Në një raport të publikuar së fundmi, Komisioni Evropian ka evidentuar një sërë sfidash strukturore dhe fiskale që po frenojnë progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike. Edhe pse ka vlerësime në aspektin ekonomik, sërish ka shumë probleme.
Të ardhurat publike mbeten më të ulëtat në rajon, ndërsa shpenzimet e fshehura tatimore dhe një sistem kompleks fiskal po i kushtojnë shtetit shqiptar miliona euro çdo vit. Edhe pse qeveria miratoi një strategji afatmesme të të ardhurave për periudhën 2025–2027, Komisioni thekson se reformat janë të fokusuara vetëm në administratën tatimore, pa prekur strukturën e pabarabartë të politikave fiskale.
Sipas raportit, rreziqet fiskale mbeten të larta, veçanërisht nga ndërmarrjet shtetërore, PPP-të dhe Banka Kombëtare e Zhvillimit, që pritet të mbështetet nga garanci shtetërore të rrezikshme. Në mungesë të një institucioni të pavarur fiskal dhe me borxh të lartë publik me maturitet afatshkurtër, Shqipëria po ecën në një terren të rrëshqitshëm financiar.
Ndër sfidat më të rënda të evidentuara është ekonomia informale, që mbetet e përhapur dhe që rrënon konkurrencën e ndershme, mbrojtjen sociale dhe bazën tatimore. Komisioni thekson se vendi vazhdon të ketë raportin më të ulët të të ardhurave tatimore ndaj PBB-së në rajon, duke ndikuar negativisht në investimet publike, edukim dhe shëndetësi.
Nga ana tjetër, varësia nga hidrocentralet po e bën sistemin energjetik të brishtë dhe të paqëndrueshëm, ndërkohë që integrimi në tregun evropian të energjisë dhe përballja me krizën klimatike kërkojnë reforma të thella dhe investime në diversifikim dhe burime të rinovueshme.
Në aspektin digjital, Shqipëria përballet me mangësi serioze në infrastrukturën e internetit dhe mungesën e legjislacionit të përshtatur me direktivat e BE-së për sigurinë kibernetike, sidomos në zonat rurale. Shteti shqiptar ende nuk ka përmbushur detyrimet për rrjetet 5G dhe shërbimet elektronike publike.
Arsimi mbetet një tjetër plagë e hapur për zhvillimin, me nivele të larta braktisjeje shkollore, mungesë pajisjesh, mësues të pa trajnuar dhe kurrikula të vjetëruara. Papunësia vazhdon të mbetet e lartë, sidomos te të rinjtë dhe gratë, ndërsa “brain drain”-i po boshatis vendin nga fuqia punëtore e kualifikuar.
Komisioni i ka vënë Shqipërisë në dispozicion një shumë prej 922 milionë euro në grante dhe kredi përmes Planit për Reforma dhe Rritje, të cilat do të lëvrohen me kushtin e vetëm: reformat të nisin realisht dhe pa vonesa.
Sfidat sipas KE
Komisioni Evropian miratoi Agjendën e Reformës për Shqipërinë në tetor 2024. Në këtë agjendë për periudhën 2024-2027, Shqipëria angazhohet për reforma socio-ekonomike dhe themelore për të përshpejtuar rritjen dhe konvergjencën me BE-në. Në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, dhe me kusht që reformat të zbatohen, Shqipërisë i janë alokuar 922 milionë euro – nga të cilat 265 milionë euro si grante dhe 657 milionë euro si hua. Nga kjo shumë, 429 milionë euro do të jepen në formë mbështetjeje buxhetore, ndërsa 493 milionë euro për projekte infrastrukturore përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF). Në dhjetor 2024, Shqipëria dorëzoi kërkesën për financim paraprak në Komision, duke kërkuar disbursimin e 7% të shumës totale.
Agjenda e Reformave e Shqipërisë është në përputhje me reformat strukturore të përfshira në Programin Ekonomik Reformues 2024, si dhe me udhëzimet e përbashkëta të politikave të dakorduara në Dialogun Ekonomik dhe Financiar të majit 2024.
Ekonomia informale e përhapur dëmton konkurrencën, mbrojtjen sociale dhe ul bazën tatimore.
