Armando Broja u prezantua te Fulhem dhe do të luajë aty si i huazuar deri në fund të sezonit e më pas do të rikthehet te Çelsi.
Klubi nga Londra prej kohësh ishte në kontakt me “kushërinjtë” e kryeqytetit dhe në fund arritën të gjenin një marrëveshje.
Por Fulhem nuk ishte klubi i vetëm në Angli që interesohej për shërbimet e 22-vjeçarit shqiptar. Siç bëjnë me dije mediat britanike, Për Brojën interesohej dhe Ullvërhempton, që gjithashtu ishte në bisedime me Çelsin deri në minutat e fundit.
Këtë gjë e ka konfirmuar vetë trajneri i “ujqërve”, Geri O’Neil, i cili u shpreh se klubi kërkonte një sulmues dhe Broja ishte i duhuri, por nuk ia arriti dot. Sipas tij, faji ishte i FA-së, që la ndeshjen e Ullvërhempton me Junajtid në ditën e fundit të merkatos, gjë që e ka penguar klubin për të negociuar me “Blutë” e Londrës.
“Të luash futboll në ditën e fundit të merkatos është një ide e çmendur. Po, ne nuk arritëm dot të siguronim një numër 9. Kishte disa që unë i pëlqeja, por nuk i përballonim dot. Mund të përballonim disa, por jo ata që mendoj se mund të na ndihmonin. Ne po flisnim me Çelsin gjatë pjesës më të madhe të ditës për Brojën, por nuk arritëm të krahasoheshim me Fulhemin. Në këtë nivel jemi ne si klub, por nuk jemi dënuar me 10 pikë të hequra”, ishin fjalët e O’Neil.