Britania rrëzon Ramën për Beketin: Sulm hakmarrës

Presidenti i Leyton Orient, Francesco Becchetti dhe i televizionit “Agon Channel” nuk do të ekstradohet në Shqipëri, ku akuzohet për pastrim parash dhe falsifikim.
Vendimin e ka marrë dje Gjykata e Londrës, e cila shqyrtoi çështjen me kërkesë të palës shqiptare. Becchetti thotë se veprimi i qeverisë shqiptare kundër tij është “i motivuar politikisht”. Avokatët thonë se ai e zemëroi qeverinë shqiptare me televizionin “Agon Channel”.
Por, autoritetet shqiptare thonë se nuk ka “motiv të keq” pas ekstradimit dhe se kjo bëhet vetëm në funksion të drejtësisë.
Mediat britanike theksojnë se pronari 49-vjeçar i klubit anglez të futbollit ka pasur interesa të rëndësishme biznesi në Shqipëri, në sektorë që variojnë nga mediat dhe energjia e rinovueshme.
Gjatë një seance dëgjimore dyditore në fillim të këtij viti, avokati i biznesmenit italian, Julian Knowles tha se Becchetti ishte bërë një armik i udhëheqësve shqiptarë. Ai u shpreh se në veçanti Kryeministri socialist, Edi Rama e urrente atë dhe në qershor të vitit 2015, aktivet e Becchetti-t në Shqipëri u konfiskuan nga qeveria.
Llogaritë e tij bankare u ngrinë dhe televizioni i tij, “Agon Channel”, që ishte kritik ndaj qeverisë socialiste, u mbyll nga autoritetet.
Bashkëpunëtori i Becchetti-t, Mauro de Renzis, i cili përballet me të njëjtat akuza në Shqipëri, ka mbajtur një post të lartë në kanalin televiziv.
Avokati Knowles tha në seancë se qeveria shqiptare ka gënjyer në një përpjekje për të manipuluar procesin e ekstradimit.
Ai tha se zoti Rama ka “marrë një antipati” dhe ishte duke u përpjekur për të ndëshkuar z. Becchetti në një sulm të motivuar politikisht.
Në proces, biznesmeni italian Becchetti i ka cilësuar sulmet ndaj tij të motivuara politikisht, ndërsa avokati ka thënë se Kryeministri Edi Rama e urrente atë dhe për këtë bizneset e Becchetti-t u konfiskuan nga qeveria.
Avokati argumentoi se qeveria shqiptare ka gënjyer për të manipuluar procesin e ekstradimit të Becchetti-t nga Anglia në Shqipëri. Duket se argumentet e mbrojtjes janë parë të arsyeshme nga gjyqtarja Nina Tempia, e cila vendosi në favor të pronarit të “Agon Channel”.
Ajo që duhet të ishte një “betejë” ndërmjet Prokurorisë dhe biznesmenit italian u shndërrua në çështje politike në momentin kur Kryeministri Rama u investua personalisht. Pas sekuestros mbi pronat e tij dhe urdhër arrestit mbi Francesco Becchetti-n, Rama shkroi në rrjetet sociale: Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente ‘AgonCH’ një sukses!
Ndërkohë, biznesmeni italian, njëkohësisht presidenti i ekipit anglez të futbollit Leyton Orient, ka përgatitur paditë e tij ndaj shtetit shqiptar, ku kërkon qindra milionë euro dëmshpërblime për “sulmin e orkestruar nga qeveria”.
Vendimi për mosekstradimin e Beccetti-t u mor nga gjyqtarja Nina Tempia. Becchetti e bleu Leyton Orient në qershor të vitit 2014, pak para se të zbresë në Ligën e Dytë. Në Shqipëri, Prokuroria e dërgoi atë në gjykatë duke paraqitur disa prova që sipas saj vërtetonin se ai kishte ngritur një skemë mashtrimi dhe të pastrimit të parave.

Gjyqi me qeverinë shqiptare

Pronari italian i “Agon Channel”, Francesco Becchetti, edhe pse jashtë vendit, vazhdon gjyqin me qeverinë shqiptare në arbitrazhin ndërkombëtar. Biznesmeni italian kërkon dëmshpërblim në shifra marramendëse nga shteti shqiptar. Plot 1 miliard e 580 milionë euro është vlerësuar nga avokatët të Becchettit dëmi i shkaktuar nga qeveria shqiptare. Të njëjtat burime sqarojnë se ky dëshmpërblim kërkohet që të përfitohet përmes tri gjyqeve të ndryshme, që pronari i “Agon Channel” ka me qeverinë. Konkretisht, siç duket edhe në tabelën e mëposhtme të siguruar nga “SYRI.net”, nga arbitrazhi i parë në Uashington, Becchetti kërkon 1 miliard euro; nga gjyqi i dytë 450 milionë euro dhe i treti në Paris 130 milionë euro. Ndërkohë, kujtojmë se në janar të këtij viti, qeveria shqiptare pagoi edhe 2 milionë euro të tjera avokatët e saj për të vazhduar betejën ligjore ndaj Francesco Becchettit.
Ndërkohë Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve më 3 mars të 2016 në mënyrë unanime ka lëshuar një masë të përkohshme duke rekomanduar që qeveria e Shqipërisë “të marrë të gjitha veprimet e nevojshme për të pezulluar procedurat e ekstradimit kundër dy nga paraqitësit e kërkesave emëruar në këtë rast ndaj klientëve Francesco Bechetti dhe Mauro de Renzis”.

Artikulli paraprakProcesi i pyetjeve
Artikulli tjetërPolicia lejoi makinën e grabitësve në Aeroport