BSH: Qeveria e rriti borxhin me 645 milionë euro

Departamenti i Statistikave në Bankën e Shqipërisë ka publikuar së fundmi një raport ku ofrohen të dhëna mbi borxhin e jashtëm bruto të Shqipërisë. Në raport specifikohen sasitë e borxhit sipas zërave; ndërsa Banka e Shqipërisë shprehet se borxhi qeveritar zë peshën më të madhe dhe se ky borxh ishte 24% më i lartë në vitin 2015 krahasuar me vitin paraardhës. Sipas raportit, sektori me peshën më të madhe në stokun e borxhit të jashtëm mbetet sektori i qeverisë së përgjithshme. Në fund të periudhës (dhjetor 2015), borxhi i jashtëm i këtij sektori ishte rreth 3 miliardë e 293 milionë euro ose rreth 24% më i lartë ndaj një viti më parë (2014). Rritja i dedikohet rritjes së stokut të huave afatgjata me rreth 504 milionë euro dhe emetimit të eurobondit, i cili solli një zgjerim të stokut me rreth 141 milionë euro”.
Pra, bëhet fjalë për një rritje të borxhit qeveritar në vlerën e 645 milionë eurove në total sipas Bankës së Shqipërisë. Rreth 79% e stokut të borxhit është borxh afatgjatë kryesisht në formën e huave, ndërsa pjesa tjetër është borxh afatshkurtër kryesisht i marrë nga sektori bankar. Sektori i qeverisë së përgjithshme zotëron pjesën kryesore të borxhit të jashtëm me rreth 43% të vlerës së përgjithshme. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (17%), sektorëve të tjerë (17%), autoritetit monetar (1%) dhe si hua midis kompanive (22%).
Raporti global mbi borxhet që u publikua së fundmi nga dy organizatat gjermane Misereor dhe Erlassjahr.de ka shkaktuar diskutime në radhët e ekspertëve dhe analistëve shqiptarë të ekonomisë. Panaroma e raportit ishte e zymtë, duke vlerësuar edhe se borxhet shtetërore kundrejt donatorëve të jashtëm në vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion janë në rritje prej vitesh dhe kanë arritur, ndërkohë një shumë të përgjithshme prej rreth 5,4 bilionë dollarë, rritje e cila përshkruhet si pesë herë më e madhe se para 25 vjetësh. Referuar raportit, 108 shtete konsiderohen si “me borxhe kritike”.
Raste dramatike paraqiten në periferinë europiane si në Kroaci, Serbi, Ukrainë e Shqipëri. Këtyre u shtohen edhe vende si Gambia, Gana dhe Mauritania në Afrikë, India e Pakistani si dhe Libani e Jordania në Lindjen e Mesme. Dr. Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Biznesit, në Institutin Kanadez të Teknologjisë thotë se, shqetësimi i ngritur në raportin e Misereor dhe Erlassjahr.de është i njohur dhe diskutuar prej kohësh në ambientet e brendshme akademike dhe kërkimore, duke e konsideruar atë si një nga rreziqet serioze me të cilat vendi mund të përballet në të ardhmen. Sipas tij, një arsye është se edhe në nivelet më modeste te borxhit publik, nën 60% të PBB-së, kostoja e shërbimit të borxhit ka qendruar në nivele 3.4-3.8% të PBB-së, një shumë kjo e konsiderueshme, pothuaj sa 60% e totalit të investimeve publike të vendit.

Artikulli paraprakPadi në gjykatë për Veliajn
Artikulli tjetërQoka me tender e Tahirit, 319 milionë lekë për ofertën më të lartë dhe me një garues