Kredia për ekonominë vazhdon të mbetet në krizë duke kërcënuar rritjen ekonomike. Sipas Syri.al Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se në tre muajt e parë të vitit, stoku i huave për ekonominë u rrit me vetëm 200 milionë lekë, çka përbën një shifër të papërfillshme duke sinjalizuar se aktiviteti kreditues do të mbetet i ndrydhur edhe në 2016-ën. Ndërsa në terma vjetor kredia ka rënë nga 557.4 miliardë lekë që ishte në marsin e vitit të kaluar, në 547 miliardë lekë në marsin e këtij viti. Rënia e kredisë ka ardhur tërësisht nga tkurrja e huave të reja për biznesin. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin u ul nga 365.5 miliardë lekë që ishte vjet në mars, në 354.8 miliardë këtë vit. Kjo përbën një rënie prej 2.9 për qind dhe reflekton hezitimin e biznesit dhe bankave për të marrë përsipër rrezik. Kriza e kredive është cilësuar si rreziku kryesor për rritjen e ekonomisë edhe nga vetë qeveria. Në Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018, Këshilli i Ministrave vëren se se ndryshe nga sa pritej, kredia për sektorin privat është në stanjacion duke kërcënuar rimëkëmbjen e ekonomisë. “Rritja e dobët e kreditimit mbetet shqetësimi më i madh për perspektivën e ekonomisë shqiptare,” thuhet në dokumentin strategjik të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Vitin e kaluar rritja ekonomike u udhëhoq nga investimet. Por nëse biznesi nuk do të marrë kredi, gjasat janë që investimet të rrudhen sërish duke frenuar rritjen ekonomike. Një raport i Bankës së Shqipërisë tregon se Shqipëria është vendi që po kalon krizën më të thellë të kreditimit në Europën Jugindore dhe atë Qendrore duke lënë pas vetëm Serbinë. Raporti referon të dhënat e kredisë për biznese. Sipas tij rezulton gjatë vitit 2015 kredia për ndërmarrjet private në Serbi ka rënë me 12 për qind në terma realë krahasuar me një vit më parë. Kjo është rënia më e madhe në rajon, që pasohet nga Shqipëria. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin në Shqipëri vitin e kaluar ra me 7 për qind në terma realë krahasuar me 2014 duke shënuar rënien më të madhe historike. Në vendet e tjera të rajonit aktiviteti kreditues shfaqet i përmirësuar kundrejt tremujorëve të kaluar. Teprica e kredisë për sektorin privat u rrit me rreth 3.5% , ndërsa kredia për bizneset ishte 2.6 për qind më e lartë se një vit më parë.
Kryesore
Continue to the categoryKrimi bën kërdinë në Shqipëri, policia “mbledh gëzhojat”, qytetarët të pasigurt...
Nga Rigels Seliman
Rendi publik në Shqipëri ka arritur në një pikë kritike, ku krimi i organizuar po bën kërdinë dhe qytetarët ndihen gjithnjë e...