Bujar Vreto: “Sa më shumë baltë hidhni, aq më të pastër më bëni!”

Kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun e Elbasanit, Bujar Vreto, ka reaguar fuqishëm ndaj sulmeve dhe shpifjeve që, sipas tij, kanë karakterizuar fushatën elektorale nga kundërshtarët politikë. Në një mesazh të gjatë dhe të drejtpërdrejtë, Vreto thekson se nuk do të merret me të shkuarën e askujt, sepse fokusi i tij është ndërtimi i të ardhmes.

“Nuk kemi kohë të merremi me të shkuarën tuaj se jemi duke ndërtuar të ardhmen tonë!”, shkruan Vreto, duke u distancuar qartazi nga ajo që e quan “fushatë balte”.

Ai sqaroi publikisht edhe detaje të karrierës së tij gjatë kohës së qeverisjes së PD-së, duke theksuar se ka mbajtur vetëm dy poste për një periudhë të shkurtër dhe se nuk ka pasur pushtet për të ndikuar në punësime apo shkarkime. Këto, sipas tij, janë shpifje të përhapura nga individë të cilët kanë pasur realisht pushtet por nuk kanë bërë asgjë për qytetarët.

Vreto u shpreh se kandidatura e tij mbështetet në program, përkushtim dhe një njohje të thellë të problemeve reale të zonës. Me një ton sfidues, ai shtoi:

“Vazhdoni. Sa më shumë baltë hidhni, aq më të pastër më bëni. Sepse populli di të gjykojë, dhe këtë herë, vota do jetë për mua dhe të vërtetat që unë përçoj në çdo zemër të banorëve, që nuk shesin moralin për interesin.”

Postim i plotë nga Bujar Vreto në rrjetet sociale:

Nuk kemi kohë të merremi me të shkuarën tuaj se jemi duke ndërtuar të ardhmen tonë!

Fushata e baltës nuk

e ndal dot zërin e popullit. Në këto ditë fushate, është bërë e zakonshme që disa njerëz të përdorin metoda të ulëta për të fituar terren politik. Nuk çuditem kur më thonë që të njëjtët individë shëtisin nga një lagje në tjetrën apo periferi, duke përsëritur të njëjtat fjalë, për këtë jam i qartë, se e di, për shterpësinë intelektuale apo vizionin që s’kanë ku e gjejnë, e di që skanë burime të tjera, dhe kjo tregon që përkrahja është tjetërkund. Ndaj kapen pas hallexhinjve e njerëzve në nevojë, për të transmetuar mërmes gojës së tyre shpifjet që i gatuajnë në kuzhinën e dalë boje. Por le ta bëjnë, s’mund të më dëmtojnë dot, sepse unë nuk kam asgjë për të fshehur.

Të gjithë e dinë që në 8 vjet qeverisje PD: unë kam punuar vetëm 9 muaj si përgjegjës i rrugëve rurale (dhe jo drejtor si duan ta paraqesin, shpifësit) dhe 3 muaj si shef i zjarrfikëses. Kaq, një vit. Nuk kam pasur pushtet për të futur apo hequr njerëz nga puna. Ata që sot ju thonë se “nuk ju futa në punë”, janë po ata që kanë pasur detyrat e mëdha, kryetarë bashkish, drejtorë, shefa — dhe nuk bënë asgjë për ju. Mos lejoni që të përdorin emrin tim për dështimet e tyre.

Kandidatura ime nuk ndërtohet mbi baltë, por mbi program, përkushtim dhe njohje të çdo problemi real të banorëve. Unë flas me popullin në mëngjes, drekë dhe darkë. E njoh çdo rrugë, çdo familje, çdo shqetësim të kësaj zone. Kam plan zhvillimor tërësor dhe vizion për të nxjerrë Librazhdin nga errësira 34-vjeçare që ju e mbajtët.

Prandaj u them këtyre shpifësve: vazhdoni. Sa më shumë baltë hidhni, aq më të pastër më bëni. Sepse populli di të gjykojë, dhe këtë herë, vota do jetë për mua dhe të vërtetat që unë përçoj në çdo zemër të banorëve, që nuk shesin moralin për interesin.

Foltorja e parlamentit do bëhet mburoja e të pambrojturve dhe ura e zhvillimit për këtë vend. Ne nuk kemi kohë të merremi me të shkuarën tuaj, sepse jemi duke ndërtuar të ardhmen tonë.

Artikulli paraprakReagon Pëllumb Seferi pas tërmetit në Turqi: “Dhimbjen tuaj e ndiejmë si të ishte e jona”
Artikulli tjetërNeli Demi: “Liria” e Angela Merkel, një reflektim i thellë për pushtetin dhe përgjegjësinë