5 nga 18 shqiptarët e shpëtuar disa ditë më parë në kanalin e La Manshit, kanë kërkuar azil në Britaninë e Madhe. Por ky veprim nxiti reagime të shumta tek ata, që ngrenë alarmin se Britania e ka humbur tashmë kontrollin e kufijve të saj. Najxhëll Ferixh, lideri i Partisë së Pavarësisë në Mbretërinë e Bashkuar, i ekstremit të djathtë, mbajti një qëndrim të fortë, duke thënë se nëse kërkesa e azilit për 5 shqiptarët do të pranohet, atëherë plazhet britanike do të mbushen me trupa emigrantësh të mbytur. “Nëse u japim statusin e aziliantit shqiptarëve, vendi i të cilëve do të jetë një anëtar i BE-së në të ardhmen, ne u japim një ndihmesë të madhe edhe trafikantëve të emigrantëve”, tha ai. Nga ana tjetër e bregut, në Komunën e Dieppe në Francë, rreth 150 emigrantë shqiptarë kanë ngritur një kamp në kushte tejet të vështira. Kryebashkiaku komunist i Dieppe, bëri thirrje për të mos i ndihmuar shqiptarët në kamp, pasi ata janë refugjatë ekonomikë, e jo refugjatë lufte si sirianët. Sipas mediave në Britaninë e Madhe, që prej vitit 2008 janë regjistruar më shumë se 4500 kërkesa për azil nga shqiptarët.