Kur Edita Tahiri, Borisllav Stefanoviq dhe Robert Kuper u takuan për herë të parë 8 mars 2011, në godinën e Këshillit të Evropës u mblodhën shumë media nga mbarë Evropa, duke raportuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si një ngjarje shumë të rëndësishme, madje dhe historike. Ideja e BE ishte që të ndërtojë raporte të reja mes shqiptarëve dhe serbëve, pas shumë vite dhe dekada konfliktesh dhe tendosjesh. Por me kalimin e kohës, për këtë dialog interesohen vetëm disa gazetarë nga Kosova dhe Serbia, të cilët ndonjëherë e quajnë këtë si “dialog pa të ardhme”. Megjithatë të gjithë në Bruksel e kanë të qartë se për një kompromis kërkohet angazhim dhe liderë të guximshëm. Edhe sot, shtatë vjet më vonë, flitet për domosdoshmërinë e normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Flitet për domosdoshmërinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura. Edhe në këtë takim të ekspertëve nga Kosova dhe Serbia do të flitet për zbatimin e marrëveshjeve, siç janë liria e lëvizjes, tabelat e makinave, kontrolli i kufirit, problemi i energjisë si dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që janë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013. Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini shprehet optimiste, megjithë problemet e shumta. Ajo gjithmonë flet për një “fazë të re të dialogut” për zgjidhjen e qendrueshme të problemeve dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Pres që faza e re të arrijë shpejtësinë e plotë deri në fund të vitit. Jemi duke punuar shumë dhe shohim mundësi për një përparim të madh deri në fund të vitit 2018, e ndoshta edhe më heret. Të dy palët janë të vendosura për arritjen e rezultateve”, thotë Mogherini.
Dallimi mes “pranimit” dhe “njohjes” së pavarësisë së Kosovës
Përfaqësuesja e lartë e BE nuk shpjegon se çfarë do të thotë ky përparim i madh, por në strategjinë e BE për Ballkanin thuhet qartë se “urgjente është që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e obligueshme juridike, për normalizimin e raporteve” dhe se kjo marrëveshje është një kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. “Kosova do të përfitojë po ashtu shumë nga marrëveshja për normalizimin e raproteve me Serbinë”. “Perspektivën e përparimit” e kanë quajtur në Kosovë si jo të mjaftueshme. Ndaj ka shumë debate për domethënien e marrëveshjes për normalizimin e raporteve. Pala kosovare pohon se kjo mund të thotë vetëm një: njohjen e Kosovës si shtet. Ndërsa për palën serbe, kjo do të thotë vetëm një: kjo nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë ka vend për kompromis dhe një prej “opsioneve” të përmenduar është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe autonomia ekzekutive e serbëve në Kosovë si dhe njohja e statusit të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se, “marrëveshja historike me Serbinë do të arrihet këtë vit”. Sipas fjalëve të tij, marrëveshja nuk do të thotë njohje automatike e Kosovës, por i mundëson asaj anëtarësimin në OKB. “Ky proces duhet të sjellë deri tek normalizimi i përgjithshëm i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dy palëve duhet t’u ofrojë mundësinë e realizimit të të drejtave dhe obligimeve”, thotë kryetari i Këshillit për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, David McCaliste. Situatën e komplikuar e kanë komplikur edhe më shumë pohimet e SHBA dhe Rusisë se ato janë të gatshme të përfshihen në këtë dialog, nëse ka nevojë, që nga palët komentohet me tone të ndryshme.
Marrëveshja e Brukselit dhe “marrëveshja gjithpërfshirëse”
BE do të dëshironte që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje, e cila do të shënonte jo vetëm fundin e konfliktit mes këtyre vendeve, por do të stabilizonte këtë rajon dhe do të mundësonte një politikë të suksesshme integrimi. Mogherini pret që marrëveshja të arrihet para përfundimit të mandatit të saj në vitin 2019. BE është e interesuar që marrëveshja të arrihet ndaj në strategjinë e saj ka futur edhe fjalinë kyçe: nuk ka anëtarësim për asnjë vend, i cili ka probleme bilaterale me vendet fqinje. Por analistët dhe ekspertët thonë se marrëveshja nuk ka kurrfarë kuptimi në qoftë se nuk realizohet në tërësi. Dhe kjo e kthen tërë procesin në fillim, sepse palët deri tani nuk kanë treguar ndonjë zell të madh për realizimin e marrëveshjeve të arritura. Diplomatët në Bruksel shpresojnë se në fazën më të re të dialogut do të shënohen përparime të dukshme edhe në këtë segment.