Nga Sidi Hasanaj
Sali Berisha së fundmi përmes procesit të Primareve, bëri një hap tjetër drejt forcimit të diktatit të tij brenda partisë, duke progresuar drejt qëllimit të tij të vetëm:
Pushtetin absolut në PD, mbajtja e një strukture të centralizuar që favorizon një grup të vogël njerëzish.
Primaret në PD shndërrohen në një farsë, në momentin që Sali Berisha vendos dhe ka prerrogativën të caktojë listat përfundimtare për kandidatër e 11Majit, pavarësisht se çfarë rezultati nxjerrin Primaret.
Kjo i bën ato një garë pa sens dhe formale përderisa rezultatet finale do të janë të përcaktuara nga dëshira e Sali Berishës dhe miratuar nga kryesia e tij.
Por le të thellohemi më shumë në analizë, përtej formës strukturore që Berisha e kontrollon PD-në, por te fenomeni social e politik që po ndodh në PD:
Përse e ndjekin një politikan 81 vjeçar, me një figurë të sfumuar nga tymi i shumë skandaleve korrupsioni dhe keqeverisje, në këtë rrugëtim disa të rinj që emrat e tyre i janë bashkuar
“Farsës”’ së Primareve? Për çfarë aspirojnë ata në të ardhmen e tyre politike?
Po përtej të rinjve, përse e ndjekin ende Berishën, njerëz që kanë një rrugëtim e kontribut në partinë demokratike? Që e kanë prekur në vet të parë korrupsionin e tij? E kanë ndjerë frymën despotike të vendimarrjes së tij?
Është një fenomen kompleks që përgjigjet e mija mund ti shpjegojë me disa faktorë kryesor:
Së pari, Korrupsioni si normë e pranueshme
Shumë njerëz që kanë prekur vetë korrupsionin e Berishës nuk e shohin atë si një problem real, por si një mekanizëm normal të politikës shqiptare.
Ata janë përfitues nga sistemi i tij dhe thjesht e shohin korrupsionin si të pashmangshëm. Pra në tranzicionin 34 vjeçar, jetët e tyre kanë pasur një rrugëtim të përcaktuar fortë nga përfitimet e korrupsionit.
Në këtë kontekst, zgjedhja nuk bëhet mes të korruptuarve dhe të pakorruptuarve, por mes “të korruptuarit tonë” dhe “të korruptuarit të Socialistëve”.
Por të rinjtë përse i bashkohen kësaj paradigme mendimi?
Përgjigjia që gjej, është te Iluzioni që ata ushqejnë brenda vetes:
Te shpërblimi politik në garën e tyre meskine për ti bërë avokatinë Berishës.
Është një trasaksion “te pazari i gjëse së gjallë”:
Të rinjtë japin “mallin e tyre”, freskinë e qënësisë , figurave të tyre dhe në këmbim presin të marrin “monedhën”, promovimin nga 81vjeçari Sali Berisha në hierarkinë e pushtetit të PD.
Principet janë vrarë, vendin e tyre e kanë zënë pragmatizmi, arrivizmi dhe uria për pushtet.
Kjo shpjegon deformimin social në Shqipëri ku shumë të rinj, që kanë vite të tëra që bërtasin në media dhe aktivitete politike fraza jo thjeshtë të vdekura në pikpamjen e të vërtetës që përmbajnë, por edhe të turpshme dhe poshturëese për dinjitetin e tyre:
Shpesh pyesja veten se si ka mundësi që djem e vajza te reja e të arsimuar, arrinin deri aty sa i vendosnin bërryla njëri tjetrit brenda PD, për të mbrojtur publikisht në media Berishën?!
“Berisha nuk është i korruptuar, ai është simbol i pakorruptushmërisë”, “nuk ka prova për vjedhjet dhe korrupsionin e Berishës”, ndërkohë që po të njejtët djem e vajza të reja (që i janë bashkuar primareve) bënin të heshturin dhe amnistonin në sferën publike vilat në Gjirin e Lalzit, në Rolling Hills, apartamentet në Bruksel, Budapest, Amsterdam, Mynyh… trajtimet mjeksore 500mijë€ , mbronin fshehjen e pronësisëe pesë milionë euro në kompaninë HomePlan, justifikonin dhe justifikojnë Gërdecin… madje garojnë kush bën më shumë foto me Fatmir Mediun dhe … lum ai që realizon dhe me Shkëlzenin.
Të rinj të mirë arsimuar në ekonomi që bëjnë sikur nuk i kuptojnë skandalet e CEZ (430milion€), skandalet e Porto Romanos me Fazlliç, ARMOn dhe falimentin e Taçit… deri te mizoria ku justifikojnë dhe katër të vrarët e 21Janarit.
Çfarë janë këta? Mos vallë “njeriu i ri” që komunizmi investoi kriminalisht aq shumë, është krijuar tashmë?
