Brukseli kundër negociatave

Angela Merkel, Francois Hollande dhe Matteo Renzi, të mbledhur në Berlin, kanë rënë dakord për të mos hapur diskutime formale ose joformale me Londrën në lidhje me Brexit, para se Britania të paraqesë një kërkesë zyrtare për aktivizimin e nenit 50 të Traktatit.
“Ajo që ka ndodhur javën e kaluar na tregon se kjo është një kohë e favorshme: ndërsa nga njëra anë, të trishtuar për votimin e britanikëve, nga ana tjetër, është gjithashtu e vërtetë se kjo është një kohë e favorshme për të hapur një faqe të re të BE-së”. Kështu ka deklaruar kryeministri italian, Matteo Renzi në samitin e Berlinit, duke identifikuar tek fjala greke “Kairos”, që do të thotë “koha e duhur”, pikërisht fjalën më të përshtatshme për të përshkruar këtë moment të Europës.
“Bashkimi Europian nuk ka ‘direktorate’. BE-ja është një organizatë komplekse, në të cilën të gjithë japin kontributin e tyre”. Kështu ka deklaruar Matteo Renzi në Berlin, në përgjigje të një pyetje në lidhje me ftesën e Angela Merkelit në samitin me Francois Hollande, për të diskutuar mbi Brexit.
“Sot kuadri rregullator” për një veprim kombëtar “është shumë i vështirë, por çdo gjë që do të shërbejë për t’u dhënë qetësi dhe besim qytetarëve, do të jetë në fokus të institucioneve europiane dhe atyre kombëtare, duke filluar me qeverinë italiane”. Kështu ka deklaruar Renzi, në përgjigje të një pyetjeje nëse do të ketë një ndërhyrje të mundshme të qeverisë, në bashkëpunim me BE-në, për kreditimin, në vijim të efekteve financiare që mund të ketë Brexit.
E shoh “interesante rrugën e propozuar, e cila vetëdijëson që Britania ka vendosur, që kemi kthyer faqe, e që nuk mund të humbasim kohë. Por në të njëjtën kohë, duhet punuar me një strategji për muajt e ardhshëm, e cila do të na shpjerë në zemër të asaj që duhet të jetë Europë”, ka shtuar Renzi.
“Britania e Madhe duhet të japë prova se di të tregojë respekt kundrejt asaj që ne jemi, si Bashkim Europian”, deklaroi presidenti francez, Hollande. Sigurisht “ne do të ruajmë marrëdhënie të forta me Mbretërinë e Bashkuar”, shtoi ai.
Ekziston “një kalendar i parashikuar nga Traktati”, për daljen e Britanisë së Madhe nga BE, pas referendumit për Brexit, por “ai mund të përshpejtohet”. Kështu ka deklaruar presidenti francez, duke shtuar se “u takon britanikëve të na e komunikojnë atë vendim, sa më shpejt që të jetë e mundur”.
“Në këtë moment duhet dhënë mbi të gjitha një provë përgjegjshmërie: ne nuk mund të humbim kohë, sepse nuk duhet të krijojmë pasiguri”, shtoi ai.
“Këshilli Europian do të duhet të gjejë një procedurë të përbashkët” për Brexit. “Ne duhet t’i japim një shtysë të re punëve të Unionit, ne duam të realizojmë masa konkrete në muajt e ardhshëm, për sigurinë e brendshme dhe të jashtme, luftën kundër terrorizmit, të veprojmë në mënyrë strategjike në vendet e origjinës të emigracionit”. Kjo ishte deklarata e Kancelares gjermane, Angela Merkel në takimin e Berlinit me Matteo Renzin dhe Francois Hollande.
Më tej, në konferencën e përbashkët për shtyp, Merkeli tha se nuk mund të ketë bisedime me Britaninë e Madhe deri në marrjen e kërkesës formale për daljen nga BE.
Takimi mes Gjermanisë, Francës dhe Italisë është pjesë e një “procedure të përbashkët që nuk bën asgjë tjetër, veçse forcon kapacitetin tonë për të vepruar, pas referendumit”, por vendimi i BE-së do të merret nga të 27 vendet, ishte përgjigja e dhënë nga Merel, ndaj pyetjes për një “direktorat” të ri brenda Bashkimit Europian.

Exit mobile version