “nuk duhet të luajë lojën e maces me miun”, duke e shtyrë ditën e fillimit të negociatave për dalje nga blloku evropian.
Mirëpo, takimi i së shtunës i vetëm gjashtë kryediplomatëve, është kritikuar nga ata që thonë se çfarëdo përpjekje për reforma në BE, duhet të përfshijë të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Liderët evropianë duan të sigurohen që tranzicioni në aspektin ekonomik, politik dhe social të jetë i dhimbshëm sa më pak që është e mundshme.
Ata e kanë nënvizuar rëndësinë e tranzicionit me qëllim të zvogëlimit të paqartësive për tregun financiar, i cili pësoi humbje pas publikimit të rezultateve më 24 qershor të referendumit britanik.
Liderët e BE-së, gjithashtu, kanë sinjalizuar nevojën për të ruajtur unitetin e 27 vendeve anëtare pas largimit të Britanisë.
Në deklaratat e dhëna për mediet gjermane, presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka shprehur shqetësimin se ‘populistët’ anti-BE ne vende të tjera do të mund të bëjnë presion për mbajtjen e referendumeve të njëjta, të nxitura nga votimi i mbajtur në Britani, me qëllim të daljes edhe të shteteve të thera nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë, zyrtarja më e lartë politike në Skoci, Nicola Sturgeon, ka thënë sot se Skocia do të fillojë menjëherë bisedimet me BE-në dhe se ky rajon që është pjesë e Britanisë së Madhe, është i përkushtuar të mbetet në BE, nëse pjesa tjetër e vendit përfundimisht largohet.
Më 24 qershor, ajo e ka konfirmuar “mundësinë e madhe” që Skocia të mbajë një referendum të vetin rreth pavarësimit nga Mbretëria e Bashkuar nëse Britania e nis procesin e largimit nga blloku i shteteve evropiane.
Votuesit në Skoci në masë të madhe kanë votuar pro mbetjes në BE. Referendimi i mbajtur në vitin 2014 në Skoci për pavarësi nga Britania e Madhe, kishte dështuar.