Kur edhe njerëz që predikojnë Biblën, Kuranin… fjalën e Zotit, adhurojnë e madje bashkëpunojnë aq ngushtë sa i çojnë fëmijën e tyre Sali Berishës… mbase kemi prekur fundin si shoqëri!
Kjo shpjegon përse paradite babai predikon fjalën e Zotit, e pasdite çon djalin e tij në krahë të Fatmir Mediut apo Flamur Nokës e Shkëlzen Berishës.
“Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë edhe pasurisë”, thuhet në librat e Shentë që ata predikojnë, por nuk zbatojnë!
Pra pavarësisht korrupsionit të liderit të tyre, ata besojnë se mund të ecin përpara nëse tregohen më të aftë në servilizëm apo më të zgjuar në sofizëm, për të mbrojtur ende në vitin 2025 Sali Berishën, vajzën dhe djalin e tij… këdo që do duhet.
Por për të gjitha këto “dokrra” në perceptimin e tyre, ata kanë një “kundër argument”:
“Berisha ka 12 vjet në opozitë, Edi Rama ka 12 vjet që vjedh Shqipërinë përmes inceneratorëve, investitorëve strategjik zhvatës në bregdet, krimit, skandaleve në shëndetësi e kudo në qeverisje”… e më pas instrumentalozojnë maskarallëqet e Edi Ramës, për të kompleksuar këdo që bën një analizl si kjo më sipër.
Këtu hyn në lojë Edi Rama, diabolik dhe me kundërshtarë të verbër, paradoksalisht në vend që akuzat (reale) të korrupsionit të tij ta shqetësojnë, ato janë muzik për veshët e tij!
Përse?
Sepse Edi Rama dhe Sali Berisha kanë të njëjtin target votuesish, por mbi të gjitha dhe të njëjtin grup faktorësh elektoral:
Oligarkët dhe Bandat Kriminale!
Atëhere Rama luan kartën “më mirë jeni trajtuar nga qeveria ime apo ajo e Berishës?”
Oligarkëve ju kujton se sa më mirë kanë bashkëpunuar me Edi Ramën në krahasim me Berishën. Se si Rama ju dha më shumë prona në bregdet me statusin investitor strategjik, se sa ju dha Berisha me “Shqipëria 1€”.
Ju kujton se si ata, oligarkët e kullave dhe fshatrave turistikë, paguajnë 0 tatim fitim në krahasim me 15% që i pagonin Berishës.
Ju rifreskon memorien, se si me të kanë përftuar miliona jo vetëm me rrugë (si në qeverisjen e Berishës) por edhe me projekte si privatizimet e porteve të Durrësit e Vlorës, në tunele që të çojnë në resortet e tyre, në skema pastrimi parash ku “bankat” janë zëvendësuar me “trafikantët e Kolumbisë dhe Dubait” për të financuar miliarda euro investime në turizëm.
Pra, ështp një garë që fiton kush është më i afti për të ndarë pushtetin me Oligarkët dhe Krimin, kush është lideri më “modern” në trajtimin e shtetit si instrument i Oligarkëve dhe Krimit.
Por Berisha, ka rreth vetes edhe njerëz që janë të verbuar nga fanatizmi dhe manipulimi prej megallomani të një “lideri historik”.
Ai ka ndërtuar një kult të fortë personaliteti duke e paraqitur veten si një figurë historike, luftëtar i komunizmit dhe mbrojtës i demokracisë. Kjo propagandë aspak e vërtetë ka krijuar një nukël të palëkundur ndjekësish që, pavarësisht fakteve të korrupsionit, refuzojnë ta shohin atë si një problem. Për ta, sulmet ndaj Berishës janë pjesë e një konspiracioni më të madh botëror kundër “demokracisë” dhe “kauzës” së tij.
Ndjekja e Berishës nuk është thjesht çështje verbërie apo fanatizmi, por një përzierje mes oportunizmit, mungesës së karakterit dhe mendimit kritik, propagandës dhe normalizimit të korrupsionit.
Egzaktësisht të njejtin model ka krijuar Edi Rama brenda PS.
Të rinjtë i shohin si një trampolinë për pushtet, të tjerët i shohin si të vetmet figura “globale” që mund të qeverisin Shqipërinë.
Belind Këlliçi thotë “ku ka politikan si Berisha në botë sot”, i ngjashmi ti në PS shprehet “Rama lider global që po udhëheq vendin në BE”.
Ky është një cikël që po e mban politikën shqiptare të mbërthyer në të shkuarën, duke mos lejuar asnjë reformim të vërtetë të vendit.
Bufi plak dhe Zogu Sqepkëpucë janë pjesë e të njetës Kënetë politike, dhe gjithë Shqipëria po kthehet në moçalin e tyre, mbushur plot me llum korrupsioni dhe keq qeverisjeje!