Nivelet e larta të informalitetit krijojnë konkurrencë të padrejtë, pasi bizneset informale shmangin tatimet dhe rregullat ligjore. Gjithashtu, ndikon negativisht në të drejtat e punëtorëve që shpesh nuk kanë kontrata formale, sigurime shoqërore apo mbrojtje ligjore. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria ka një raport më të ulët të të ardhurave nga tatimet ndaj PBB-së. Kjo ndikon në aftësinë e shtetit për të investuar në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale.
Agjenda parashikon masa për të reduktuar ekonominë informale përmes përmirësimit të klimës së biznesit dhe forcimit të sundimit të ligjit. Masa thelbësore është zbatimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave për rritjen e të ardhurave të brendshme dhe përmirësimin e sistemit tatimor. Janë planifikuar edhe reforma ligjore për dixhitalizimin e kadastrës, përmirësimin e qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore përmes emërimeve meritokratike dhe miratimin e një ligji për PPP-të në përputhje me acquis-in e BE-së. Shqipëria angazhohet gjithashtu për të miratuar Ligjin e Unifikuar për Investimet dhe aktet nënligjore deri në dhjetor 2026.
Furnizimi i qëndrueshëm me energji mbetet sfidë
Varësia e madhe nga hidrocentralet e bën sistemin energjetik të cenueshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe mungesës së reshjeve. Edhe pse ka pasur rritje të prodhimit të brendshëm dhe kapacitetit diellor, diversifikimi energjetik është i domosdoshëm. Sfidat përfshijnë harmonizimin e legjislacionit me standardet e BE-së, integrimin e tregut të energjisë me BE-në, krijimin e tregut brenda-ditor dhe përshtatjen graduale të tarifave me çmimet e tregut duke mbrojtur konsumatorët vulnerabël.
Agjenda përfshin: zhvillimin e një plani veprimi për energjinë e rinovueshme, lehtësimin e lejeve për projektet, krijimin e komuniteteve energjetike, strategjinë afatgjatë për rinovimin e ndërtesave, përgatitjet për sistemin e tregtimit të emetimeve (ETS) dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit energjetik.
Dixhitalizimi dhe siguria kibernetike janë sfida kyçe
Shqipëria ka mungesa në qasjen në internet me shpejtësi të lartë, sidomos në zonat rurale. Është e nevojshme përditësimi i kuadrit ligjor për të qenë në përputhje me direktivat e BE-së, veçanërisht NIS2 për reziliencën kibernetike. Agjenda përfshin zbatimin e rregullores së BE-së për identitetin digjital, përmes krijimit të një portofoli digjital (eËallet), përmirësimin e aksesit në shërbimet publike elektronike dhe sigurimin e infrastrukturës për rrjetin 5G.
Tregu i punës dhe sistemi arsimor përballen me sfida të thella strukturore
Papunësia mbetet e lartë (9.6% në tremujorin e katërt 2024), sidomos te të rinjtë dhe gratë. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është e ulët. Puna informale kufizon aksesin në të drejtat dhe përfitimet sociale. Emigrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar përkeqëson mungesën e burimeve njerëzore. Ekziston një mospërputhje e madhe mes kërkesave të tregut dhe sistemit arsimor. Mungesa e arsimit profesional cilësor dhe politikave aktive pengon punësimin cilësor dhe përshtatshmërinë e fuqisë punëtore.
Sistemi arsimor karakterizohet nga rezultate të ulëta, shkallë të lartë braktisjeje shkollore (sidomos në zonat rurale), kurrikula të vjetruara, mungesë trajnimi për mësuesit dhe infrastrukturë të pamjaftueshme. Përdorimi i dobët i teknologjisë dhe përfshirja e mangët e fëmijëve me aftësi të kufizuara janë gjithashtu probleme madhore.
Agjenda e Reformave synon zhvillimin e kapitalit njerëzor përmes masave që përfshijnë: përmirësimin e arsimit, përditësimin e kurrikulave, ngritjen e komiteteve sektoriale për aftësitë, dixhitalizimin e arsimit, pajisjen e shkollave me pajisje ICT dhe krijimin e sistemit të certifikimit të aftësive digjitale.