Bruno Telushi drejt Slaven Belupo

Bruno Telushi do të lërë Flamurtarin pas 6 sezonesh me fanellën kuqezi. Kapiteni i vlonjatëve do të vijojë aventurën në futbollin kroat me Slaven Belupo, ekip që sezonin e mbylli në vendin e 7 në kampionat. Telushi, që aktualisht po shijon ditët e fundit të pushimeve, do të niset drejt Kroacisë në fillim të javës për të firmosur kontratën, e cila do të jetë 2-vjeçare. 26-vjeçari ka shënuar 18 gola në kampionat me fanellën e Flamurtarit, duke qenë një nga pikat më të forta të mesfushës kuqezi.
Gjithashtu numri 17 i Flamurtarit ka luajtur edhe me 21-vjeçarët e Shqipërisë, por pa patur mundësinë e aktivizimit me ekipin e madh të kombëtares. Një nga arsyet e kalimit të tij në kampionatin kroat është pikërisht kjo, për të fituar eksperiencën e nevojshme në mënyrë që të fitojë të drejtën e grumbullimit në kombëtare. Me vlonjatët Bruno Telushi ka fituar një Kupë Shqipërie në sezonin 2013-2014, teksa ka mbyllur gjithçka me klubin e qytetit të lindjes për të filluar aventurën e re.

Artikulli paraprakJuventusi nis punën në merkato
Artikulli tjetërShkëlqen Ronaldo, 11 ndeshje 18 gola