Nga Bujar Vreto
Sot nuk është më koha për të heshtur. Nga viti 2017 deri në 2025, Partia Demokratike dhe opozita reale janë goditur jo vetëm nga kundërshtari natyral (PS-Qeveria) por edhe nga intrigantë të brendshëm që punuan natë e ditë për t’i sjellë humbje. Jo se bënë gabim, por me qëllim, me skenar.
Ata miratuan ligje zgjedhore që i shërbenin vetëm Edi Ramës dhe Sali Berishës (kujto kushtetutën 2008 dhe ligjin zgjedhor 2024). Njëri për të vazhduar pushtetin, tjetri për të mbyllur opozitën në grushtin e tij. Janë të njëjtët që krijuan parti në 2019 e 2021, jo për ideal, por për ndarje votash dhe për të dobësuar zërin opozitar. Dhe sot i gjejmë sërish në listat e mbyllura, të mbrojtur, duke bërë marrëveshje me qeverinë e më pas duke luajtur rolin e viktimës.
Po, këta individë janë promovuar, janë pasuruar, dhe sot na thonë pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, se e dinim që do humbnim pupu. Kjo situatë nuk është reflektim por babëzi e kthyer në sistem. Është interes personal i paketuar si “vendimmarrje politike”, është shpërdorim i besimit të qytetarëve.
Ironia më e madhe? Ata që sot shajnë Ilir Rusmajlin për kërkesën për hapjen e kutive, janë të njëjtët që dje e kishin hero. E kishin bërë zëvendëskryeministër, sepse kështu funksionon ky sistem: sot armik, nesër mik. Sot zgjidhje, nesër pengesë. Vetëm që të ruajnë interesat e tyre.
Por koha e pazarit mbaroi. Shqipëria nuk është pronë e askujt. Ky popull ka sakrifikuar shumë për të parë një politikë të pastër, të ndershme dhe të drejtë. Dhe sot, ai është zgjuar.
Nuk do ketë më kompromis me ata që 34 vjet kanë rrjepur vendin dhe kanë ndarë pushtetin me të njëjtën tryezë, ndërsa qytetarëve u kanë ofruar vetëm fjalë boshe. Ne nuk do të heshtim më.
Shqipëria po ngrihet.